Zyra e Kryeministrit

Adresimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e 81-të të Qeverisë

1 Qershor, 2022

 

Prishtinë, 1 qershor 2022

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra,
Mirë se e gjejmë njëri-tjetrin në këtë mbledhjen e 81-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila po mbahet sot, më 1 qershor të vitit 2022,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Kriza energjetike dhe implikimet për tregjet ndërkombëtare nga lufta agresore e Rusisë në Ukrainë, kanë shtrirë efektin e tyre edhe në Kosovë. Ndikimi parësor i kësaj krize është rritja e çmimeve për një sërë artikujsh të shportës bazike të konsumit, si produkte ushqimore, shërbime të transportit, por edhe energji. Kësaj pastaj i ka ndihmuar edhe prirja për manipulim me çmime e një kategorie të tregtarëve të papërgjegjshëm, që në mënyrë spekulative kanë ngritur edhe çmimet, të cilët në kushte normale nuk janë prekur nga dukuritë, të cilat porsa i përmenda.

Ngjashëm edhe me qeveritë e vendeve tjera, edhe Qeveria e Republikës së Kosovës në varësi të vlerësimit të ndikimit i është kundërpërgjigjur këtyre zhvillimeve me synimin kryesor, që të ndihmojë amvisëritë dhe komunitetin e biznesit për të përballuar më me lehtësi rritjen e kostos së jetesës, si rezultat i rritjes së çmimeve.

Duke u nisur nga presupozimi që kemi vështirësi në përballimin e kostos së jetesës për vitin 2022, ka qenë parim bazik, që edhe përgjigja jonë të mbështetet nga të hyrat e grumbulluara në buxhetin e shtetit për këtë vit.

Te rasti i energjisë, kemi vendosur që koston shtesë të importit të energjisë, të vlerësuar në rreth 128 milionë euro, ta mbulojmë kryesisht përmes subvencionimit të amvisërive edhe atë në masën e 100 milionë eurove.

Te rritja e çmimeve të një grupi mallërash ushqimore dhe shërbimeve të transportit, Qeveria beson se kategori të caktuara të shoqërisë janë goditur në mënyrë disproporcionale, andaj edhe përgjigja jonë është dizajnuar në varësi të ndikimit.

Për shembull, një kategori që besojmë se është goditur më së shumti nga kjo situatë, janë përfituesit e ndihmave sociale, që janë rreth 6% e qytetarëve të vendit. Ne besojmë që problem i kësaj kategorie nuk zgjidhet duke rrënuar sistemin pensional të vendit, meqë ky grup as edhe ka mjete të akumuluara në trust.

Andaj, kemi vendosur që atyre, nga buxheti aktual t’ua dyfishojmë ndihmat e ofruara për dy muaj rresht dhe për këtë kemi ndarë mbi 6 milionë euro, pasi që të njejtat përfitime veç i kemi rritur për 30% për periudhë të pacaktuar.

Pensionistët po ashtu janë goditur mbiproporcionalisht nga lëvizjet e çmimeve. Ne mendojmë se situata e afërsisht 400 mijë përfituesve këtu nuk adresohet përmes rrënimit të sistemit pensional të vendit, meqë këta individë janë të pensionuar. Andaj, përgjigjen e kemi gjetur në mbështetjen e përkohshme me nga 100 euro për secilin prej tyre, pasi që tashmë i kemi rritur pensionet bazë për 11% duke u siguruar, që për herë të parë asnjë pension në Kosovë të mos jetë nën 100 euro.

Edhe fëmijët e vendit, e dihet që sot është Dita e tyre, pra gëzuar Ditën e Fëmijëve të gjithë fëmijëve të Republikës së Kosovës dhe jo vetëm, e këta fëmijë në vendin tonë, që janë mbi 550 mijë banorë të shtetit tonë, po ndiejnë pasojat e rritjes së çmimeve, por edhe atyre nuk u ndihmon dot duke rrënuar sistemin pensional, meqë asnjëri nga ta nuk disponon ende me llogari në trustin pensional të vendit. Atyre u ndihmon dhe ne e kemi bërë këtë, përmes shtesave universale për fëmijë, që u siguron fëmijëve në varësi të moshës nga 120 deri në 240 euro në vit.

Edhe lehonat e papuna janë mbiproporcionalisht të goditura nga kjo situatë, por as atyre nuk mund u ndihmon gjë duke rrënuar sistemin pensional të vendit, meqë pjesa më e madhe e tyre nuk kanë llogari të hapura në trust. Si alternativë, ne u kemi dalë në mbështetje përmes skemës që garanton 6 paga minimale në 6 muajt e parë pas lindjes.

Edhe fermerët tanë, e që janë më dhjetëra mijëra janë goditur nga kjo krizë, por ata nuk ndihmohen dot nga rrënimi i sistemit pensional, meqë shumica dërmuese e tyre kanë pak ose aspak mjete të akumuluara. Ata ndihmohen dhe po ndihmohen përmes rritjes së ndjeshme të granteve e subvencioneve dhe përmes subvencionimit të kostos së furnizimit me derivate të naftës, ashtu siç po vepron Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila ka hequr akcizën prej 36 cent në litër për naftën për traktorët e bujqve.

Edhe të rinjtë e vendit janë goditur nga kriza, por ata po ndihmohen përmes shtimit të numrit të bursave të shkollimit dhe do të ndihmohen përmes skemës së punësimit për të rinjtë, për të cilën jemi duke punuar bashkë me Bashkimin Evropian, si dhe përmes pagesës në masën e 100 euro për secilin student të regjistruar, si në institucionet publike ashtu edhe në ato private të arsimit të lartë. E le të mos harrojmë se, pikërisht Qeveia jonë, e ka bërë edhe arsimin universitar falas për të gjithë.

As punëtorët e angazhuar në ekonominë joformale, as ata që vazhdojnë të punojnë me paga minimale, nuk ndihmohen dot përmes rrënimit të sistemit pensional. Ata ndihmohen përmes rritjes së formalizimit, rritjes së pagës minimale dhe përmes pagesave të njëhershme në masën e 100 eurove për secilin prej tyre, siç edhe kemi bërë.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Nga mbi 630 mijë llogari që janë të hapura (edhe pse gjysma e tyre joaktive) në trustin pensional të Kosovës, 92% e tyre kanë të akumuluara më pak se 10 mijë euro, kurse 80% të llogarive apo mbi 500 mijë sosh kanë në mesatare vetëm 1.100 euro në llogari.
Pjesa më e madhe apo afërsisht gjysma e kursimeve janë të koncentruara tek më pak se 8% e bartësve të llogarive, pra që kanë afërsisht gjysmën e mjeteve të akumuluara.
1.2% përafërsisht e individëve, që kanë llogari në trust, kanë në mesatare 30 fish më shumë se 80% e qytetarëve me llogari të hapura në trust.
Andaj, këta 8% edhe do të ishin përfituesit kryesor të një skeme për rrënimin e trustit pensional të vendit. Janë këta që kanë sjellë këtë propozim në Kuvend dhe janë këta, që po keqpërdorin vrazhdësisht edhe rrjetin medial për të manipuluar opinionin si për përmasat e krizës ashtu edhe për domosdoshmërinë e tërheqjes së mjeteve të trustit si zgjidhje. Ata po manipulojnë me konceptin e varfërisë, ku nuk bëjnë pjesë vet dhe me qytetarët e vendit për të arritur qëllimet e tyre personale, që nuk janë të qytetarëve të vendit.

Buxheti i vitit 2028 është buxhet i yni, po ashtu edhe mjetet në trustin pensional janë tonat, por buxheti në vitin 2028 është buxhet për vitin 2028, jo për vitin 2022 dhe njësoj edhe pensionet nuk janë për tash, por kur të plakemi, atëherë kur të hyjmë në pleqëri dhe nuk mundemi që një problem të përkohshëm tani, ta zgjidhim me një rrënim të së ardhmes sonë.
Nuk mund të lejojmë, që edhe ta humbim të ardhmen edhe të mos e fitojmë të tashmen.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Në periudha kohore kur vendi ballafaqohet me normë të lartë të inflacionit, është e zakonshme që në diskutim publik të vendoset edhe tema e pensioneve, kontributeve pensionale dhe përfitimeve pensionale. Por, i gjithë debati ka karakter diametralikisht të kundërt. Debatet fokusohen në dëmin, që norma e inflacionit i shkakton vlerës reale të fondeve të pensionit, në opsionin e indeksimit të benefiteve personale apo në domosdoshmërinë, që shkallët e kontributeve të përshtaten varësisht nga norma e inflacionit. Por, as shtetet me nivelin më minimal të seriozitetit nuk diskutojnë për opsionin e rrënimit të sistemit afatgjatë, si përgjigje për një problem afatshkurtër.

Ne e kemi të qartë që mjetet e akumuluara në trust janë të qytetarëve, por vetë natyra obligative e tyre tregon që ato vihen në dispozicion jo në bazë të preferencave politike apo individuale, por në varësi të moshës së arritur.

Edhe njëherë po e ritheksoj, buxheti i Republikës së Kosovës pas gjashtë vjetëve, në vitin 2028, patjetër se është i qytetarëve të këtij vendi. Por, nuk mund ta harxhojmë atë sot për të zgjidhur problemet e sotme. Ngjashëm është edhe me trustin pensional.

Ne, mbase jemi brezi i parë, që mund të ketë pleqëri të dinjitetshme. Nëse edhe këtë e rrënojmë qysh sot për një problem afatshkurtër në situatën ku ngjallen panika të paqena, atëherë edhe brezi ynë po e humbet këtë mundësi, që e kemi ndërtuar e po e ndërtojmë të gjithë së bashku.

Prandaj, të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, nisma për mundësimin e tërheqjes së parave të trustit, nuk është e rastësishme, që ka ardhur nga një deputet i opozitës, i cili në një prononcim të tij medial, duke komentuar deklaratën brengosëse të përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka thënë përafërsisht se: “Po të donte FMN-ja do të na jepte mjete t’i shpërndanim për qytetarët dhe nuk do t’i preknim mjetet e fondit. Ka mjete aq të mjaftueshme Fondi Monetar Ndërkombëtar”. Ja pra se kush po merret me financa e makroekonomi tek ne. Është diletantizëm i jashtëzakonshëm, por pasojat e të cilit nuk kemi pse i bartim ne të tjerët, përveçse vetë ai person.

Pra, sipas tij, fakti që një fond ekziston, shërben si argument i mjaftueshëm dhe ftesë e hapur për ta zbrazur atë fond. Ka një arsye pse ekziston fondi. Fondi nuk ekziston për ta zbrazur. Ai është mbledhur për të mos u zbrazur, jo për tu zbrazur. Duhet t’i ndihmojë të gjithëve dhe ekonomisë, e jo të fusim xhepin në moshën tonë të shtyrë, në mënyrë që ta humbim pleqërinë, ta humbim moshën e shtyrë e të mos rregullojmë asgjë, ama bash asgjë në të tashmen.

Ky, të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, pra nga deputeti i opozitës, është niveli i profesionalizmit të kësja kërkese, ky është niveli i argumentimit, ky është niveli i seriozitetit dhe i përgjegjësisë, që e gjeni tek sponzorizuesit e kësaj iniciative. Dikush që sot me kaq lehtësi sugjeron tërheqje të 30% të mjeteve të trustit, të jeni të bindur se nesër do e ketë shumë të lehtë të votojë, që të njejtat të kalojnë në pronësi publike për tender asfalti. Janë të njëjtin, të cilët na kanë sjellur në këtë gjendje, e të cilët tash po dëshirojnë që edhe ato pak të mira që ekzistojnë, t’i rrënojnë.

Kjo nismë, fatkeqësisht ka bërë, që edhe deputetë nga LDK-ja e AAK-ja, të rreshtohen prapa nismëtarit, secila prej tyre mbase edhe prej premisave të ndryshme dhe arsyeve të llojllojshme, por me shpresa të njëjta. Objektivi është i njëjtë. Të gjitha këto subjekte e dinë se sa shumë e rrezikshme për ardhmërinë e vendit është lejimi i tërheqjeve të tilla. Që të gjithë këta duan dhe shpresojnë, në fakt që ky propozim të mos kalojë. Por, ama shpresojnë, që pas manipulimit të parë, ku besojnë se janë pozicionuar si mbrojtës të interesave të qytetarëve, do të kenë sukses edhe në manipulimin e dytë, atë të keqpërdorimit të disa për tensione sociale. E këtu më së shumti zell pritet t’u dalë në ndihmë edhe Lista Serbe. Nismëtari i idesë ka deklaruar se gëzojnë mbështetjen edhe të listës serbe për propozimin e tyre, e besoj që nuk duan të na bindin që kjo ndodhë qoftë për shkak të brengës së madhe të listës serbe për koston e jetesës së qytetarëve të vendit, apo për shkak se kjo masë do t’i ndihmonte mbiproporcionalisht qytetarëve të komunitetit serb.

Andaj, ne nuk kemi se si e mbështesim një nismë të tillë dhe kur e kemi kundërshtuar herën e parë tërheqjen e 10 për qind të trustit pensional, të Trustit të Kursimeve Pensionale, e kemi thënë shumë qartë, jemi kundër, sepse e dimë që hapet dera për më shumë dhe ja ku jemi sot. Janë tërhequr 10 për qind, që të tërhiqen 30 për qind dhe duan t’i tërheqin 30 për qind, që t’i tërheqin 50 për qind dhe pastaj të ngelemi me asgjë.

Shumica kanë pak, përfitojnë aspak, ndërkaq ajo pakicë, që ka shumë, edhe ajo siç ka shumë, përfiton pak, për të mos thënë aspak. Nuk ka fitues nga kjo mënyrë, veçse dëmtime për të gjithë.

Ju faleminderit dhe e ritheksoj se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e mbështetë një nismë të tillë.

Last modified: 2 Qershor, 2022

Comments are closed.

×