Prishtinë 18 janar 2009
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të 105-të të radhës, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi ka miratuar rekomandimet e propozuara nga Komiteti Drejtues Ndërministror për ndërtimin e Autostradës Vërmicë – Prishtinë – Merdare.
Në këtë mbledhje, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar ofertën alternative të trasesë së Autostradës Vërmicë – Prishtinë – Merdare, e cila nënkupton një shmangie nga traseja e deritashme e trasesë së diskutuar për këtë autostradë. Shmangja bëhet me qëllim të evitimit të një terreni të vështir malor në Qafën e Duhlës dhe me qëllim të uljes së kostos së ndërtimit të autostradës, si dhe është në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtare për ndërtimin e autostradave.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin e fillimit të negociatave me kompaninë ofertuese Bechtel – Enka Joint Venture për nënshkrimin e kontratës. Kjo kompani është ranguar si kompani e parë ofertuese për ndërtimin e kësaj autostrade.
Po ashtu, në mbledhjen e saj, Qeveria ka vendosur që Komisioni Drejtues Ndërministror i emëruar të vazhdojë punën për të mbikëqyrur zbatimin e projektit të autostradës Vërmicë – Prishtinë – Merdare, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës si Autoritet Kontraktues në Numrin e prokurimit 09/103/514 për ndërtimin e Autostradës Vërmicë – Prishtinë – Merdare,
“Përfitimet e Kosovës nga ndërtimi i autostradës është se ajo do të lidhet me korridoret evropiane dhe do të fitojë infrastrukturë moderne rrugore që do të përshpejtojë zhvillimin e saj dhe do të krijohen vende të reja pune.
Kosova do të ketë akces më të lehtë në tregjet botërore, do të ketë më lehtë lëvizjen ë njerëzve dhe qasje në portet detare. Kosova përmes kësaj autostrade do të ketë dalje në det”, ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Last modified: 18 Janar, 2010