Prishtinë, 17 shkurt 2011
Në përvjetorin e 4-të të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha kanë prerë shiritin e inaugurimit, duke çelur kështu zyrtarisht Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë, e cila është vendosur në qendër të kryeqytetit shqiptar.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Thaçi e ka vlerësuar si një moment jashtëzakonisht të gëzuar hapjen e Ambasadës së Kosovës në Tiranë, duke falënderuar Qeverinë Shqiptare dhe Kryeministrin Berisha për këtë dhuratë, të bërë në ditën më historike për popullin e Kosovës dhe të të gjithë shqiptarëve.
Kryeministri Thaçi theksoi se hapja e kësaj ambasade do të afrojë më tepër Prishtinën me Tiranën, si dhe do të jetë urë lidhëse e forcimit dhe fuqizimit të punës së institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Ne jemi një komb, dy shtete dhe si dy shtete do jemi në NATO dhe BE, do të lëvizim edhe me fuqishëm në drejtim të zhvillimit dhe përparimit” – tha kryeministri Thaçi.
Gjithashtu, kryeministri i Kosovës Thaçi i ka përcjelle kryeministrit Berisha angazhimin e Qeverisë së Kosovës se së shpejti në Kosovë, në qendër të Prishtinës, do të ndërtohet ambasada e Shqipërisë.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha, e ka cilësuar çeljen e Ambasadës së re të Kosovës në Tiranë, si një moment shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet vëllazërore midis dy vendeve.
Kryeministri Berisha tha se, “Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, sikundër Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë kanë mision të dyfishtë, forcimin e pozitës ndërkombëtare të dy vendeve tona, bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtarë, por kanë misionin tjetër kombëtar të kapërcimit me vendosmëri të të gjitha pasojave të krijuara gjatë një periudhe të gjatë ndarjesh kufizimesh bllokimesh të pamerituara”.
Në emër të qytetarëve të Shqipërisë, Kryeministri Berisha i përcolli kryeministrit Thaçi përshëndetjet më vëllazërore për qytetarët e Kosovës në këtë ditë të madhe dhe shprehu vendosmërinë se me punë të përbashkët dy qeveritë do të realizojnë projektet më të mira për shqiptarët.
Në fjalën e tij Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh:
“Është një moment jashtëzakonisht i gëzuar për të gjithë ne. Sot bëjmë hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë, falenderoj qeverinë shqiptare personalisht Kryeministrin Berisha, për këtë mundësi , për këtë dhuratë të bukur, këtë donacion, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, në ditën më historike për popullit e Kosovës dhe të shqiptarëve.
Kjo është dhurata më e çmuar për popullin e Kosovës, kjo ambasadë do të afrojë edhe më tepër Prishtinën me Tiranën. Kjo ambasadë do të jetë urë lidhëse dhe forcim dhe fuqizim i punës së institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ne jemi një komb, dy shtete dhe si dy shtete, do jemi në NATO dhe BE, do të lëvizim edhe më fuqishëm në drejtim të zhvillimit dhe përparimit. Sot po shënojmë një datë të jashtëzakonshme, po shënojmë një progres të jashtëzakonshëm, po ndodh ajo që ka munguar në Tiranë për Kosovën.
Dhe një herë në emër të Qeverisë së Kosovës, në emër të qytetarëve të Kosovës e falenderoj Qeverinë e Shqipërisë e personalisht Kryeministrin Berisha, për këtë dhuratë në rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Dëshiroj të sjell edhe mesazhin e dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, se jemi në fazën finale për përcaktimin e truallit në qendër të Prishtinës, për ndërtimin e një ambasade te bukur dhe moderne në Prishtinë, Ambasadës së Shqipërisë.
Falëmnderit z.Kryeministër.
Në fjalën e tij Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha tha:
“I nderuar zoti Kryeministër,
Është një nder i madh dhe kënaqësi e veçantë që inauguruam këtu së bashku hapjen e selisë së re të ambasadës së Kosovës. Moment ky shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet vëllazërore midis dy vendeve tona.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, sikundër ambasada e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë kanë mision të dyfishtë. Kanë mision forcimin e pozitës ndërkombëtare të dy vendeve tona , bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtarë, por kanë misionin tjetër kombëtarë të kapërcimit me vendosmëri të të gjitha pasojave të krijuara gjatë një periudhe të gjatë ndarjesh kufizimesh bllokimesh të pamerituara.
Unë jam i bindur se në udhëzimet e qeverisë së Kosovës kjo ambasadë së bashku me ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në të ardhmen e përbashkët, që meriton kombi shqiptarë dhe që meritojnë dy vendet tona.
Prania e kryeministrit Thaçi në këtë ditë të bekuar për të gjithë shqiptarët ditën e Pavarësisë së Kosovës, e cila bën çdo shqiptarë të ndieje kënaqësinë e dy pavarësive, ka edhe kjo simbolin e vet më të shkëlqyer dhe më të madh.
Zoti Kryeministër, shfrytëzoj rastin t’ju përcjell përshëndetjet më vëllazërore qytetarëve të Kosovës në këtë ditë të madhe, ditë të bekuar për mbarë kombin shqiptarë, qeverisë së Kosovës dhe të shpreh vendosmërinë time se me punë të përbashkët ne do të realizojmë projektet më të mira për shqiptarët”.
Last modified: 17 Shkurt, 2012