Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Jam krenar me rrugën të cilën e kishim nisur, të cilën e ndërtuam dhe të cilën duhet ta finalizojmë bashkërisht

2 Nëntor, 2010

Fjalim i kryeministrit Hashim Thaçi në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës
 

Prishtinë, 2 nëntor 2010
 

I nderuari kryetar i parlamentit dhe u.d. i presidentit të Republikës së Kosovës, z. Krasniqi;
I nderuar Zëvendëskryeministër, ministra, kabinet qeveritar
Të nderuar deputetë;
Të nderuar mysafirë
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës;
Zonja dhe zotërinj;
 
 
Sot jemi mbledhur përsëri këtu në Parlamentin e Kosovës, ne, të zgjedhurit e popullit të Kosovës në një moment të veçantë.
 

Të nderuar deputetë, po e quaj moment të veçantë sepse ky është edhe një test tjetër i rëndësishëm për shtetin tonë të ri.
 

Shteti ynë ka disa javë që është zhytur në një krizë politike dhe institucionale, por po përballemi me test të demokracisë në shtetin tonë të ri.
 

Këtë sfidë nuk mund ta anashkalojmë më tutje dhe duhet ët jemi shumë të përgjegjshëm, prandaj është e domosdoshme që të përballemi më të dhe ta tejkalojmë bashkërisht, shpejt.
 

Të gjithë në këtë parlament jemi betuar se do ta respektojmë Kushtetutën.
 

Të gjithë ne jemi zotuar që do ta vëmë interesin shtetëror para interesave partiake apo politike.
 

Sot, të gjithë ne, jemi të thirrur ta vëmë në praktikë betimin që kemi dhënë.
 

Vota e juaj sot, të nderuar deputetë, është vendim i ri për shtetin e Kosovës, për ta vërtetuar përkushtimin tonë për demokraci dhe liri.
 

Vendimi juaj sot do ta forcojë dhe konsolidojë edhe më shumë shtetin tonë dhe demokracinë
 

Demokracia dhe liria janë vlerat më shenjta për të cilat kemi luftuar aq shumë dhe të cilat janë paguar me sakrificën e të gjithë atyre që kanë ëndërruar për një Kosovë të lirë dhe të pavarur, pra sakrificën e gjithë qytetarëve të Kosovës.
 

Në kujtim të të gjithë atyre që dhanë aq shumë për ne dhe për hir të një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë, ka ardhur koha që të gjithë ne ta vëmë Kosovën në rend të parë.
 

Të nderuar deputetë,
 

Sot besoj se do të veproni drejt duke i dhënë fund krizës institucionale dhe politike, e pastaj të dilni para qytetarëve në zgjedhje të reja për të rimarr besimin e tyre.
 

Duke bërë një veprim të tillë i cili është plotësisht në përputhje me Kushtetutën tonë, ju i hapni rrugë krijimit të institucioneve të reja më të fuqishme të shtetit tonë, me një legjitimitet të ri.
 

Vota e sotme është një ndër ato votat më të rëndësishme që ju të nderuar deputetë keni pasur nderin ti jepni në këtë Parlament.
 

Ndoshta tingëllon paksa ironike, mirëpo vota e juaj sot do të jehojë për gjenerata të tëra dhe do të riafirmojë zotimin tonë për demokraci dhe liri.
 

Ne duhet t’i përmbushim obligimet tona para qytetarëve të cilëve duhet t’u shërbejmë me nder dhe devotshmëri.
 

Duhet të jemi të përgjegjshëm edhe ndaj botës demokratike e cila na shikon për të parë se a jemi të denjë të jemi shtet ligjor, i cili respekton kushtetutën, ligjet dhe vullnetin e qytetarëve të cilët i përfaqësojmë.
 

Duke vepruar kështu, ne do t’i dalim në ballë krizës, do t’ia kthejmë stabilitetin institucioneve tona dhe do t’i kthehemi punës sonë në interes dhe në emër të gjithë qytetarëve tanë.
 

Të nderuar deputetë të Republikës së Kosovës,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Më lejoni të jem shumë i qartë: Qeveria që drejtoj unë nuk e deshi dhe nuk e solli këtë krizë. Diçka të tillë nuk e deshën as qytetarët e Kosovës, diçka të tillë nuk e merituan ata, diçka të tillë nuk e deshën dhe nuk e pritën as miqtë ndërkombëtarë, por të gjithë sot duhet të veprojmë bashkërisht me vullnetin dhe vendimin tonë për ecje përpara.

Ne ishim në vlug të punës për të ndërtuar një Kosovë më krenare, më të fuqishme dhe më të mirë, më të zhvilluar.

Mirëpo, fatkeqësisht kriza aktuale na u imponua dhe duhet të përballemi me te, krizë kjo që ngadalësoi progresin që kishim filluar

Unë jam krenar me rrugën të cilën e kishim nisur, të cilën e ndërtuam dhe të cilën duhet ta finalizojmë përsëri bashkërisht.

Jam krenar me arritjet tona për këto tri vite të qeverisjes.

Gjatë kësaj periudhe, ne arritëm ta vëmë Kosovën në rend të parë duke u ofruar fëmijëve tanë shkollim, të cilin vetëm mund ta kemi ëndërruar më parë.

E bëmë këtë duke ndërtuar shkolla të reja, hapësira të reja moderne dhe duke u dhënë libra shkollorë falas.

Ne kemi ndërtuar rrugë të reja në nivel lokal, regjional dhe ndërkombëtar, kemi përmirësuar infrastrukturën tonë duke i bashkuar të gjithë kosovarët dhe duke e forcuar biznesin dhe zhvillimin ekonomik.

Kemi bërë shumë gjera të mira dhe shumë të tjera janë në proces.

Më këtë rast, dua të falënderoj, të nderuar deputetë, të nderuar të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, të gjithë deputetet e Parlamentit të Kosovës për mbështetjen, por edhe për kritikat që i keni drejtuar në adresë të Qeverisë, timen personale dhe dëshiroj t’ju falënderoj secilin prej juve veç e veç edhe për mbështetje, debatet, edhe për kritikat tuaja kur i keni adresuar me qëllimin më të mirë, për një punë edhe më të mirë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Vetëm ashtu, ne mund të ndërtojmë demokracinë sot dhe në të ardhmen.

Gjithashtu, përfitoj nga rasti t’i falënderoj partneret e koalicionit të deritanishëm, për punën e përbashkët, gjithë ministrat e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, të komunitetit serb, të komuniteteve joserbe, të përfaqësimit nga shoqëria civile. Kam pasur nderin dhe kënaqësinë të punoj me të gjithë dhe ruaj respektin më të madh për punën e përbashkët nga momenti i themelimit të Qeverisë, shpalljes së pavarësisë, konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë dhe tash, në këtë kapitull të ri që po hapim bashkërisht.

Të nderuar deputetë,
Zonja dhe Zotërinj,
 

Tani më lejoni që t’i siguroj qytetarët tanë të nderuar duke thënë se edhe gjatë javëve në vazhdim, Qeveria do të vazhdojë t’i kryejë obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore me kapacitetet e saj aktuale.
 

Përkundër rrethanave të reja, ne nuk do të ndalemi t’u shërbejmë dhe t’i kryejmë obligimet tona në përmbushjen e nevojave tuaja qytetarë të dashur.
 

Ne do të vazhdojmë t’ju ofrojmë fëmijëve tanë shkollimin e tyre, rrugët do të vazhdojnë të ndërtohen, ambulancat dhe spitalet do të vazhdojnë punën, mësimdhënësit, punëtorët shëndetësor, policët, shërbyesit civilë, pensionistët, veteranët, do të vazhdojnë t’i marrin pagat e tyre.
 

Një falënderim të veçantë kam për  shërbyesit civilë, me të cilët, kemi pasur fatin dhe kënaqësinë të punojmë së bashku, gjithashtu i falënderoj për shërbimin e mrekullueshëm që e kanë bërë në emër dhe në shërbim të institucioneve të Republikës së Kosovës në këtë periudhë tri vjeçare.
 

Të nderuar deputetë,
 

Unë edhe më tutje do të vazhdoj që mbi çdo interes tjetër, të vë së pari Kosovën.
 

Ka qenë dhe vazhdon të jetë nder për mua që t’ju shërbej qytetarëve të Kosovës si Kryeministër.
 

Së bashku kemi kaluar nëpër shumëçka dhe kemi arritur shumëçka.
 

Dëshiroj të falënderoj gjithë partnerët ndërkombëtarë, KFOR-in, EULEX-in, ICO-në, vendet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe partneritetin e ngushtë që kanë treguar në mbështetje të shpalljes së pavarësisë, konsolidimit të shtetit tonë, njohjeve të reja dhe perspektivës euroatlantike.
 

Ne kemi një objektiv, ai objektiv është i përbashkët, pra, forcimi i shtetit tonë, zhvillimi i tij, mirëqenia sociale e qytetarëve tanë dhe integrimi sa më i shpejt i Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian.
 

Të nderuar deputetë,
 

Gjatë tërë jetës sime, unë njësoj, sikur shumica e qytetarëve të Kosovës, kam ëndërruar dhe punuar për tri gjëra:
 

• e para, ishte çlirimi i Kosovës;
• e dyta, Kosova e pavarur, e lirë dhe unike;
• e treta, është integrimi i Kosovës në NATO  dhe Bashkim Evropian
 

Do të vazhdojmë që të punojmë për qeverisje të mirë, për një qeverisje edhe më të fortë, për integrim të Kosovës në strukturat euroatlantike, pra do të jetë detyrë primare e qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës, që do të dalë nga vota dhe legjitimiteti i ri.

Kosova evropiane, ka qenë, është dhe do të jetë përcaktim dhe vizion yni, sepse ajo nënkupton hapje të perspektivës për të ardhmen dhe vende të reja të punës për qytetarët tanë, nënkupton progres.
 

Të bashkuar ne mund të bëjmë këtë vizion realitet dhe unë kam besim të plotë në angazhimet tona të përbashkëta, në energjitë e reja dhe vizionin tonë shtetndërtues.
 

Natyrisht, edhe në të ardhmen do të kemi qeveri dhe do të kemi edhe parti opozitare, por të gjithë, siç kemi punuar edhe në këto tri vite, do të punojmë për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë, sepse jam i bindur se vetëm të bashkuar mund të vëmë Kosovën në rend të parë, mund ta bëjmë Kosovën demokratike dhe multietnike.
 

Sot, Kosova përballet me krizë institucionale dhe politike, por së bashku mund t’i tregojmë botës se sa të fortë dhe të bashkuar jemi, ne, politika e Kosovës, institucionet dhe qytetarët e saj pa dallime partiake, etnike apo religjioze.
 

Ndërsa, e nesërmja do të jetë një rast tjetër i mirë për të vazhduar së ndërtuari rrugën e Kosovës dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e saj.
 

Dëshiroj t’ju falënderoj në emrin tim personal, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të gjithë juve, deputetë të nderuar për mbështetjen që keni treguar, falënderoj gjithë qytetarët për mbështetjen dhe përkushtimin që ka treguar në angazhimet tona, dhe, gjithashtu falënderoj miqtë tanë ndërkombëtar për mbështetjen e tyre
 

Ju faleminderit!

Last modified: 2 Nëntor, 2010

Comments are closed.