Prishtinë, 21 Mars 2010
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është kthyer sot pas dite nga vizita zyrtare në Slloveni, ku ka marrë pjesë në Konferencën e liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Bërdo afër Kranjit.
Në një konferencë për media në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, kryeministri Thaçi ka vlerësuar takimin në Bërdo si jashtëzakonisht të suksesshëm për Republikën e Kosovës, për përfaqësimin e saj të barabartë, për prezantimin e vizionit për bashkëpunim rajonal dhe integrime në BE dhe NATO.
Kryeministri Thaçi ka pohuar se gjatë takimit të Bërdos ka pasur edhe shumë takime bilaterale me liderët e rajonit.
“Deklarata e përbashkët nga ky takim ishte një zotim për të ndihmuar secili shtet secilin por edhe shpreh nevojën për të njohur njëri tjetrin si shtete si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërshtetëror “,theksoi z. Thaçi duke shtuar se në ditët e ardhshme gjërat do të lëvizin më shpejt, do të rritet bashkëpunimi dhe i tërë Ballkani Perëndimor një ditë do të integrohet në BE dhe në strukturat e NATO-s.
Last modified: 21 Mars, 2010