Zyra e Kryeministrit

Mbi 100 milionë euro mbështetje për qytetarët

12 Prill, 2022

Prishtinë, 12 prill 2022

Kryeministri Kurti dhe Ministri Murati në konferencën e mbajtur sot për shtyp kanë prezantuar masat e reja mbështetëse në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Vlera totale e këtyre masave është mbi 100 milionë euro dhe nga këto masa e kjo shumë do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose praktikisht secila familje e Kosovës.

Në një periudhë ku ekonomitë familjare po përballen me vështirësi, këto masa synojnë zbutjen e barrës financiare të këtyre ditëve duke ofruar mbështetje për pothuajse secilën familje në vend.

Gjatë fjalës së tij në konferencë, Kryeministri Kurti pasi njoftoi lidhur me mbarëvajtjen e deritanishme të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, u shpreh se “për asnjë çast nuk u shpërqendruam nga përkushtimi ynë për t’i dalë në krah qytetarëve, e më së shumti atyre që më së shumti kanë në nevojë. Prandaj, sot po prezantojmë masat e reja në kuadër të Pakos të cilat kanë për qëllim shtimin e mbështetjes ndaj qytetarëve.’”

Këto masa mbështetese përfshijnë: dyfishim të asistencës sociale për muajin prill, 100 euro shtesë për të gjithë pensionmarrësit për muajin prill, 100 euro për 300 mijë punetorët e sektorit privat, 100 euro për 80 mijë punëtoret e sektorit publik, 100 euro për 80 mijë studentët.

Për shtresat më të cenueshme të shoqërisë, veçse kemi filluar zbatimin e programit për shpërndarjen e mbi 40 mijë pakove ushqimore. Ndërkaq, do të vazhdojmë mbështetjen për ofrimin e shujtave përmes kuzhinave popullore, tha kryeministri Kurti.

Ministri Murati bëri të ditur se zbatimi i masave mbështetëse do të filloj nga kjo javë, përkatësisht me ndarjen e shtesave për pensione në fund të kësaj jave. Sa i përket shtesave të sektorit privat, Ministri Murati theksoi se shumë shpejt Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të dalë me njoftim lidhur me procedurën e aplikimit për këto masa.

Gjithashtu, gjatë konferencës kryeministri bëri të ditur se në mbledhjen e nesërme të Qeverisë do të dërgohet për miratim projektligji që do t’i hapë rrugë rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto, si dhe heqjes së tatimit për 250 euro pagë. Nga rritja e pagës minimale, do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë të Kosovës, kurse prej heqjes së shkallës së parë tatimore, do të përfitojnë të gjithë punëtorët.

Ministri Murati u bëri thirrje qytetarëve që të blejnë produkte vendore dhe të kërkojnë kuponët fiskal për produktet dhe shërbimet e paguara, në mënyrë që të ndihmojnë prodhuesit vendor dhe t’i kontribojnë rritjes së mirëqënies.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Të nderuar qytetarë,
Të nderuara medie,

Si Qeveri e Republikës së Kosovës nga muaji korrik i vitit 2021 e deri më sot kemi prezantuar e zbatuar vazhdimisht masa, në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike, e cila në qendër kishte qytetarin dhe ekonominë e vendit.

Patëm filluar me shpërndarjen e shtesave për lehona dhe shtesave për fëmijë. Deri më tani kemi 13 mijë e 285 lehona dhe 146 mijë e 279 fëmijë, që përfitojnë nga këto shtesa. Mbështetëm me 1500 euro ata që kanë humbur familjarin nga virusi COVID-19, e kur familjari ishte staf shëndetësor, mbështetja arrinte vlerën prej 10 mijë euro. Nga kjo masë përfituan 2901 familje.

Pensionin bazik e rritëm për 11 për qind, kurse atë për personat me aftësi të kufizuar për 33 për qind. Madje, në muajin nëntor të vitit të 2021 ndamë edhe 100 euro shtesë mbi këtë rritje. Nga kjo mbështetje përfituan rreth 300 mijë pensionmarrës. Asistencën sociale, prej së cilës përfitojnë 25 mijë familje, e kemi rritur për 30 për qind, e në muajin nëntor dhe dhjetor të vitit 2021, e kemi dyfishuar vlerën e saj, mbi rritjen, të cilën e kishim bërë.
Gjithashtu, për shtresat e cenueshme të shoqërisë, ndamë 10 mijë e 500 kuponë ushqimorë e mbi 200 mijë shujta përmes 13 kuzhinave popullore.

Deri më sot, në kuadër të pakos, ndamë mbi 300 milionë euro për mbi 740 mijë përfitues.

Për asnjë çast nuk u shpërqendruam nga përkushtimi ynë për t’i dalë në krah qytetarëve, më së shumti atyre, të cilët kanë më së shumti nevojë.

Prandaj, sot po prezantojmë masat e reja në kuadër të pakos, të cilët kanë për qëllim shtimin e mbështetjes për qytetarët.

Kështu, për muajin prill, do ta dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet, që përfitojnë nga kjo asistencë.

Pensionistëve do t’ua ndajmë nga 100 euro shtesë për muajin prill. Nga kjo mbështetje do të përfitojnë të gjithë ata që marrin pension bazik, pension kontributpagues, pension për aftësi të kufizuar, pension të veteranit e kështu me radhë.

Për herë të parë do të mbështesim me shumë të njëhershme prej 100 euro të gjithë punëtorët e sektorit privat, pra rreth 300 mijë punonjës, e në kuadër të kësaj mbështetjeje për të punësuarit, do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publik.
Pra, po ndajmë nga 100 euro për të gjithë punëtorët, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik.
Për herë të parë, po ashtu të gjithë studentët e Republikës do t’i përkrahim me një shumë të njëhershme prej 100 euro. Nga kjo mbështetje do të përfitojnë rreth 80 mijë studentë.

Për shtresat më të cenueshme të shoqërisë, veçse kemi filluar zbatimin e programit për shpërndarjen e mbi 40 mijë pakove ushqimore. Ndërkaq, do të vazhdojmë mbështetjen për ofrimin e shujtave përmes kuzhinave popullore.

Vlera totale e të gjitha këtyre masave është mbi 100 milionë euro dhe nga këto masa e kjo shumë do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose praktikisht secila familje e Kosovës.

Përveç kësaj, në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, e cila do të mbahet nesër, do të miratojmë Projektligjin, që do t’i hapë rrugë rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto dhe heqjen e tatimit për 250 euro pagë.

Pra, edhe do ta rrisim pagën minimale edhe do ta lirojmë nga tatimi.

Fiks, siç kishim premtuar, e siç shkruan në faqen 11 të Programit Zgjedhor e faqen 8 të Programit Qeverisës.

Kështu, sigurohemi, që ata që kanë paga më të ulëta, do të kenë më shumë para në fund të muajit.

Nga rritja e pagës minimale, do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë të Kosovës, kurse prej heqjes së shkallës së parë tatimore, do të përfitojnë të gjithë punëtorët.

Tani, në lidhje me kriteret e këtyre masave dhe mënyrën e përfitimit prej tyre, e hollësi të tjera, ia kaloj fjalën ministrit tonë të Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati.

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.

×