Prishtinë, 15 janar 2010
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot ka marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të ndërtesës së re të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në Prishtinë. Në përurimin e këtij objekti merrnin pjesë ministrat Enver Hoxhaj dhe Arsim Bajrami, akademik dhe punonjës të shkencës dhe artit dhe mysafirë të tjerë.
Në një fjalë rasti kryeministri Hashim Thaçi tha se ndjehet tepër i lumtur dhe krenar që sot në prag të dy vjetorit të pavarësisë së Kosovës po merr pjesë në inaugurimin e objektit më modern për një akademi të shkencave në rajon.
“E përgëzoj kryetarin Bokshi dhe gjithë akademikët e respektuar të Republikës së Kosovës, për angazhimin e tyre historik fillimisht në kultivimin e Akademisë, apo jetës akademike në Republikën e Kosovës, në angazhimet e tyre shtetformuese, prandaj sot secili kosovar, vet shteti i Kosovës të ndihet krenar për këtë vepër madhështore, mund të them për njerëzit e dijes shkencës, shtetformimit dhe të ideve të reja”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri Thaçi në ceremoninë e përurimit të ndërtesës së re të Akademisë premtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të ketë edhe vepra të reja në përputhshmëri me vizionin për të ardhmen, që Kosova të jetë pjesë edhe NATO-s edhe e Bashkimit Evropian.
“Njerëzit e Akademisë së Shkencave janë njerëzit e kultivimi edhe të jetës akademike, njerëz të lirisë së Kosovës, të demokratizimit , të ndërtimit të shtetit dhe tash të integrimit”, theksoi kryeministri Thaçi .
Ndërsa kryetari i ASHAK-ut, Besim Bokshi ka vlerësuar lartë hyrjen në këtë objekt të ri.
“Shpresojmë që nuk do të vonohet sigurimi i orendive që na bëjnë të mundur fillimin e punës në këtë godinë të bukur dhe funksionale, në të cilën do të nderohet Akademia e Qeveria dhe të nderohet shkenca e arti”, ka thënë Bokshi.
Objekti ka kushtuar rreth 5 milionë euro të siguruara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Last modified: 15 Janar, 2010