Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Shteti ndërtohet mbi mundin dhe punën e atyre që nuk janë më dhe funksionon i udhëhequr nga vizionet për të ardhmen

15 Qershor, 2008

Fjalimi i Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi, me rastin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës

Prishtinë, 15 qershor 2008

I nderuari z. Fatmir Sejdiu, President i Republikës së Kosovës,
I nderuari z. Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të Kongresit Amerikan, z. Eliot Engel, znj. Jean Schmidt, znj. Shiela Jackson Lee,
Ambasadorë,
Familje të dëshmorëve dhe ju veteranë të luftës,
Familje Jasharaj,
Familje Rugova,
Mysafirë të respektuar,
Zonja dhe zotërinj,

Sot është një Ditë e Madhe, një ditë historike për Republikën e Kosovës dhe qytetarët  e saj.

Sot hyn në fuqi, Kushtetuta e Republikës sonë, akti më i lartë juridik i shtetit tonë të ri të ndërtuar me shumë mund e sakrifica.

Nga kjo ditë shtetit tonë të ri ne i japim një dimension tjetër fundamental: KUSHTETUTSHMËRINË .

Shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës, përmes kësaj Kushtetute themelohet si demokraci liberale:
–  E mbështetur mbi sovranitetin e popullit, si burim i autoritetit politik dhe,
–  Sovranitetin e ligjit, si standard për ushtrimin e këtij autoriteti .

Gjenerata të tëra të qytetarëve të Kosovës kanë dhënë gjithçka nga jeta e tyre për të arritur në këtë ditë historike. Shumë e shumë prej tyre nuk janë më në mesin tonë.
Kujtimi për ta gjithmonë do të qëndrojë në themelet e shtetit tonë.

Shteti ndërtohet mbi mundin dhe punën e atyre që nuk janë më dhe funksiononi udhëhequr nga vizionet për të ardhmen.

Nga vizionet për fëmijët tanë që do të vijnë për të trashëguar punën tonë dhe vlerat tona.

Liria e një populli merr kuptim të plotë kur ai popull e ndërton shtetin e tij të pavarur, ndërsa sot, 9 vjet pas qershorit të lavdishëm të vitit 1999 ne kemi arritur në këtë cak dhe i kemi dhënë kuptim të plotë lirisë së vendit tonë.

Me 17 shkurt 2008 ne shpallëm Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Bota demokratike e ka njohur këtë fakt dhe ia ka hapur dyert shtetit tonë për integrim në strukturat Veri- Atlantike (NATO dhe BE). Në të ardhmen edhe në OKB.

Sot po e fuqizojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës:
–  Dokumentin themelor të garantimit të lirisë sonë kolektive dhe individuale
–  Ligjin më të lartë që garanton të drejtat tona politike, civile, sociale e kulturore.

Të nderuar miq,
Zonja dhe zotërinj,

Me këtë Kushtetutë krijohen mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës është edhe një hap i madh në rrugëtimin e lirisë sonë.
Në tërë këtë rrugëtim, për asnjë moment, nuk duhet të harrojmë se kishim përkrah miqtë tanë ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Prandaj, populli ynë i shpreh mirënjohje dhe i falënderon përgjithmonë.

Mbështetja e tyre ishte dhe është aq e madhe, aq e natyrshme.
Për një arsye të vetme: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë dy shtyllat mbi të cilat qëndron civilizimi i lirisë.
Detyra jonë e madhe, si institucione dhe qytetarë mbetet që ta fitojmë vendin tonë dinjitoz nën çatinë e këtij civilizimi.

Në këtë aspekt, Kushtetuta jonë liberale dhe demokratike është një hap vendimtar drejt këtij qëllimi.

Prandaj, është jetike që në qeverisjen tonë të mirë të udhëhiqemi nga parimet dhe dispozitat juridike të Kushtetutës sonë.

Zonja dhe zotërinj,

Në fund, më lejoni që duke i përgëzuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke falënderuar të gjithë miqtë tanë, për hyrjen në fuqi të Kushtetutës sonë moderne, t’Ju bëjë thirrje të gjithëve, pa dallim etnie apo feje, që ta respektojmë, ta zbatojmë në praktikë Kushtetutën tonë si garancën më të mirë për mbrojtjen e vlerave tona njerëzore dhe institucionale.

Besojmë shumë se kjo Kushtetutë do ta forcojë barazinë, lirinë, sovranitetin dhe demokracinë e shtetit tonë. Kjo kushtetutë mbron hapur dhe fuqishëm vlerat që duhet të sundojnë në shtetin tonë në përputhje me  botën e civilizuar.

Sot ëndrrat tona po bëhen realitet.

Ju faleminderit dhe urime

Last modified: 31 Korrik, 2022

Comments are closed.

×