Zyra e Kryeministrit

Komunikatë e përbashkët e Komisionit Qeveritar të Republikës së Kosovës për Persona të Pagjetur dhe Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës

29 Dhjetor, 2009

Prishtinë, 29 dhjetor 2009

Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur (KQPP) dhe Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare te të Zhdukurve të Kosovës (KKAFAZHK) vlerësojnë se procesi për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë nuk është në dinamikën çfarë do të duhej të ishte, me gjithë rezultatet e arritura. Ky fakt vazhdon të mbetet shqetësim për Qeverinë e Kosovës, Institucionet, KKAFZHK-në, Shoqatat,  dhe në veçanti për familjarët e personave të pagjetur.

KQPP-ja në bashkëpunim me KKAFZHK-ën dhe shoqatat e tjera, partnerët vendorë e ndërkombëtarë, mbeten të përkushtuar në ndriçimin e fatit të gjithë personave që tash e sa vjet iu mungojnë më të dashurve të tyre, dhe për një trajtim më të mirë e institucional për familjet e personave të zhdukur.

Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur, gjegjësisht Qeveria e Kosovës,  do të thellojë bashkëpunimin me EULEX-in, Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, dhe partnerët e tjerë me qëllim që, të përshpejtojë identifikimin e më shumë se 400 mbetjeve mortore si dhe ndriçimit të  fatit të të gjithë personave të evidentuar si të zhdukur.

Mbetet angazhim i përhershëm kërkesa për faktorin ndërkombëtar  që të shtojë trysnin  ndaj institucioneve të Beogradit për te qenë bashkëpunues dhe mundësuar zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Qeveria e Kosovës nëpërmjet KQPP-së, në bashkëpunim me KKAFZHK-ën i thërret  familjarët e personave të pagjetur të jenë pjesë e procesit të realizimit dhe zbatimit të Planeve dhe Strategjive të përbashkëta me qëllim avancimin e procesit.

Qeveria e Kosovës do të shqyrtojë mundësinë e ngritjes së Qendrës Memoriale për të pagjeturit, dhe procedimit për miratim të Ligjit për Personat e Pagjetur.  

Last modified: 29 Dhjetor, 2009

Comments are closed.