Prishtinë, 03.03.2012
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Brukseli në ambientet e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ka mbajtur një konferencë për media.
Në vazhdim po e japim të plot fjalën e kryeministrit Thaçi
Për herë të parë perspektiva e Kosovës merr formën konkrete. Ky është një sukses i Kosovës, një sukses i përbashkët i politikës kosovare, i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, është suksesi i shtetit tonë.
Rruga deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE, sikur edhe shembujt tjerë të vendeve të rajonit, nuk do të jetë e shkurtër, por do të kemi ballafaqime, do të kemi sfida, do të kemi edhe shumë punë për të bërë, por ajo që është me rëndësi, është se hapi i parë, historia është bërë.
Tani kthim prapa nuk do të ketë, nuk do të ketë stagnim. Ne të gjithë qeveria, por edhe opozita duhet të vazhdojmë të punojmë bashkërisht për reformat demokratike, për Kosovën Evropiane, duhet të punojmë të gjithë sepse ky proces nuk mund të arrihet vetëm nga një parti, nga një mandat qeveritar apo vetëm nga një qeveri, por me një angazhim të gjithanshëm të të gjithë spektrit politik.
Studimi i fizibilitetit do t’i paraprijë nënshkrimit të marrëveshjeve tjera, proces nëpër të cilin kanë kaluar gjitha vendet që sot janë kandidate për anëtarësim dhe studimi i fizibilitetit fillon vetëm për vendet e pavarura, sovrane dhe të njohura ndërkombëtarisht.
Edhe udhërrëfyesi është finalizuar dhe pritet që t’i dorëzohet institucioneve në ditët e ardhshme, ndërsa komisionari Fyle do të vizitojë Prishtinën në kuadër të agjendës evropiane më 27 mars në mënyrë që t’i finalizojmë gjitha proceset që kemi kaluar deri më tash dhe marrjen e detyrave shtesë që kemi si qeveri, si subjekte politike.
Last modified: 3 Mars, 2012