Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi zhvillon takimin e dytë sektorial rreth Agjendës për Reforma Evropiane, me fokus në mbrojtjen e mjedisit

27 Prill, 2022

Prishtinë, 27 prill 2022

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendësministrja e Ministrisë Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës znj. Linda Çavdarbasha hapën takimin e dytë sektorial me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit të bizneseve në kuadër të dialogut të rregullt për vlerësimin e zbatimit të Planit të Veprimit për Agjendën e Reformave Evropiane, (PV ERA II).

Ky takim ishte i fokusuar në diskutimin rreth kornizës ligjore për mbrojtjen e mjedisit dhe strategjive sektoriale. Nga ana e pjesëmarrësve u ngrit nevoja e trajtimit të planifikimit hapësinor, duke përfshirë menaxhimin e ndotjes nga plastika, riciklimi dhe ripërdorimi, transparenca që lidhet me investimet e operatorëve ekonomikë, rritja e inspektorëve mjedisorë, përfshirja e qytetarëve në konsultime publike si dhe mbrojtja e lumenjve. Gjithashtu u trajtua Hartimi i Strategjisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, Hartimi i Strategjisë për dekarbonizim si dhe Plani i Veprimit për zbatimin e Strategjisë Shtetërore të Ujërave.

Në agjendën e diskutimeve ishte dhe draft ligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis si dhe diskutimi mbi planet e menaxhimit për projekte të ndryshme të cilat janë në fazat e para komplementuese të zhvillimit të tyre. Hapat që i ndërmarrim janë të mbështetura në qëllime dhe objektiva të qarta, për të garantuar mbarëvajtjen në përpilimin dhe implementimin e mëtejshëm të zbatimit të politikave në: fushën e mbrojtjes së ajrit nga ndotja, menaxhimit të mbeturinave, mbrojtjes nga zhurma, resurseve ujore, biodiversitetit dhe ndryshimeve klimatike.

Ky takim ishte i frytshëm në kuadër të partneritetit mes institucioneve qendrore dhe shoqërisë civile e komunitetit të bizneseve për të ushqyer diskutimet publike, shkëmbimin e ideve, informimin e tyre dhe përfshirjen në hapat e ndërmarra në kuadër të këtij procesi. Gjithashtu u pa i domosdoshëm diskutimi në tema më të fokusuara, për të cilat MMPHI ftoi organizatat për bashkëpunim dhe takime bilaterale. Angazhimi dhe kontributi i shoqërisë civile dhe qytetarëve është gjithmonë i mirëseardhur dhe në shërbim të forcimit të këtij partneriteti.

Last modified: 13 Maj, 2022

Comments are closed.

×