Prishtinë, 30 dhjetor 2009
Nën drejtimin e Kryeministrit Hashim Thaçi është mbajtur sot mbledhja e 101-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës, njëherit dhe mbledhja e fundit për vitin 2009.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Thaçi ka falënderuar ministrat, gjithë kabinetin e tij qeveritar dhe të gjithë shërbyesit civil për punën e mirë dhe përkushtimin gjatë këtij viti.
Më tutje kryeministri Thaçi në emër të tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka përcjellë gjithë popullit të Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë urimet më të mira për Vitin e ri 2010.
Një urim të veçantë z. Thaçi u ka drejtuar edhe mediave për raportimin korrekt dhe bashkëpunimin e mirë me qeverinë dhe institucionet e vendit.
“Po përfundojmë një vit me suksese të mëdha në qeverisjen e vendit, me qeverisje të mirë, efikase, me politika dhe vizion të qartë për shtetin tonë. Natyrisht se duke e përmbyllur një vit të suksesshëm, dalin edhe përgjegjësi të reja për vitin e ardhshëm, 2010”, tha kryeministri Thaçi, duke shtuar se gjatë vitit që po kalon angazhimet kanë qenë të fokusuara në tri shtylla kryesore: e para, ka qenë konsolidimi i shtetit të Kosovës, pra është krijuar baza legale për funksionim të institucioneve tona shtetërore, është plotësuar çdo segment institucional që parashihet me kushtetutë. Kemi ndërtuar institucione të reja shtetërore në përputhje me zhvillimet tona si shtet modern, demokratik, multietnik, përfshirë edhe institucionet e sigurisë, por edhe kompletimin e angazhimeve tona diplomatike dhe prezencës sonë diplomatike në gjithë botën.
Më tutje z. Thaçi ka vlerësuar njohjet për Kosovën që kanë arritur në 64 dhe me këtë rast ka lavdëruar punën e Ministrisë së Jashtme dhe ministrin Skender Hyseni.
Si suksese gjatë vitit 2009 kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka radhitur anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe prezantimin e suksesshëm para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale të parat pas pavarësisë së vendit dhe pjesëmarrjen e komuniteteve dhe formimin e katër komunave të reja me shumicë serbe.
Kryeministri Thaçi po ashtu ka vlerësuar shtatën stabile të sigurisë gjatë gjithë këtij viti dhe ka vlerësuar angazhimet e Policisë së Kosovës dhe mekanizmave tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë nga fusha e sigurisë.
Shtylla e dytë e fokusimit të kabinetit qeveritar sipas kryeministrit Thaçi ka qenë angazhimi në zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe përmirësimi i gjendjes sociale në vend me theks të veçantë të përmirësimit të pozitës së kategorive të dala nga lufta.
Në shtyllën e tretë kryeministri Thaçi ka radhitur angazhimet e kabinetit qeveritar në reformat duke filluar nga reforma në administratën publike, reforma në pushtetin lokal, reformat në sistemin e drejtësisë. “ Dëshiroj të theksoj se reformat do të vazhdojnë në të gjitha aspektet, edhe në politikë, edhe në drejtësi, por edhe në ekonomi”, pohoi kryeministri Thaçi.
Vitin 2010, kryeministri Hashim Thaçi e ka cilësuar vit i zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës, viti i reformave demokratike sipas standardeve të Kopenhagës, dhe viti i përshpejtimit të integrimit të Kosovës në NATO dhe BE.
“Do të vazhdojmë me qeverisjen e mirë, me qeverisjen efektive, efikase dhe shumë transparente, me sundimin e plotë të ligjit, me luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Në mbledhjen e sotme te Qeverisë është prezantuar Plani i Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2010, i cili me disa plotësime është miratuar unanimisht nga ministrat.
Po sot është miratuar edhe Strategjia Legjislative për vitin 2010. Sipas zëvendëskryeministrit Ramë Manaj kjo strategji përfshin 123 projektligje dhe është pjesë e Planit të Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2010.
Qeveria në mbledhjen e sotme ka vendosur që t’i ofrojë mbështetje financiare familjes të të ndjerës Shehnaze Bekteshit, nënë e pesënjakëve, si dhe familjes së gjyqtarit të ndjerë Osman Tmava.
Last modified: 30 Dhjetor, 2009