Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Ndihem shumë krenar që sot shteti i ri i Kosovës është pjesë e përgjegjësive globale

11 Shtator, 2012

Prishtinë, 11 shtator 2012

Në vazhdim po ju sjellim të plotë fjalën mikpritëse të kryeministrit Thaçi në konferencën ndërkombëtare me titull “Kaptinë e mbyllur në Ballkan”, që po mbahet në kuadër të aktiviteteve për shënimin e përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.


E nderuara presidente Jahjaga
I nderuari president Ahtisaari
I nderuari z. Peter Feith
Të nderuar të gjithë mysafirë

Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës është një fillim i madh për Republikën e Kosovës.

Është çasti i realizimit të pjekurisë sonë politike dhe i rritjes së përgjegjësive tona shoqërore.

Dhe si gjithnjë, këto dy kategori ecin së bashku, pjekuria mund të arrihet vetëm përmes dhënies së përgjegjësisë dhe anasjelltas.

Sot është dita e parë e këtij fillimi historik për ne. Nga sot e tutje, sfida të shumta dhe të reja do të qëndrojnë para shtetit të ri të Kosovës, mirëpo janë këto sfida të zakonshme të shteteve të pavarura dhe shoqërive të përgjegjshme. Janë sfida të kuptueshme, të pranueshme dhe të tejkalueshme.

Pikërisht këtë e shoh si moment tepër të rëndësishëm në historinë e shtetit tonë të ri. Momentin kur ia arritëm që të trajtohemi të barabartë nga të tjerët dhe që veten ta përjetojmë të barabartë me të gjithë.

Fundi formal i mbikëqyrjes së pavarësisë sonë e mundëson këtë. Ai mundëson që përmes këtij trajtimit të barabartë  të rritet vetëdija jonë për përgjegjësitë e përbashkëta që kemi ndaj qytetarëve, ndaj fqinjësisë dhe ndaj mbarë botës demokratike.

Prej sot Kosova nuk do ta ketë më Grupin Ndërkombëtarë mbikëqyrës, porse nuk do të ketë më as hapësirë për tu arsyetuar. Sukseset tona të ardhshme do të shpërblehen, porse edhe dështimet do të ndëshkohen. Jemi tepër të vetëdijshëm se fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë nuk ndryshon të vërtetën e madhe, se të gjithë ne jetojmë në një botë të ndërvarur.

Fakti se kufijtë shtetëror janë vetëm marrëveshje politike dhe administrative mes shoqërive dhe popujve, gjithnjë na përkujtohet sa herë që shpërthejnë epidemitë, godasin tërmetet apo rëndojnë krizat ekonomike. Ato na përkujtojnë se sa të brishtë janë kufijtë administrativ, dhe sa të lëndueshëm janë popujt brenda tyre.

Pikërisht, 11 vjet më herët, po në këtë ditë, vrasja e mijëra njerëzve të pafajshëm në aksionet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kundër civilizimit, e përkujtoj rruzullin tonë për relativitetin e kufijve dhe lëndueshmërinë e popujve.

Ndoshta kurrë më shumë se pas sulmeve të 11 shtatorit nuk e kuptuam qartësisht se në një botë të përbashkët edhe rreziqet janë të përbashkëta.

Se për një botë të globalizuar duhet të ekzistoj përgjegjësi globale dhe vlera të përbashkëta për të gjithë.

Ndihem shumë krenar që sot shteti i ri i Kosovës është pjesë e përgjegjësive globale.

Më 11 shtator të vitit 2001 isha në një udhëtim nga Prishtina për në Vjenë, në udhëtim për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të takoja Sekretaren e Shtetit , Madeleine Albright të cilën dëshiroj gjithashtu që edhe sot ta falënderoj për kontributin e saj të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. por, nuk mund të mos e kujtoj edhe sot mikun e madh të paqes, stabilitetit, me të cilin do të takohesha gjithashtu ato ditë në Ëashington, të ndjerin ambasadorin Richard Holbrooke.

Miq të nderuar

Mendoj se pikërisht me realizim e plotë të pavarësisë sonë, do t’ia dalim të kuptojmë drejtë se sa të ndërvarur jemi mes vete, me fqinjësinë dhe me mbarë botën. Pikërisht prej sot e tutje duhet të rritet vetëdija jonë për atë se fatkeqësia e tjetrit nuk sjell fat tek ne dhe anasjelltas. Mbi të gjitha besoj se sot, edhe formalisht Kosova është e barabartë.

Është ky mesazhi i madh të cilin miqtë ndërkombëtar ia dhanë asaj përmes përfundimit të mbikëqyrjes. Dhe si e barabartë, duhet të vazhdoj procese të rëndësishme, për normalizimin e jetës në këtë gadishull, që kujton histori të gjata të fatkeqësive.

Dialogu dhe mirëkuptimi duhet të vazhdohen, zgjidhjet duhet të arrihen dhe popujt duhet të pajtohen.
S’do mend se një kapitull sapo u mbyll dje në Ballkan, ai i emergjencës, asistencës dhe mbikëqyrjes. Mirëpo, po ashtu u hap një kapitull i ri, ai i zhvillimit, i pajtimit dhe i bashkëpunimit mes popujve dhe shteteve.

Le të jenë pikërisht këto parime themelore që do të definojnë këtë kapitull të ri ballkanik,  që është kapitull i evropianizimit të rajonit. Kjo për faktin se janë pikërisht këto parime që vazhdojnë të na përkujtojnë të vërtetën e madhe për ndërvarësinë tonë ekonomike, politike e kulturore.

Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik e shoqëror të një shteti nëse ai është i rrethuar me varfëri, skamje e armiqësi. Varfëria e fqinjësisë është fatkeqësi e jo oportunitet.

Nuk mund të ketë pajtim dhe paqe me një shtet nëse ai është i rrethuar me armiqësi e urrejtje, sikurse edhe varfëria edhe urrejtja nuk do të ndalen nga kufijtë e tij.

Nuk mund të ketë bashkëpunim, nëse jeni i vetmuar në këtë.  Krenaritë kombëtare të shoqërive ballkanike mund të jenë të mëdha, por shtetet e tyre janë të vogla dhe të lëndueshme.

Ato nuk kanë gjasa të mbijetojnë të vetmuara, por vetëm të integruara. Mirëpo poashtu nuk mund të bashkëpunojnë e të bashkëjetojnë nëse nuk trajtohen të barabarta.

Le të përqendrohemi pikërisht në këtë mundësi të madhe që iu dha sot Republikës së Kosovës, shoqërisë së saj, dhe kësaj pjesë të Ballkanit, mundësia e nisjes së një fillimi të mbarë, në shkruarujen e kapitullit të ardhmërisë sonë, të kapitullit të njerëzve të lirë, të popujve të barabartë brenda shteteve të pavarura që ruajnë dhe respektojnë njëri-tjetrin, përmes zhvillimit, paqes dhe bashkëpunimit.

Le të përqendrohemi të gjithë sot e tutje që këto synime ambicioze t’i shndërrojmë në fakte shoqërore.
Le të përqendrohemi që këtë kapitull të ri të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ta përmbyllim sa më shpejt dhe me sa më shumë sukses.

Me të drejtë, nga sot do të filloj një tregim i madh për të gjithë Ballkanin, ai i integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, ku do të hyjmë si shoqëri demokratike, multietnike, si shtete të pavarura brenda familjes së madhe të të barabartëve.

Të nderuar të pranishëm

Çdo fjali tjetër është e tepërt, sepse faktet dhe realiteti flet vetë. Secili nga ne sot vetëm për një moment të kujtojmë ku ishte Kosova dhe rajoni vetëm 13 vite më herët. T’i rikapitulojmë të gjitha këto të arritura, ku është sot Kosova dhe i gjithë rajoni.
 
Prandaj më lejoni që edhe njëherë në emrin tim personal, të Qeverisë së Kosovës, të popullit të Kosovës, t’iu falënderoj të gjithëve për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm, në mbështetje të vlerave të civilizimit, dhe lirisë në Kosovë, të paqes dhe stabilitetit, bashkëpunimit rajonal, dhe perspektivës euro-atlantike të të gjithë popujve në Ballkan.

Ju faleminderit shumë.

Last modified: 11 Shtator, 2012

Comments are closed.

×