Prishtinë, 14 janar 2010
Kryeministri Hashim Thaçi në hapje të mbledhjes, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka falënderuar shtetin e Mauritanisë për njohjen që i ka bërë Republikës së Kosovës. “Është një njohje e re që fuqizon procesin e njohjeve dhe se ky proces është i pandalshëm dhe njohjet e reja do të vazhdojnë pavarësisht procesit në GJND”, ka thënë z. Thaçi.
Me këtë rast kryeministri ka njoftuar kabinetin qeveritar me vlerësimet e Institutit “Freedom House” për punën e institucioneve të Kosovës, për progresin e madh që ka arritur Kosova në vitin e kaluar. “Ajo që është e rëndësishme është se vlerësohet progresi i dukshëm në Kosovë. Raporti i “Freedom House” vlerëson Kosovën si shtet, të arriturat në fushën e demokratizimit, në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtave të komuniteteve“, theksoi kryeministri Thaçi.
Duke folur lidhur me ndalimin e zyrtarëve të shtetit të Serbisë që dëshironin të kryenin angazhime politike në Kosovë, kryeministri Thaçi pohoi se është përkushtim i institucioneve të Kosovës për respektimin e ligjit dhe rendin tonë kushtetues. Të gjithë duhet ta kuptojnë se Kosova është shtet, ka kushtetutën e vet dhe rendin e saj kushtetues dhe ligjor.
Kryeministri Thaçi ka njoftuar edhe për strategjinë për vënien e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ky është një angazhim i përbashkët i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Është fjala për idetë preliminare që kemi nxjerrë për strategjinë e vënies së ligjshmërisë në gjithë territorin e veçmas në Mitrovicë. Vitin e kaluar kemi investuar 8 milionë euro në infrastrukturë për të gjitha komunitetet. Ka qenë një sinjal shumë i mirë e shumë pozitiv për ndërtimin e një qyteti të përbashkët me jetesë të përbashkët dhe tolerancës qytetare e ndëretnike. Kjo strategji e përbashkët është në plotni në përputhshmëri me dokumentin e Ahtisarit, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet e Kosovës, me sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe respektimin e integritetit territorial. “Ky fokusim i theksuar i institucioneve vendore ka nxitur gjithë komunitetin ndërkombëtar që të jenë unik në mbështetje të përkushtimeve dhe përgjegjësive që kemi ne, sepse ky është viti i konsolidimit të plotë të shtetit të Kosovës. Është një proces shumë demokratizues, ofrues dhe integrues për të gjitha komunitetet”, tha kryeministri Thaçi .
Ministri i FSK-së Fehmi Mujota ka njoftuar kabinetin qeveritar për vizitën në Shqipëri me rastin e përmbytjeve në Rrethin e Shkodrës. Ministri Mujota ka thënë se nga pala shqiptare ka marrë një falënderim të veçantë për angazhimin e trupave të FSK-së që në momentin e paraqitjes së kësaj fatkeqësie natyrore .
Qeveria duke vazhduar sipas rendit të ditës sot i ka dhënë përkrahje iniciativës së disa studiuesve për përgatitjen dhe kompletimin e dosjes për UNESCO që eposi i Kreshnikëve të vlerësohet dhe radhitet ndër kryeveprat e trashëgimisë gojore të njerëzimit.
Qeveria ka miratuar Projekt-kodin e drejtësisë për të miturit propozuar nga Ministria e Drejtësisë. Sipas ministres Nekibe Kelmendi me këtë projekt-kod do të tentohet të mënjanohen zbrazëtitë ligjore dhe në këtë mënyrë të sigurohet baza e duhur ligjore për zbatimin adekuat të ligjit, ku ndryshimet dhe plotësimet ligjore do të ndihmojnë në funksionimin më të mirë të sistemit juridik gjyqësor, si dhe në mbrojtjen adekuate të drejtave elementare të miturve, të cilët kanë ra në kundërshtim me ligjin.
Qeveria ka propozuar një komision ndërministror që të vlerësoj urgjentisht situatën pas rrëshqitjes së dheut në fshatin Brod të komunës së Shtërpcës. Lidhur me këtë rast z. Thaçi ka kërkuar që ekspertët të vizitojnë menjëherë fshatin dhe vendin në mënyrë që të vlerësohet gjendja dhe të merren vendime të shpejta në përputhshmëri me kushtet e rrethanat që janë krijuar.
Qeveria i ka dhënë mbështetje propozimit të ministrit Nenad Rashiq që të shikohet mundësia e kthimit në punë të rreth 50 gardianëve të komunitetit serb që më herët kanë punuar në Shërbimin korrektues të Kosovës.
Last modified: 14 Janar, 2010