Prishtinë, 19 shkurt 2013
Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën për media pas takimit me Presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Durao Barroso
Sot, vetëm dy ditë pas festës së 5 – vjetorit të pavarësisë së Kosovës, pata kënaqësinë të takohem me presidentin e Komisionit Evropian, z.Barroso.
Ju falënderoj për mbështetjen që i keni dhënë Kosovës dhe gjithë rajonit ne perspektivën evropiane.
Kosova në këto 5 vite shtetësi, ka shënuar progres të gjithanshëm në ndërtimin e institucioneve dhe infrastrukturës ligjore, në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe në rritjen e saj ekonomike, por në veçanti në rrugën e saj evropiane.
Kosova si një vend i ri, demokratik, shumetnik, ka perspektivë të sigurt evropiane, euroatlantike.
Nuk ka dyshim që e kaluara e hidhur, luftërat e përgjakshme dhe shtypja që ka zgjatur me dekada, ka lënë shumë plagë dhe shumë sfida në Kosovë, por edhe në rajon.
Jemi të vëmendshëm se duhet të bëjmë më shumë në rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet.
Ne do të vazhdojmë bashkërisht me institucionet evropiane, që janë prezentë në Kosovë, bashkëpunimin e ngushtë me EULEX-in, në mënyrë që të implementojmë në veçanti kriterin e sundimit të ligjit dhe vazhdimin e betejës kundër fenomeneve negative, korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha fenomeneve tjera negative.
Po ashtu, jam shumë i vetëdijshëm se si lidership kemi përgjegjësi për gjeneratat që do të vijnë pas dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane.
Do të takohemi si dy kryeministra të dy vendeve tona për të diskutuar hapat tonë të mëtutjeshëm me shpresë dhe optimizëm për arritjen e marrëveshjeve të reja, për t’i implementuar dhe natyrisht për të normalizuar në tërësi raportet Kosovë-Serbi, që do të nënkuptonte edhe evropianizimin e gjithë rajonit tonë.
E sigurova presidentin Barroso se Kosova është e gatshme që të punojë në mënyrë kreative dhe të përgjegjshme në këtë proces.
Kosova dhe qytetarët e saj po presin me padurim përfshirjen e drejtpërdrejt dhe konkrete të Kosovës në proceset euroatlantike.
Në këtë drejtim, duke parë edhe kontekstin historik dhe politik, jo për faj të saj, Kosova ka mbetur vonë në këtë proces, sepse është e fundit që ka fituar lirinë dhe e fundit që është pavarësuar në rajon.
Tani nuk kemi kohë për të humbur. Brukseli nuk duhet vonuar. Qytetarët e Kosovës janë duke pritur me padurim që të lëvizin drejt proceseve integruese, në veçanti në procesin e lëvizjes së lirë, që tani është më tepër si pengesë politike sesa teknike, por Kosova do të punojë që t’i kryej obligimet dhe do t’i zbatojë të gjitha kriteret demokratike në kohë rekorde.
I nderuari president Barroso,
Ju falënderoj shumë për angazhimin dhe përkushtimin tuaj personal. Nën udhëheqjen dhe mbështetjen tuaj edhe Kosova do t’i kryej obligimet e veta karshi perspektivës evropiane, pra ndërtimin e Kosovës si atdhe të të gjithë qytetarëve të saj, shqiptarëve, serbëve, malazezëve, turqve, boshnjakëve dhe gjithë komuniteteve që janë në Kosovë.
Ndërsa, Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Durao Barroso, në konferencën e përbashkët për media, pas takimit me Kryeministrin Thaçi ka theksuar:
Më lejoni që të filloj duke i dëshiruar mirëseardhje kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi në Bruksel.
Vizita e kryeministrit Thaçi është dëshmi se Kosova po realizon perspektivën e saj evropiane, dhe se është duke u angazhuar në mënyrë konstruktive në çështjet kryesore që do të determinojnë të ardhmen evropiane dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të saj.
Dua të them se Kosova po bën progres hap pas hapi. Gjatë diskutimeve të hapura dhe shumë të mira që kemi pasur sot, e kam theksuar se tani është momenti që të bëhet një progres dhe të përshpejtohen reformat e kërkuara.
Ky mund të jetë një vit shumë i rëndësishëm për marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Siç ka thënë edhe Këshilli, 2013-ta do të mund të jetë viti vendosjes për nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, në qoftë se arrihet progresi i kërkuar.
Ky është një vit i rëndësishëm, por edhe kjo javë është shumë e rëndësishme. Ne po presim takimin e kryeministrit Thaçi me kryeministrin Daçiq në raundin pestë të dialogut. Shpresoj se ky takim do të vazhdoj në frymë konstruktive, siç ka qenë edhe rasti në takimet e fundit.
Rezultatet e këtij dialogu janë shumë të rëndësishme për marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me të dyja vendet, Kosovën dhe Serbinë.
I uroj kryeministrit që të ketë kurajo dhe maturi në ditët në vijim. Ai ka një mundësi në duart e veta për të bërë hapa të mëdhenj për fazën e ardhshme në të ardhmen evropiane të Kosovës.
Ne poashtu kemi diskutuar edhe progresin e Kosovës sa i përket Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim.
Komisioni Evropian është shumë i angazhuar që të jap udhëzimet e duhura në këtë pranverë, për këtë marrëveshje me Kosovën , në mënyrë që Kosova të përmbush prioritetet e mbetura që janë identifikuar në Studimin e Fizibilitetit, që është bërë vitin e kaluar.
Një progres substancial është arritur tashmë, dhe atë në reformën e administratës publike, mbrojtjen e minoriteteve, dhe në sundimin e ligjit.
E kuptojmë që Kosova është e angazhuar që këto çështje të adresohen plotësisht deri në mesin e marsit, muajin e ardhshëm.
Poashtu kemi diskutuar edhe për çështjen e vizave, që është brengë e madhe për shumë kënd në Kosovë. Komisioni ka bërë javën e kaluar raportin e saj për Kosovën në rrugën e saj për liberalizimin e vizave.
Ne jemi të kënaqur me përparimin që është bërë në legjislacion. Por Kosova duhet të bëjë më shumë në zbatimin e ligjeve, dhe ne kemi bërë rekomandime të detajuara për këtë çështje.
Këto rekomandime janë bërë për t’iu ndihmuar, dhe ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Kosovën për këtë çështje gjatë muajve të ardhshëm.
Në përfundim, me sugjerimin tonë, Këshilli ka vënë një agjendë ambicioze për marrëdhëniet e BE-së me Kosovën.
Kjo javë dhe muajt në vijim do të jenë kritike në realizimin e këtyre synimeve të agjendës evropiane.
Kryeministër, jam i bindur se ju do të vazhdoni të tregoni lidership dhe vizion për t’i shfrytëzuar këto mundësi.
Last modified: 14 Maj, 2022