Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi ka mbajtur një fjalë rasti në sesionin plenar të konferencës “Bashkë në Unionin Evropian – Kontributi i Ballkanit Perëndimor për Perspektivën Evropiane”

20 Mars, 2010

Prishtinë, 20 mars 2010

Në Bërdo afër Kranjit ka filluar konferenca ndërkombëtare mbi Ballkanin Perëndimor, “Bashkë në Unionin Evropian – Kontributi i Ballkanit Perëndimor për Perspektivën Evropiane”. Bashkorganizatorë të konferencës janë kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor dhe kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosore.

Në konferencë përveç kryeministrave të vendeve organizatore, po marrin pjesë kryeministrat e shteteve të rajonit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, kryeministri i Bosnje-Hercegovinës, Nikolla Shpiriq dhe kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, me përjashtim të kryetarit të Serbisë. Në konferencë po merr pjesë edhe komisionari i BE-së për zgjerim, Stefan Fule.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në sesionin plenar ka mbajtur një fjalë rasti.

Kryeministri Thaçi në konferencë ka potencuar përkushtimet e qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për integrim në NATO dhe në Bashkim Evropian. Vizioni ynë është thellimi i bashkëpunimit rajonal, e jo bojkoti dhe izolimi, ka potencuar kryeministri Thaçi.

Republika e Kosovës ka ndërtuar raporte të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit, me Maqedoninë, me Malin e Zi, me Shqipërinë, me Kroacinë dhe Slloveninë, dhe është e interesuar që në një të ardhme të afërt të ndërtojë raporte të mira fqinjësore edhe me Serbinë, si dy shtete të pavarura – është shprehur kryeministri Thaçi.

Perspektiva e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është Perspektiva Evropiane, ka shtuar z.Thaçi dhe ka thënë se organizimi i konferencës që po zhvillohet sot në Slloveni, dëshmon më së miri rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes të gjitha vendeve të rajonit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në fjalën e tij ka theksuar edhe të arriturat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në të gjitha segmentet e jetës në Kosovë, si dhe ka potencuar përkushtimet e qeverisë që drejton në thellimin e reformave të gjithanshme, në funksion të plotësimit të kritereve dhe standardeve për integrim në NATO dhe BE.
 

Last modified: 20 Mars, 2010

Comments are closed.