Prishtinë, 5 mars 2013
Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në manifestimin e organizuar me rastin e shënimit të 15 vjetorit të Epopesë së UÇK-së
E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, zonja Jahjaga
I nderuari kryeparlamentar Krasniqi
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra
Deputetë të nderuar
Nënoficerë dhe oficerë të FSK-së
E nderuara familje Jashari
Të nderuara familje të dëshmorëve
Të nderuar përfaqësues të shteteve tjera, të bashkësisë ndërkombëtare
I nderuari ambasador i Shqipërisë
Të nderuar përfaqësues të shtetit dhe politikës shqiptare
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës
Zonja dhe zotërinj
Sot me rreshtimin dhe parakalimin e trupave të FSK-së po fillon shënimi i 15 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot kur shteti i Kosovës shënoi pesë vjetorin e pavarësisë, sot kur institucionet më të larta shtetërore të Kosovës po nderojnë njërën nga ngjarjet më të ndritura dhe heroike të historisë sonë të re, sot kur Kosova është njohur nga rreth 100 shtete, sot Kosova e lirë dhe sovrane, po nderon heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari, sakrificën e familjes Jashari, dhe të të gjithë të rënëve dhe dëshmorëve në altarin e lirisë.
Prandaj, sot jemi mbledhur këtu të bashkuar të gjithë, përfaqësues të institucioneve, ekzekutivit, legjislativit, kryetarë të partie politike, të komunave, të gjithë bashkë për të nderuar këtë përvjetor të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare.
Pesëmbëdhjetë vjet më parë, me një çmim të lartë jetësh e përpjekjesh, Kosova po ndërronte rrjedhat e historisë.
Po hapej fuqizimi i kapitullit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kapitulli i rrugës drejt fitores dhe lirisë së vendit tonë. Një ëndërr shekullore po kthehej gradualisht në realitet.
Përmasat e këtij flijimi legjendar e zgjuan ndërgjegjen e botës demokratike. Gatishmëria për fitoren e lirisë e zgjoi një komb të tërë.
Gjithë shqiptarët janë çlirimtarë. Të gjithë u bashkuan me frymën dhe filozofinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
UÇK-ja bashkoi të gjithë, kudo që ishin, qytetarët shqiptarë, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Preshevë, në Mal të Zi e diasporë, kudo, prandaj sot të gjithë përulemi për sakrificën e qytetarëve shqiptarë për lirinë e Kosovës.
UÇK-ja u bë zëri autentik i vullnetit të qytetarëve tanë. Prandaj, të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim, u radhitën nga zëri i historisë. U radhitën me vizionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë vizion të lirisë, humanizmin dhe demokracisë, e mbështeti edhe bota e përparuar. E mbështetin shtetet e demokracisë perëndimore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian, aleanca më e fuqishme ushtarake e botës, NATO.
Me luftën e drejtë, vendosmërinë heroike dhe mbështetjen ndërkombëtare, Kosova realizoi ëndrrën më të lartë të saj, lirinë. Në themelet e kësaj ëndrre qëndron mundi dhe djersa e qytetarëve tanë, e mbi të gjitha gjaku dhe sakrifica e dëshmorëve të lirisë.
Prandaj me respekt për jetë përulemi para sakrificës së dëshmorëve të lirisë.
Zonja dhe zotërinj
Pesëmbëdhjetë vjet pas Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne kemi shënuar të arritura të pamohueshme, ndonëse kemi ende shumë për të bërë.
Kosova me sukses ka kaluar periudhën e tranzicionit, duke vënë bazat e një shoqërie të lirë dhe demokratike. Kosova është tregim i suksesshëm i shtetëndërtimit, fqinjësisë së mirë dhe kultivimit të marrëdhënieve të mira ndëretnike.
Kosova, duke pasur një të kaluar të rëndë, çmon dhe vlerëson lartë paqen, lirinë, barazinë, dhe jetën e përbashkët brenda por edhe në rajon.
Kosova duke zhvilluar institucione demokratike, është model i funksionimit të demokracisë së re.
Kosova sot funksionon pa mbikëqyrjen ndërkombëtare. Çdo ditë e më shumë po përmbush parakushtet për t’u bërë pjesë e institucioneve euroatlantike, e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Dëshmi e përkushtimit tonë institucional për perspektivën tonë euroatlantike, jeni vetë ju, të nderuar pjesëtarë të FSK-së, që me profesionalizmin tuaj, bëni që të jemi krenarë.
Me ju janë krenarë qytetarët tanë, me ju është krenarë shteti i Kosovës. Me ju janë krenarë miqtë tanë ndërkombëtarë. Përkushtimi dhe përparimi i Kosovës është objektivi ynë strategjik dhe historik. Përkushtimi për përparimin e Kosovës është respekti më i lartë për të rënët në themelet e lirisë së vendit tonë.
Lavdi dëshmorëve të lirisë!
Last modified: 14 Maj, 2022