Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti u uroi mirëseardhje pjesëmarrësve të Akademisë Federale për Politika të Sigurisë

28 Qershor, 2022

Prishtinë, 28 qershor 2022

Në pritjen e organizuar nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka uruar mirëseardhje në Kosovë, pjesëmarrësve të Akademisë Federale për Politika të Sigurisë. Kjo akademi është institucion ndërministror i Republikës Federale të Gjermanisë për studime të avancuara, edukim dhe trajnim në politikën e sigurisë në kompetencë të Ministrisë Federale të Mbrojtjes.

Kryeministri Kurti tha se shpreson që qëndrimi në Kosovë do të ndikojë në pasurimin e njohurive të pjesëmarrësve për vendin tonë dhe rajonin.

Ai theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë. Po ashtu, shprehu mirënjohje për rolin e domosdoshëm të Gjermanisë për strukturat tona të sigurisë dhe zhvillimin e aftësive ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Angazhimi aktiv i Gjermanisë në KFOR është i pazëvendësueshëm, tha ai.

Kryeministri theksoi se Kosova është një tregim suksesi i perëndimit për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, dhe në të njëjtën kohë është një tregim prosperiteti.  Ai përmendi rritjen dyshifrore të ekonomisë si dhe rritjen e eksporteve dhe investimeve.

Ne po kontribuojmë në siguri duke rritur buxhetin e sektorit të mbrojtjes për 52%, tha kryeministri, duke shtuar se ky është buxheti më i lartë për sektorin e mbrojtjes që ka pasur ndonjëherë Kosova.

Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për të zhvilluar një forcë ushtarake profesionale dhe të shkathët në përputhje me doktrinën dhe standardet e NATO-s , tha kryeministri.

Last modified: 15 Korrik, 2022

Comments are closed.

×