Prishtinë, 1 dhjetor 2008
Fjala e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën mbi strategjinë e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar
Kam kënaqësinë dhe përgjegjësinë që të shpreh përkushtimin e fuqishëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për luftë dhe politikë zero tolerancë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekonomisë joformale.
Fenomenet negative, sikurse kudo në rajon dhe në botë, paraqesin pengesë për sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Lufta ndaj tyre është ndër prioritetet më të larta dhe të përditshme të institucioneve shtetërore të Kosovës.
Qëllimi madhor dhe strategjik i Qeverisë, të cilën e drejtoj unë, është që ta përgatis Republikën e Kosovës për të ardhmen e saj euroatlantike, si anëtar i plotë i Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Ky qëllim nuk mund të arrihet nëse lejohet që korrupsioni dhe krimi i organizuar të lëshojnë rrënjë. Është e qartë që kësisoj vendi nuk do të mirëpritej në Evropë. Kjo do të ishte e papranueshme dhe e patolerueshme për institucionet dhe qytetarët e Kosovës.
Përkushtimi i ynë për një të ardhme të sigurt për qytetarët tanë, si qytetarë të Evropës, është i palëkundur. Njëlloj, përkushtimi ynë për të luftuar fenomenet negative, si në ndër parakushtet për këtë të ardhme, është po aq i palëkundur.
Për këtë qëllim, strategjia jonë është fokusuar në dy drejtime:
E para, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës sonë moderne, ne kemi forcuar dhe do të forcojmë edhe më tej bazën ligjore anti korrupsion.
E dyta, ne duhet t’i implementojmë këto masa ligjore, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.
Me vendosjen e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës, ne llogarisim në një mbështetës të fuqishëm në këtë luftë.
Shtrirja e EULEX-it, si mision i sundimit të ligjit, në tërë territorin e vendit, duke respektuar dhe forcuar sovranitetin e Kosovës, do të na ndihmojë në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekonomisë joformale.
Një Kosovë e bashkuar në këtë qëllim dhe e ndihmuar dhe e këshilluar nga partnerët ndërkombëtarë do të jetë në gjendje t’u bëjë ballë fenomeneve të tilla negative.
Ne nuk do të lejojmë që asnjë pjesë e territorit të Republikës së Kosovës të shndërrohet në oazë të korrupsionit, krimit të organizuar dhe kontrabandës.
Është detyrë dhe obligim i të gjithëve që të sigurojmë që, sidomos në Veriun e Kosovës, qytetarët e atjeshëm që duan të respektojnë ligjin dhe të jetojnë të lirë nga këto fenomene negative, të mund ta bëjnë këtë.
Mungesa e sundimit të ligjit, tolerimi i strukturave ilegale paralele dhe lulëzimi i korrupsionit dhe kontrabandës shkon në dëm të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ne do të punojmë ngushtë me misionin e EULEX-it për të siguruar që sundimi i ligjit të vlejë njësoj për të gjithë në tërë territorin e Kosovës.
Askush nuk duhet dhe nuk mund të fsheh interesat e ngushta ekonomike dhe kriminale pas politikës.
Institucionet shtetërore të Kosovës, spektri i gjerë politik, shoqëria civile i kanë thënë PO të fuqishme shtrirjes së plotë të EULEX-it.
Njëkohësisht, ato i kanë thënë JO përpjekjeve për të legalizuar gjendjen jolegale dhe për të dobësuar funksionimin unik të shtetit tonë.
Natyrisht, institucionet e Kosovës në përgjithësi, e Ministria e Punëve të Brendshme në veçanti, përveç përkushtimit dhe gatishmërisë për të luftuar fenomenet negative, kanë ndërmarrë hapa konkretë për t’i zbatuar ato në praktikë.
Agjencia Antikorrupsion e Kosovës tashmë ka proceduar një numër lëndësh në prokurorinë publike. Agjencia ka ndërhyrë edhe në rastet kur ka hetuar konflikt interesi.
Qeveria para pak kohësh ka miratuar Strategjinë e menaxhimit të integruar të kufijve të vendit tonë.
Me miratimin e ligjit mbi policinë dhe inspektoratin policor në shkurt të këtij viti, Policia e Kosovës tani ka një bazë ligjore dhe moderne për të mbrojtur popullin e Kosovës nga rreziku i krimit dhe fenomeneve të tjera negative.
Gjithashtu, Qeveria e Kosovës, e ka vënë si prioritet edhe problemin e dhimbshëm të trafikimit të qenieve njerëzore duke miratuar strategjinë dhe planin e punës antitrafikim, dhe duke iniciuar fushatë për luftimin e tij.
Përpjekjet tona do të jenë të pa kompromis drejtim të çrrënjosjes së dukurive negative të korrupsionit, trafikimit, kontrabandës, fshehjes së tatimit.
Suksesi ynë në luftimin e këtyre dukurive do të ndihmojë shumë në ngritjen e imazhin pozitiv të Kosovës si vend demokratik, me sundim të ligjit.
Vetëm me një imazh të tillë pozitiv, vendi ynë do të tërheq investime direkte të huaja dhe të pranohet si anëtar i barabartë i bashkësisë ndërkombëtare.
Kjo është në interesin tonë si institucione shtetërore, në interesin e të gjithë qytetarëve tanë, në interesin e rajonit dhe përfundimisht në interesin e investimeve të mëdha të miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Ju faleminderit!
Last modified: 1 Dhjetor, 2008