Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Republikës së Kosovës, ndan 200 mijë euro ndihmë për rajonet e përmbytura në Republikën e Shqipërisë

9 Janar, 2010

Prishtinë, 09 janar 2010
 

Kryeministri Thaçi ka vlerësuar gatishmërinë dhe solidaritetin nga komunat e Kosovës, qytetarët dhe komuniteti i biznesit për të ndihmuar sanimin e pasojave të vërshimeve në veriun e Shqipërisë.
 

“Jemi duke përcjell me vëmendje të shtuar por edhe shqetësim situatën rreth  vërshimeve që kanë ndodhur në Shqipëri. Kemi shprehur dhe shprehim edhe sot gatishmërinë si gjithmonë për ndihmë dhe solidaritet. Kemi kontakte të drejtpërdrejta me Qeverinë e Shqipërisë, dhe janë ndërmarrë masa me dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë të Kosovës, por edhe grupe të zjarrfikësve të Kosovës të cilët tanimë janë atje. Jemi të gatshëm që të rrisim numrin e pjesëtarëve që të ndihmojnë në përballimin e gjendjes”theksoi z. Thaçi .
 

Kryeministri Thaçi kërkoi nga ministri i FSK-së Fehmi Mujota që nga sot të rritet numri i prestarëve të FSK-së që do të ndihmojnë në rajonet  e rrezikuara nga përmbytjet në Shqipëri.
 

“Të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë dhe potencialet që kemi ne në koordinim edhe me ndërkombëtarët në mënyrë që të jemi më afër qytetarëve atje, të jemi më afër angazhimeve për tejkalimin e kësaj gjendje jo edhe të lehtë për qytetarët në Shqipëri”, tha z. Thaçi, duke shtuar se kemi pasur dhe do të kemi gjithmonë solidaritet ndër vëllazëror por edhe ndërshtetëror me popullin dhe shtetin e Shqipërisë, një solidaritet ndër vëllazëror e ndërshtetëror ky i ndërsjellë dhe i dëshmuar.
 

Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq ka thënë se edhe partia e tij SLS i është bashkuar iniciativës për ndihmë Republikës së Shqipërisë. Për këtë qëllim janë siguruar si ndihmë 100 veshje dimri.
 

Qeveria sot ka miratuar Planin  Zhvillimor Strategjik  propozuar nga Ministria e Administratës Publike (MAP) . Sipas ministrit Arsim Bajrami reforma e administratës publike paraqet një dimension të rëndësishëm të prioriteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Me qëllim të ndërtimit të një administrate moderne efikase, dhe profesionale, reformat në këtë sektor kanë për synim ofrimin e shërbimeve sa më afër qytetareve, shërbime të shpejta, dhe kualitative. Shembull më i mirë për ketë është projekti i qeverisjes elektronike i cili siguron ofrimin e shërbimeve dhe veprimeve administrative përmes sistemeve elektronike, duke ndërtuar një urë të shpejtë komunikimi ndërmjet administratës shtetërore dhe qytetareve. Sipas z. Bajrami , reformimi i administratës publike do të arrihet në tërësi në vitin 2013.

Last modified: 9 Janar, 2010

Comments are closed.