Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar takim të rregullt me shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Piter Feith

14 Janar, 2010

Prishtinë, 14 janar 2010

Në takim është diskutuar forcimi i sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.  Kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, edhe për këtë vit do të jetë vazhdimi i rrugës në perspektivën euroatlantike të Kosovës, me synim që sa më parë, Kosova të jetë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.

Duke folur për angazhimin e Qeverisë së Kosovës dhe të faktorëve ndërkombëtar, për shtrirjen e sundimit të ligjit dhe zhbërjen e strukturave paralele, kryeministri Hashim Thaçi është shprehur për “angazhimin e përbashkët në hartimin e një dokumenti përbashkët në të cilin do të  kemi një ritheksim të angazhimit për vënien e ligjshmërisë në gjithë territorin e Kosovës”.

“Vënia e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës nënkupton edhe zhbërjen e strukturave apo evitimin e pengesave te individëve që nuk njohin institucionet dhe ligjet e Kosovës” ka theksuar kryeministri Hashim Thaçi. 

Nga ana e tij, shefi i ICO-së, Piter Feith ka theksuar se Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë nuk njeh institucione paralele, por vetëm institucionet e Republikës së Kosovës dhe ka shtuar se “Ne po vazhdojmë konsultimet tona të afërta me qeverinë mbi strategjinë për veriun”.

“Është një produkt i përbashkët ndërmjet Qeverisë dhe nesh dhe do t’ua bëjmë me dije kur të arrijmë te konkludimet finale. Së pari do të punojmë për të vendosur një kornizë dhe synimet e politikave sa i përket veriut për periudhën afat-shkurtër apo afat- mesme dhe pastaj do të vlerësojmë implementimin”, ka thënë z.Piter Feith. 

Last modified: 14 Janar, 2010

Comments are closed.