Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Kontributi i presidentit Mesiq për paqen dhe stabilitetin e rajonit, si dhe për lirinë e Kosovës është i jashtëzakonshëm

8 Janar, 2010

Prishtinë, 8 janar 2010

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në një takim presidentin e Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiq, cili ndodhet për vizitë zyrtare në Kosovë në fund të mandatit të tij. Kryeministri Thaçi ka njoftuar presidentin Mesiq lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe bashkëpunimin e mirë me të gjitha vendet fqinje .

Kryeministri Thaçi dhe presidenti Mesiq  janë pajtuar se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Kroacisë kanë një traditë të gjatë dhe gjithnjë janë duke u forcuar mbi bazën e bashkëpunimit të mirë dhe të sinqertë në shumë fusha.

Kryeministri Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, fillimisht ka falënderuar personalisht presidentin Mesiq dhe popullin e Kroacisë për ndihmën dhe përkrahjen që i kanë dhënë Kosovës pas pavarësisë, por edhe më herët, në arritjen e lirisë dhe të paqes .

“Kam nderin dhe kënaqësinë që sot takoj mikun e shtetit të Kosovës, mikun e popullit të Kosovës, por edhe mikun tim personal, presidentin e Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiq.

Roli dhe kontributi i z. Mesiq është shumë i rëndësishëm për të gjitha zhvillimet në rajon dhe për perspektivën evropiane. Gjatë gjithë karrierës së tij politike , të gjithëve u kujtohet vendosmëria e presidentit Mesiq për lirinë e Kosovës, për paqen dhe stabilitetin ne rajon”, theksoi kryeministri Hashim Thaçi

Marrëdhëniet e gjithanshme midis Kosovës dhe Kroacisë vetëm sa do të zgjerohen në të ardhmen në të gjitha segmentet e jetës institucionale, theksoi z. Thaçi duke shtuar se ne kemi të njëjtin qëllim – të jemi pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.

Presidenti i Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiq me këtë rast ka vlerësuar shumë te mira raportet bilaterale ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, si dhe është shprehur për thellimin e më tejmë të këtij bashkëpunimi në fushën ekonomike, dhe synimet e përbashkëta për integrimet euro atlantike. Ai ka vlerësuar lartë standardet që ka arritur Kosova në fushën e të drejtave të minoriteteve të cilat janë si urë lidhëse midis shteteve dhe popujve në Ballkan.

Presidenti Mesiq ka thënë se Evropa Juglindore nuk ka alternativë tjetër, pos hyrjes në integrimet euro atlantike dhe kjo do të ndihmojë që Evropa të bëhet faktor më i madh i paqes, sepse Evropa e bashkuar do të hapë kufijtë e saj, ka thënë presidenti i Kroacisë Stjepan Mesiq. 

Last modified: 8 Janar, 2010

Comments are closed.