Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti takoi kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski

8 Prill, 2022

Delfi, Greqi, 8 prill 2022

Raportet e mira ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, avancimi i mëtejmë i tyre dhe i fqinjësisë së mirë, u diskutuan në takimin, që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në margjina të Forumit Ekonomik në Delfi.

Kryeministri Kurti tha se bashkëpunimi bilateral dhe rajonal është gjithmonë i rëndësishëm dhe se Republika e Kosovës mbetet e angazhuar për ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejmë të raporteve të mira me fqinjët dhe aleatët e saj.

Marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve kanë avancuar me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive dhe nënshkrimin e 11 marrëveshjeve bilaterale vitin e kaluar, që e ngritën në 50 numrin e marrëveshjeve. Dy kryeministrat folën edhe për nivelin e zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Në takim u diskutua edhe për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, për koordinimin e politikave në fushën e sigurisë, atë të mbrojtjes dhe politikës së jashtme.

U theksua përkushtimi i dy vendeve në synimin e përbashkët për integrim në Bashkimin Evropian dhe në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon. Rëndësi e posaçme ju kushtua parandalimit të ndikimit të akterëve të jashtëm destabilizues në Ballkanin Perëndimor, në radhë të parë të Federatës Ruse, pas invazionit dhe agresionit ushtarak në Ukrainë.

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.

×