Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Žbogar

7 Shkurt, 2012

Prishtinë, 7 shkurt 2012
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Žbogar.
 
Në vazhdim po e prezantojmë të plotë deklaratën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit:
 
Sot ishte takimi i parë i nivelit të tillë me zotin Žbogar. Ne jemi takuar edhe më herët, kur z. Žbogar ka qenë ministër i jashtëm i Sllovenisë, me të cilin kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer. E falënderoj për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës, paqes, stabilitetit, bashkëpunimit ndërfqinjësor mw heret, ndersa,  tash në tjera pozicione, si përfaqësues special i Bashkimit Evropian në Republikën e Kosovës. Unë i dëshiroj z. Žbogar mirëseardhje në Kosovë. 
 
Natyrisht biseduam për hapat tonë të mëtutjeshëm të përbashkët  mes të institucioneve të Kosovës dhe institucioneve evropiane, si të afrohet Kosova më tepër drejt strukturave të Brukselit, si t’i implementojmë të gjitha kriteret demokratike të domosdoshme në procesin integrues evropian, si të kemi një prezencë edhe më me ndikim por edhe më pozitive të BE-së në Kosovë, si të ndërtojmë një Kosovë edhe më të fuqishme edhe më të konsoliduar demokratike dhe multietnike.

Po ashtu, biseduam  si t’i implementojmë çështjet e konkluzioneve të përbashkëta në mes të Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, me mbështetjen e SHBA-së , pra konkluzionet e dialogut teknik.

Kam besim të plotë se bashkërisht me zotin Žbogar do të punojmë maksimalisht për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Përvoja e z. Žbogar do të jetë shumë e mirëseardhur për institucionet e Kosovës, në mënyrë që të lëvizim drejt perspektivës së sigurt evropiane.
 
Ne jemi pjesë e familjes evropiane dhe duhet të vazhdojmë reformat e thella demokratike. Këto reforma nuk do të ndalen, vetëm sa do të rritet përgjegjësia edhe më tepër, e sidomos tash kur është hapur dialogu për liberalizimin e vizave, i marrëdhënieve kontraktuale – tregtare me BE-në, dhe procesi i shpejtë i anëtarësimit të Kosovës në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Ndërtim.
 
Ndërsa, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Žbogar, pas takimit me kryeministrin Thaçi ka thënë se “misioni i Bashkimit Evropian është që të ketë një BE të fortë këtu në Kosovë, në mënyrë që të ndihmojmë Kosovën të bëhet më evropiane, në mënyrë që ta ndihmojnë Kosovën të vijë në Evropë. Ky është misioni në të cilin unë së bashku me Qeverinë e Kosovës do të punoj në këto tri vjet.”

“Mendoj se kemi filluar shumë mirë këtë vit, me fillimin e procesit të liberalizimit të vizave. Këtë vit do të ketë më shumë vizita të komisionerëve në Kosovë, dialog më të intensifikuar në shumë çështje në mes të Kosovës dhe BE-së. Shpresoj se në fund të vitit kur Komisioni Evropian do të përgatis një raport, i cili do të jetë më pozitiv. Do të shohim arritjet që kemi bërë, e për të cilat duhet të punojmë, siç janë çështjet e tregtisë, sundimi i ligjit, sigurisht edhe për liberalizimin e vizave dhe shumë çështje tjera” – tha z. Žbogar.
 
Kryeministri Thaçi, pas takimit me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Žbogar, u përgjigj edhe në interesimin e medieve lidhur me deklarimet e fundit të disa liderëve serbë, të cilët kanë thënë se e pranojnë pavarësinë e Kosovës, në shkëmbim të një statusi special për veriun.
 
Kryeministri Thaçi: Unë do t’iu shërbej të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim etnie, në gjithë hapësirën e territorit të Kosovës. Është mesazh i mirë që edhe serbët në veri kanë filluar tw deklarojnë se pranojnë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.
 
Ne do të jemi afër tyre për t’iu shërbyer si të gjithë qytetarëve në gjithë hapësirën e Kosovës.  Kosova është vendi i të gjithëve, është atdheu i të gjithëve.

Por, është një mesazh i mirë që pas 12 vjetësh kemi të shprehur këtë vullnet edhe qytetar, edhe politik, prandaj ne vetëm duhet që të jemi sa më afër tyre, t’iu shërbejmë edhe më tepër, t’i dëgjojmë dhe t’i implementojmë kërkesat e tyre, që ndërlidhen drejtpërdrejt me rend dhe ligj, me pluralizëm politik, me organizim të zgjedhjeve të reja, që të zgjidhet lidershipi legjitim i tyre, të vazhdohet  me investimet socio-ekonimike, në mënyrë që kudo që jetojnë, gjithë qytetarët pa dallim etnie, të ndihen mirë dhe krenar nw Kosovën e re, në Kosovën evropiane.
 
Unë e mirëpres gatishmërinë për njohjen e Kosovës, natyrisht nga të gjithë, por Kosova është një, unike, shtet i pavarur dhe  sovran. Nuk do të ketë trajtim të veçantë, special apo autonom për asnjë etni, për asnjë hapësirë të territorit të Kosovës.  Kosova është një, me integritetin territorial të saj të paprekshëm, të njohur ndërkombëtarisht. 

Last modified: 7 Shkurt, 2012

Comments are closed.