Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Është e qartë që 2 prilli do të jetë vendimtar për marrëveshjen

28 Mars, 2013

Prishtinë, 28 mars 2013

Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Më lejoni që në fillim t’ju falënderoj, të nderuar deputetë, për mundësinë e krijuar për t’ju adresuar juve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës lidhur me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që po zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, pra, baroneshës Catherine Ashton dhe përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Jemi në fazën më të ndjeshme, më substanciale dhe njëkohësisht më të vështirë për Serbinë. E them më të vështirë për Serbinë, sepse jemi në fazën kur Serbia duhet pa kushte të shpërbëjë strukturat e sigurisë.

Është e qartë se ky është një ballafaqim jo i lehtë për ta,  sepse duhet të ballafaqohen me një problem që kanë krijuar dhe ushqyer vetë tani e 13 vite. Megjithatë, ka një pajtueshmëri edhe nga ana e Serbisë se këto struktura duhet të shpërbëhen shpejt dhe pa kushte.

Procesi i shpërbërjes së tyre do të mbikëqyrej nga një mekanizëm ndërkombëtarë, sipas të gjitha gjasave EULEX-it, KFOR-it dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ne si delegacion kemi siguruar që të gjithë ata që nuk kanë qenë të përfshirë në aktivitete kriminale, do të mund të inkuadrohen më pas në institucionet e Kosovës, pasi ti jenë shtruar një procesi  individual të verifikimit të bazuar në kualifikimet e tyre.

Qartazi, mospajtimet më të mëdha dhe arsyeja kryesore pse edhe ky raund u përmbyll pa marrëveshje, janë mospajtime lidhur me kompetencat e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Serbia insiston që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive. Serbia synon  që të themelojë në Kosovë një nivel të tretë pushteti, duke rrënuar kështu tërë infrastrukturën ligjore dhe kushtetuese që me shumë mund e kemi ndërtuar ne bashkërisht.

Më lejoni të them shuam hapur dhe qartë, një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë. Asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë diçka që do të cenonte rendin tonë kushtetues e ligjor. Nuk do të zgjidhet një problem duke krijuar një problem tjetër edhe më të madh. Nuk do të lejojmë që të riciklojë në Kosovë modelet  e shkuara të rajonit, qoftë ajo e Republika Srbska, ndonjë ndarje e Kosovës, ndonjë autonomi, ndonjë status special, ndonjë status të veçantë apo të ndonjë Ahtisari plus.

E them shumë hapur para jush, të nderuar deputetë, qytetarë të Republikës së Kosovës, ne nuk kemi asnjë lloj presioni nga askush, sidomos nga partnerët tanë ndërkombëtarë që të pranojmë diçka të tillë.

Presioni tani është në Beograd. Ata  duhet të ndërrojnë qasjen e tyre ndaj Kosovës, ata duhet ët fillojnë të sillen ën mënyrë evropiane në raport me Kosovën.

Të nderuar deputetë,

Takimi që zgjati për më shumë se 12 orë, u mbyll pa marrëveshje, pikërisht pse Serbia nuk ishte në gjendje që të pranonte ofertën që ishte në tavolinë.

Dua të falënderoj, në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës baroneshën Ashton për ndërmjetësimin  shkëlqyer  të takimit  dhe për qëndrimin e saj parimor.

Takimi i radhës është caktuar për datën 2 prill dhe Kosova shkon në Bruksel e gatshme për marrëveshje.

Marrëveshja do të përfshinte jo vetëm çështjen e asociacionit  dhe shpërbërjes pa kusht të strukturave paralele, por edhe çështje të tjera shumë të ndjeshme si ajo e personave të pagjetur, e komunikacionit, energjetikës dhe çështje të tjera.

Pjesë integrale e marrëveshjes do të jetë edhe plani implementues, menaxhim të definuar qartë, për çka Kosova është e përgatitur.

Marrëveshjen eventuale nuk do t’ia lëmë vetëm vullnetit të mirë. Kosova dhe partnerët e saj duan të shohin implementim të saj të menjëhershëm.

Në këtë drejtim, si delegacion i Kosovës kemi pas një takim shumë produktive sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Rasmusen, nga i cili morën zotimin se në rast marrëveshjeje, KFOR-i do të marrë rolin në kuadër të mandatit që ka për të siguruar dhe ndihmuar implementimin.

Ne me të drejt presim që në të ardhmen e afërt, pas normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, edhe KS e OKB-së të përgatisë dhe miratojë një rezolutë të re, e cila do të bëjë Kosovën anëtare të barabartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si një shtet paqedashës dhe i gatshëm të respektojë rendin dhe përgjegjësitë ndërkombëtare.

Sot, shteti i Kosovës ka forcuar subjektivitetin ndërkombëtar.

Është e qartë që 2 prilli do të jetë vendimtar për marrëveshjen.

Po e përsëris, ne jemi shumë komod në atë që është në tavolinë, sepse çdo gjë që është aty, është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet dhe Pakon e presidentit Ahtisari dhe me standardet më të larta evropiane.

Ne shkojmë në Bruksel të gatshëm për të përmbyllur këtë kapitull dhe për të vendosur që të hapim një etapë të re për Kosovën dhe rajonin në paqe dhe bashkëpunim.

Për këtë kemi mbështetjen e pafund të mikut dhe partnerit tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë takimit jashtëzakonisht miqësor që pata me zëvendëspresidentin Biden javën e shkuar në Romë gjatë inaugurimit të papës së ri, morëm mbështetjen e tij të plotë për këtë proces.

Në të njëjtën kohë, dua të theksoje se gjatë kësaj  periudhe, në dhjetëditëshin e fundit, gjatë inaugurimit të papës së ri, Vatikani, për herë të parë Selia e Shenjtë ka ftuar delegacionin e Kosovës si delegacion i vendit të pavarur dhe sovran me tretman dhe protokoll të shtetit të pavarur dhe sovran, bile të trajtuar në mënyrë afirmative.

Po ashtu, zëvendëspresidenti i SHBA-së, z. Biden, na siguroi edhe njëherë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të mbështesin asnjëherë asnjë proces dhe asnjë zgjedhje që do të dëmtonte shtetësinë tonë.

Shteti ynë i ri është rezultat i  sakrificës sonë shekullore, por edhe i partneritetit  tonë shumë të fuqishëm me SHBA-të, vendet e Bashkimit Evropian dhe NATO-n.

Për këtë arsye ne shkojmë në Bruksel, të nderuar deputetë, qytetarë të Republikës së Kosovës, me vetëbesim dhe pa frik.

I kuptoj edhe shqetësimet, por ju lus që të jemi të gjithë të përgjegjshëm. Mos të ndjellim panik  e frik, sepse nuk ka arsye për këto. Prandaj, besoni më shumë Uashingtonit, Berlinit e Londrës  e më pak asaj që trumbetohet në mediumet e Beogradit.

Besoni në ne, besoni në vetvete. Marrëveshja përfundimtare vulën do ta marrë në këtë Parlament dhe ajo që ju garantoj, është se kjo marrëveshje do të jetë në dobi të Kosovës dhe të ardhmes së saj euroatlantike.

Last modified: 14 Maj, 2022

Comments are closed.