Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Serbia do të detyrohet të pranojë shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave ilegale të sigurisë në veri të Kosovës

6 Mars, 2013

Prishtinë, 6 mars 2013

Nën drejtimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është mbajtur mbledhja e 118-të me radhë e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në fillim, kryeministri Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me takimin e gjashtë me radhë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Gjeni më poshtë të plotë fjalën e kryeministrit në fillim të mbledhjes:

Të nderuar zëvendëskryeministra

Të nderuar ministra

Kabinet qeveritar

Më lejoni që fillimisht të bëjë një prezantimit të takimit të gjashtë që kemi zhvilluar në Bruksel, mes dy kryeministrave, të Kosovës dhe atij të Serbisë, nën udhëheqjen e baroneshës Ashton dhe me mbështetjen e plotë të SHBA-së.

Përsëri mund të them se ka qenë një takim ku janë diskutuar çështje që janë diskutuar edhe në takimet e mëhershme, me një koncentrim në çështjet edhe më konkrete edhe substanciale.

Por, ajo që është jashtëzakonisht me rëndësi, është që definitivisht jemi duke shkuar drejt arritjes së marrëveshjes me Bashkimin Evropian, dhe  Serbia, gjithashtu do të detyrohet të pranojë shpërbërjen e plotë të gjitha strukturave ilegale të sigurisë në veri të Kosovës; ndalimin e plotë të këtyre strukturave nga Serbia; largimin e çdo elementi serb prezent aty, të shtetit të Serbisë.

Gjithashtu, jemi duke lëvizur drejt dakordimit të plotë të sistemit të drejtësisë edhe në veri të Kosovës sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, do të bëhet edhe adaptimi i strukturave të edukimit, sistemit të shëndetësisë, të shërbimit civil. Po ashtu kemi diskutuar edhe për mundësinë e formimit të një asociacioni të ri të komunave në Kosovë, të komunave me shumicë serbe, me qytetarë serbë, por gjithmonë duke respektuar në plotëni Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, dokumentin e presidentit Ahtisari dhe ky mekanizëm ta ketë edhe rregulloren e vetë të punës, që është në përputhshmëri edhe me rregulloren e asociacioneve tjera në Republikën e Kosovës.

Bashkëngjitja apo largimi prej një mekanizmi të tillë në ndonjë komunë të veçantë, është krejt në baza vullnetare. Ky mekanizëm në asnjë rrethanë nuk do të ketë karakter apo mandat as legjislativ as ekzekutiv apo të ndonjë pushteti të mesëm apo të ndonjë pushteti të tretë. Në të njëjtën kohë, fillimisht do të mbahen zgjedhje të lira në veri në katër komuna; do të zgjidhen liderët në bazë të vullnetit nga qytetarët dhe më pas ata kryetarë do të mblidhen dhe do ta formojnë atë asociacion koordinues, konsultativ, në kuptimin e komunave, për të shkëmbyer përvojat për mirëqeverisjen.

Takimi tjetër do të mbahet më 20 mars, ndërsa pres që në ditët e ardhshme Kosovën ta vizitojë baronesha Ashton dhe do të kemi biseda të tjera këtu në Prishtinë, si institucione të Republikës së Kosovës, si lidership i Kosovës.

Falënderoj baroneshën Ashton për udhëheqjen në këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, por edhe mbështetjen konkrete dhe të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë kohës sa kemi qëndruar në Bruksel, jemi takuar edhe me z.Reeker dhe kemi shkëmbyer idetë rreth avancimit të këtij procesi dhe arritjes së një marrëveshje përfundimtare për normalizimit e marrëdhënieve mes dy shteteve tona, por edhe për mundësitë për një fqinjësi më të mirë, për raporte evropiane, në të njëjtën kohë sesi Kosova të lëvizë më mirë drejt integrimit në NATO, BE dhe OKB.

Sot, ju kemi drejtuar edhe Parlamentit të Kosovës me një kërkesë për të raportuar dhe informuar në Kuvendin e Kosovës, nesër apo pasnesër, varësisht agjendës që do ta ketë Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mënyrë që ky proces të ketë prezent transparencën tonë para qytetarëve dhe skenës politike.

Dëshiroj të falënderoj gjithë spektrin politik botërisht, që mbështesin këtë proces dhe besimin e durimin që po tregojnë, sepse jam i vetëdijshëm se është një proces jo i lehtë, është paksa edhe i komplikuar dhe kompleks, por me bindje të plotë që në të ardhmen e afërt do të kemi normalizimin e plotë të gjendjes edhe në veri, funksionalizimin e plotë të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës dhe natyrisht mbështetjen e plotë të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë për implementimin e marrëveshjes eventuale për zhbërjen e të gjitha strukturave ilegale në veri, për funksionalizmin e plotë të sistemit të drejtësisë sipas ligjeve të Kosovës, organizimin e zgjedhjeve të lira sipas ligjeve të Kosovës me mbështetjen e plotë të OSBE-së, me kërkesën e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe certifikimin e rezultatit nga KQZ-ja.

Prandaj, dua të besoj se me një koordinim që do të vazhdojë edhe në të ardhmen mes institucioneve të vendit, gjithë spektrit politik kosovarë, shoqërisë civile, medieve, do të kemi një informim të drejt, transparencë të plotë, koordinim dhe sukses të përbashkët.

Ka pasur deklarata të ndryshme, skeptike, por mund t’iu them se në asnjë rrethanë, as që është duke kërkuar dikush nga ne, që të shkelet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. Prandaj, zërat skeptikë për republikë serbe, autonomi të serbëve, status special, ndarje të Kosovës, Ahtisari plus, thjesht janë opinione të prezantuara në shtypin e verdhë të Beogradit  dhe që prezantohen aty këtu si zëra të dështuar. Kështu që, gjërat e tilla as ka ngritur dikush në takim, as që do të tolerojmë t’i ngris dikush, e lëre më që do të përfshihen në marrëveshje apo do të mund të implementohen në territorin e Republikës së Kosovës.

Unë e kuptoj edhe të mos qenit i informuar, por mendoj se informimi ka qenë maksimal, me transparencë të plotë si kurrë ndonjëherë në ndonjë proces të dialogut që kemi zhvilluar, që nga Rambujeja, Vjena dhe deri më sot. Në veçanti ndonjë zë skeptik, e ftoj që të lexoj me kujdes Kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës, dokumentin e presidentit Ahtisari dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, e në veçanti kolegët e mi që kemi qenë së bashku në procesin në Rambuje por para së gjithash në Vjenë, pavarësisht nga pozicionet aktuale politike institucionale në Qeveri, opozitë, shoqëri civile apo në media.

Historinë nuk mund ta kthejmë prapa, ato dokumente i kemi, janë funksionale. E di që nuk janë as Bibël as Kuran, por punojmë me to dhe përderisa punojmë me to, derisa kanë fuqinë e plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ne do t’i respektojmë në tërësi.

****************************

Duke pasur parasysh që edukimi superior është një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës,  është marrë vendim për themelimin e Universiteteve Publike në Mitrovicë, Gjakovë dhe Gjilan. Këto vendime do t’i dërgohen Kuvendit të Kosovës për aprovim përfundimtar.

Në mbledhje është miratuar edhe projekt-rregullorja për procedurat dhe kriteret e kompensimit të ish të dënuarve politikë, me të cilën përcaktohen organet kompetente vendimmarrëse për menaxhimin e programit të kompensimit të ish të dënuarve politikë  dhe kriteret për përfitim nga ky program.

Poashtu, në mbledhje kabineti ka miratuar projekt strategjinë kosovare për rini 2013-2017 dhe Planin e Veprimit 2013-2015, që ka për synim përmirësimin e situatës së të rinjve të grup-moshës 15  deri 24 vjet, duke përfshirë të gjitha institucionet përkatëse qeveritare dhe joqeveritare.

Është marrë vendim për shpronësim për interes publik, të pronarëve të pronave të paluajtshme  dhe zotëruesve të interesit, të cilat ndodhen në  Zonat Kadastrale  të Komunës së Gjakovës, dhe të  cilat preken nga ndërtimi i shtyllave elektrike dhe vendosja e stabilimenteve për zgjerim të rrjetit energjetik në dobi të KOSTT.

Kabineti qeveritar ka marrë vendim për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit nr 15/108 të datës 14 dhjetor 2012, në të cilën pika 1.3 e vendimit zëvendësohet me këtë tekst:  pagesa e Koordinatorit është e barabartë me atë të zëvendësministrit.

Last modified: 14 Maj, 2022

Comments are closed.