Prishtinë, 4 nëntor 2010
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është takuar sot me përfaqësuesin civil ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith.
Në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, posaçërisht për organizimin sa më të suksesshëm të zgjedhjeve të reja të 12 dhjetorit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takim ka shprehur gjithë përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për një proces zgjedhor të lirë, demokratik, transparent, të organizuar mirë, me pjesëmarrjen e monitoruesve ndërkombëtar, ku qytetarët do të vendosin për zgjedhjen e institucioneve të ardhshme të vendit.
Nga ana e tij, përfaqësuesi civil ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith, u shpreh me tone pozitive për përkushtimet e kryeministrit Hashim Thaçi për ruajtjen e stabilitetit politik dhe institucional të Kosovës dhe poashtu çmoi lart përkushtimin e z.Thaçi për zgjedhje të lira, demokratike, fer dhe transparente.
Zgjedhjet e reja të 12 dhjetorit do të jenë edhe një test i ri për demokracinë në Kosovë. Besoj se gjithë klasa politike dhe institucionale do të dëshmojë pjekurinë e lartë shtetërore për të plotësuar me sukses edhe këtë standard të lartë demokratik, në rrugën e integrimit euro-atlantik të Kosovës – u shpreh z.Feith.
Last modified: 4 Nëntor, 2010