Zyra e Kryeministrit

Nën drejtimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka diskutuar për situatën e fundit në vend

13 Shkurt, 2012

Prishtinë, 13.02.2012
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka drejtuar mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës në të cilën është diskutuar gjendja e krijuar në Kosovë pas reshjeve të mëdha të dëborës dhe vështirësitë e krijuara në disa rajone të vendit.
 
Në fjalën e tij, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Qeveria e Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë të shërbimeve dhe mekanizmave qeveritare për t’ iu dalë në ndihmë te gjithë qytetarëve që po përballen me vështirësi.
 
“Të gjitha potencialet janë vënë në dispozicion për qytetarët e Kosovës, në radhë të parë për të mundësuar qarkullimin  qytetarëve, zhbllokimin e vendbanimeve të largëta të bllokuara nga bora, sigurimin e shërbimeve emergjente shëndetësore, furnizimit të qytetarëve me energji dhe ngrohje dhe furnizimin me mjetet tjera të nevojshme për të përballuar situatën emergjente”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi dhe ka shtuar se përkundër gjendjes së këtillë, situata në Kosovë vazhdon të jetë nën kontroll.
 
Këshilli i Sigurisë ka vendosur që gjendja e gatishmërisë për FSK-në, Policinë e Kosovës dhe zjarrfikësit, të jetë në nivel të lartë, ndërsa Qeveria e Kosovës do të mundësojë ridestinim të fondeve në nivel lokal dhe qendrorë dhe do të marr masa për plotësimin e mungesave gjatë vitit.
 
Në mbledhje është kërkuar angazhim maksimal i të gjitha ministrive kompetente për përballimin e gjendjes si dhe është vendosur që të kërkohet edhe nga KFOR-i ndihmë logjistike në përballimin e gjendjes së krijuar.
 
Sipas nevojave që do të krijohen nga gjendja dhe zhvillimi i situatës në terren, Qeveria e Kosovës do të ndihmojë edhe komunat në përballim të situatës.
 
Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur falënderimin për të gjithë qytetarët, FSK-në, departamentin e emergjencave, Policinë, shërbimet dhe të gjitha kategoritë e punëtorëve të cilët po punojnë në kushte të rënda për tejkalimin e gjendjes së krijuar dhe ka rikonfirmuar angazhimin e të gjitha potencialeve
në tejkalimin e situatës në të cilën ndodhemi.
 
Në emër të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur ngushëllime për familjen Reka, si dhe gjithë qytetarëve te Restelices, për viktimat që mori moti i lig i këtyre ditëve që ka mbretëruar në tërë Kosovën.

Last modified: 13 Shkurt, 2012

Comments are closed.