Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Ndihem tepër mirë me bashkëpunimin jashtëzakonisht të ngushtë me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

8 Prill, 2010

Prishtinë, 8 Prill 2010

Deklaratë e Kryeministrit të Qeverisës së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit me z. James Steinberg,  zëvendëssekretar amerikan i shtetit.  

Duke i uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, z. Steinberg e informuam për progresin e arritur në Kosovë në këto dy vite, që është një progres substancial në ndërtimin e shtetit tonë demokratik, shoqërisë shumetnike, veprimeve tona për integrimin e të gjitha komuniteteve dhe angazhimeve për implementimin e Strategjisë për veriun.

E informova z.Steinberg për riformatizimin afirmativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe zotimin tonë për rritjen e efikasitetit në qeverisjen e mirë, për sundimin e ligjit, luftën e pakompromis kundër dukurive negative, si edhe hapat në drejtim të zhvillimit ekonomik.

Kemi krijuar një klimë të përshtatshme për biznesin, për investitorët, një klimë jashtëzakonisht transparente dhe inkurajuese. Në kuadër të kësaj edhe për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare, me një investim rreth 700 milionë euro. Pastaj, për koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe të Strategjisë për sektorin energjetik, si dhe respektimin e agjendës së plotë për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, por edhe proceset tjera të privatizimit, siç është ai i PTK-së. Z. Steinberg e informova edhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që të gjitha këto procese do të jenë transparente, të hapura, në mënyrë që të kemi sukses të plotë edhe në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës në zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit tonë.

Ndihem tepër mirë me bashkëpunimin jashtëzakonisht të ngushtë të institucioneve të Kosovës me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Last modified: 8 Prill, 2010

Comments are closed.