Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Bashkimi ynë na solli lirinë dhe do të na siguron vlerat perëndimore të shtetëndërtimit

6 Nëntor, 2010

Prishtinë, 6 nëntor 2010

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot mori pjesë në përurimin e shtatoreve të dëshmorëve të kombit, komandantëve të UÇK-së, Xhelal Hajda – Toni dhe Selajdin Mullaabazi – Mici në Rahovec. Ne ceremoninë e përurimit që është mbajtur në parkun e qytetit morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ministri i Transportit dhe Post Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, anëtarët e familjeve të dëshmorëve, si dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, si dhe shumë qytetarë.

Duke i përshëndetur të pranishmit në Shesin e Dëshmorëve të Rahovecit, kryeministri Hashim Thaçi foli edhe për jetën, angazhimet dhe sakrificat e dëshmorëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Sot jam këtu në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të shprehi respektin institucional dhe shtetëror të Republikës së Kosovës për njerëzit që  dhanë jetën për lirinë e saj, për njerëzit që na bashkuan në luftë dhe sot na bashkuan përsëri këtu në Rahovec me punën, përkushtimin, sakrificën, vetëmohimin dhe heroizmin e tyre. Kjo pjesëmarrje kaq masive e qytetarëve  të Rahovecit me rastin e zbulimeve të shtatorëve të bashkëluftëtarëve tanë Tonit dhe Micit, është një shenjë e mirë e vullnetit të qytetarëve, është edhe një shenjë e mirë e respektimit të vlerave të luftës”, theksoi kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri Thaçi më tutje theksoi se ne ishim të bashkuar në lirinë e vendit dhe në vlerat perëndimore të shtetëndërtimit, prandaj ky është synimi ynë, integrimi në NATO  dhe në Bashkimin Evropian.

“Ky unitet i popullit të Kosovës buron prej vullnetit të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës”, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi, duke shtuar se zbulimi i shtatores së Tonit dhe Micit është shenjë e mire e vullnetit të qytetarëve, të respektimit të vlerave të luftës, të sakrificave të dëshmorëve të lirisë, të familjeve të dëshmorëve, veteranëve të luftës etj.

Në vazhdim të ceremonisë u zbulua shtatorja e Xhelal Hajda – Tonit dhe Selajdin Mullaabazi – Mici nga kryeministri Hashim Thaçi, u.d. Presidenti, Jakup Krasniqi, nëna e Tonit, Gjylija, Hilmi Haradinaj dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Shtatorja e bronzit e lartë 3,20 metra të dëshmorëve të kombit Toni dhe Mici është punim i grupit të skulptorëve nga Rahoveci.

Last modified: 6 Nëntor, 2010

Comments are closed.