Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Konferenca e Donatorëve do të jetë një sukses i përbashkët i Kosovës dhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë

5 Qershor, 2008

Prishtinë, 5 qershor 2008

Qeveria e Republikës së Kosovës, në një darkë pune, organizuar mbrëmë në Prishtinë u ka prezantuar ambasadorëve dhe përfaqësuesve të agjencive për zhvillim dhe institucioneve ndërkombëtare financiare Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) 2008-20011, i cili është dokument bazë për Konferencën e Donatorëve që do të mbahet me 11 korrik të këtij viti në Bruksel.

Me këtë rast, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një fjalë rasti, të cilën e japin të plotë:

Te nderuar Ambasadorë dhe përfaqësues tjerë te zyrave diplomatike, agjencive për zhvillim dhe institucione ndërkombëtare financiare.

Kam kënaqësinë e veçantë t’u uroj mirëseardhje të gjithëve në këtë darkë të dytë pune.
Kolegët e mi nga Qeveria dhe unë, jemi të kënaqur që mund të takohemi sërish në këtë forum, për të ndarë me ju vizionin tonë për të ardhmen e Kosovës.

Më duhet të them që Kosova është me fat me praninë e donatorëve të shkëlqyeshëm ndërkombëtarë e bilateral në Kosovë, që na bën të jemi optimistë për të ardhmen.

Kosova ka arritur përparime të konsiderueshme në nëntë vitet e fundit.

Situata e sigurisë është e qetë dhe stabile, dhe kjo jep një mesazh të fuqishëm për botën. Më 15 qershor, ne mbërrijmë një hap tjetër të rëndësishëm kur hyn në fuqi kushtetuta jonë e re.

Më duhet të përmend që raporti i fundit për progresin sa i përket legjislacionit nga pakoja Ahtisaari, ilustron përkushtimin e Kosovës për të përmbushur obligimet tona.

Shumë prej ligjeve të reja janë aprovuar dhe miratuar, dhe jemi duke u përgatitur të marrim përsipër përgjegjësitë e përcaktuara me plan.

Me partnerët tanë ndërkombëtarë jemi duke punuar drejt bartjes së lehtë dhe të suksesshme të përgjegjësive.
Sa i përket çështjes së zhvillimit, destinacioni përfundimtar i Kosovës natyrisht është Bashkimi Evropian dhe NATO. Prandaj, i falënderoj të gjithë donatorët dhe agjencitë tjera ndërkombëtare, për këshillat e tyre për ta lehtësuar rrugën tonë drejt integrimit në BE dhe NATO.

Në takimin e sontëm, do shpalosim para jush prioritetet dhe politikat konkrete, të cilat së bashku dhe në partneritet me ju i kemi zhvilluar, partneritet dhe bashkëpunim i cili pa dyshim do sjell në finalizimin e Kornizës Afat-mesme të Shpenzimeve, më të avancuarin dhe më të pranueshmin për ju dhe për ne.

E tëra kjo më jep besim të plotë se Konferenca e Donatorëve do të jetë një sukses i përbashkët.
Me ndihmën e Bashkësisë ndërkombëtare tanimë kemi vënë bazat e ekonomisë liberale të tregut dhe kemi një sistem të shkëlqyeshëm të menaxhimit të financave të sektorit publik.

Katër prioritetet tona thelbësore që janë identifikuar dhe pajtuar nga Qeveria janë: rritja ekonomike, implementimi i suksesshëm i marrëveshjes së statusit, qeverisja e mirë dhe stabiliteti social, që përfshin edhe zbutjen e varfërisë.
Vërtetë, ne synojmë shqyrtimin e mundësive për përfshirje të sektorit privat në realizimin e shumë prej këtyre prioriteteve sepse në të kundërtën ka pak gjasa që zhvillimi ekonomik të mund të ecë me atë shkallë që do të na mundësojë adresimin e çështjeve sociale dhe të na vë në rrugën drejt BE-së.

Tërë ajo që dua të them është që Qeveria dhe populli i Kosovës janë të përkushtuar për t’i demonstruar komunitetit ndërkombëtar që situata jonë e re e të qenit të pavarur, na ofron mundësinë të kemi një ndjenjë të qëllimit; ndjenjën e fatit tonë dhe gatishmërinë për të marrë vendin që na takon përkrah partnerëve tanë ndërkombëtarë në frymën e bashkëpunimit të plotë.

Në mbyllje të takimit , Kryeministri Hashim Thaçi edhe njëherë ka falënderuar pjesëmarrësit për ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer përmes sugjerimeve dhe plotësimeve të dokumentit për Konferencën e Donatorëve.
 
Kryeministri Thaçi ka thënë se deri këtu kemi ardhur bashkë dhe do të ecim po ashtu bashkë edhe më tutje. Ky  progres i arritur është progres i përbashkët i kosovarëve dhe ndërkombëtarëve.

“Qëllimi ynë është integrimi në BE dhe në NATO por edhe zhvillimi ekonomik i vendit , ndërtimi i një shteti modern me bazë të fuqishme dhe të standardeve perëndimore dhe të infrastrukturës ligjore, të emancipimit dhe afirmimit të vlerave të shoqërisë shumë etnike”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Kryeministri i Kosovës falënderoi edhe përfaqësuesit e opozitës që morën pjesë në këtë takim dhe premtoi se Kosova në këtë rrugë do të ecë e bashkuar dhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.   

Last modified: 5 Qershor, 2008

Comments are closed.

×