Zyra e Kryeministrit

U mbajt mbledhja e 37-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës (Video)

8 Korrik, 2015

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, në të cilën ka miratuar projektligje dhe vendime të ndryshme nga përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore.

Kryeministri Isa Mustafa, ka njoftuar kabinetin qeveritar për vizitën e javës së kaluar në Gjermani, dhe lidhur me takimin e fundit në kuadër të dialogut me përfaqësuesit e Serbisë në Bruksel dhe çështjeve që janë dialoguar.

“Ne kemi pas një vizitë shumë përmbajtjesore, tepër të rëndësishme, dhe mund të them shumë të suksesshme në Gjermani, në nivelin më të lartë.  Nga ana e Qeverisë kam qenë unë, ka qenë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Thaçi, ka qenë ministri i Financave dhe ai i Bujqësisë, dhe disa përfaqësues të kabinetit tim, këshilltarë të cilët merren më çështje të caktuara, të cilat i kemi parë si objekt të bisedave në Berlin me Kancelaren Merkel.

Kemi pas një bisedë një orë e gjysmë të drejtpërdrejt me Kancelaren Merkel dhe me ekipin më të ngushtë të Kancelares Merkel. Kemi diskutuar lidhur me tema shumë aktuale të cilat ndërlidhen me bashkëpunimin dypalësh të Kosovës dhe Gjermanisë, me çështjet e integrimit evropian të Kosovës dhe të integrimeve në institucionet ndërkombëtare, me çështjen e Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale dhe të dialogut, me nevojën e përmbushjes së obligimeve tona për të kapërcyer fazat e caktuara të integrimit evropian, siç është edhe liberalizimi i vizave, duke vu theks edhe nevojën tonë që të punojmë në forcimin e institucioneve të vendit, sidomos të institucioneve të drejtësisë dhe forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kemi marrë një përkrahje mjaft të madhe dhe të drejtpërdrejt sa i përket zhvillimit ekonomik, sa i përket tërheqjes së investimeve nga Gjermania, dhe sa i përket agjendës zhvillimore në të ardhmen.

Është diskutuar në veçanti, sepse keni parë edhe nga mediat, edhe çështja e energjisë, dhe iniciativës që kemi pasur nga Gjermania të kompanisë Bilfinger lidhur me “Kosovën A”, mirëpo ka mbetur si çështje e hapur e cila duhet të diskutohet dhe duhet të konkretizohet në pikëpamje të financimit.

Janë diskutuar mundësitë e punësimit sezonal në Gjermani nga Kosova, dhe të rikualifikimit të një pjese të fuqisë punëtore që mund të shkoj nga Kosova dhe të punoj në Gjermani, dhe na u është sugjeruar që kjo të bëhet në kontakte të drejtpërdrejta me landet në Gjermani.

Është kërkuar që të kemi bashkëpunim strategjik në fushën e zhvillimit ekonomik dhe në fusha tjera me shtetin gjerman, në mënyrë që kjo të hap mundësi më të mëdha  të punës.

Kemi pasur një takim me ministren e Landit të Baden-Württembergut, me të cilën kemi trajtuar në mënyrë të drejtpërdrejt mundësitë e bashkëpunimit ekonomik me këtë Land, dhe mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimit, sidomos në pjesën e arsimit profesional. Jemi marrë vesh që të kemi një vizitë në shtator të këtij viti, në të cilën pastaj, me Qeverinë e këtij landi do të merremi vesh drejtpërsëdrejti lidhur me projektet e zhvillimit ekonomik dhe lidhur me mundësitë e investimeve të firmave të këtij Landi në Kosovë. 

Kemi pasur dy takime me komunitetin e biznesit, kemi takuar firma shumë të rëndësishme, dhe përfaqësues të rëndësishëm të bizneseve gjermane, dhe kemi marrë zotimin e tyre dhe interesimin e tyre për bashkëpunim ekonomik.
Poashtu kemi pasur një takim me grupin e deputetëve të CDU/CSU-së, në të cilën poashtu janë trajtuar shumë çështje, por aty kemi trajtuar edhe çështje të bashkëpunimit të grupeve parlamentare, sepse një pjesë e delegacionit tonë i ka takuar një grupi parlamentar që ka edhe lidhje me Partitë Popullore Evropiane, me CDU/CSU.  Dhe në këtë pjesë, përpos një pjese të delegacionit tonë, ka marrë pjesë edhe kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, z. Beqiri, dhe dy kryetarë të komunave, në temat të cilat janë hap atje lidhur me këtë bashkëpunim, jo me bashkëpunimin shtetëror, për  të cilat unë i kam përfaqësuar interesat e Qeverisë me ambasadorin tonë dhe me delegacionin tjetër.

Unë e konsideroj një vizitë shumë të rëndësishme. Është insistuar edhe nga Kancelarja që ne të vazhdojmë me dialogun me Serbinë, dhe të kemi sukses në këtë dialog. Natyrisht se është vlerësuar që temat të cilat tani i kemi në rend të ditës nuk janë tema shumë të lehta, janë tema që kërkojnë vëmendje të veçantë, sepse janë zgjidhje specifike të cilat ne nuk i kemi pasur deri më tani në Kosovë.

Ne e kemi dhënë zotimin tonë që do të punojmë këtu, do të zhvillojmë dialogun, do të gjejmë mundësi që dialogu të përfundoj me sukses, dhe në katër tema që i kemi tash në shqyrtim, mund të them se ne e kemi përfunduar praktikisht marrëveshjen për kodin telefonik. Marrëveshja është e gatshme, nuk është nënshkruar. Kemi përafruar qëndrimet sa i përket Asociacionit të Komunave, jo të Statutit, por vetëm të parimeve themelore, mirëpo kanë mbetur disa çështje të cilat duhet të diskutohen dhe të sqarohen edhe më tutje, në mënyrë që çdo gjë që merremi vesh atje të jetë e zbatueshme dhe të jetë e aplikueshme.

Janë diskutuar por nuk janë përfunduar edhe çështjet e marrëveshjes për energjinë dhe lidhur me Urën mbi Ibër që kanë mbetur që të diskutohen në vijim. Ne kemi prezantuar qëndrimin tonë, që ne jemi për atë që të bëjmë përpjekje që këto katër marrëveshje t’i përfundojmë, dhe që si pako t’i realizojmë, natyrisht duke e nënshkruar secilën veç e veç, sepse e konsiderojmë që në to është punuar gjatë, dhe në disa prej tyre që janë punuar mbi dy vite, siç ka qenë marrëveshja për kod telefonik dhe marrëveshja për energji dhe se mundemi që ato përnjëherë t’i pranojmë dhe t’i aprovojmë, natyrisht pas një dialogu i cili është përmbajtjesor dhe kemi një angazhim shumë të madh të ekipit tonë.

Ne e kemi shprehur zotimin tonë që ne do të punojmë në këtë aspekt, sepse dëshirojmë të arrijmë synimet tona në integrime evropiane, dhe të përmbushim detyrimet tona ndërkombëtare. Ju e dini se detyrim ndërkombëtar kemi marrë me Ligjin mbi ratifikimin e  letrës së presidentes me baroneshën Ashton, dhe poashtu kemi marrë obligim ndërkombëtar edhe me ratifikimin e marrëveshjes së parë, e cila është nënshkruar në vitin 2013, dhe që mbetet të implementohet. Mirëpo, implementimi i saj mbetet i lidhur me marrëveshjet e veçanta prej të cilave është edhe marrëveshja lidhur me Parimet e Asociacionit të Komunave, dhe më vonë është paraparë që parimet njëherë të aprovohen, dhe pastaj të përcaktohet një periudhë kohore gjatë të cilës do të punohet Statuti i Asociacionit, për të cilin për modalitetet do t’iu njoftojë pasi të merremi vesh”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa.

Projektligji për Treguesit Gjeografik dhe për Emërtimet e Origjinës, është dokumenti i parë që ka marr aprovimin në mbledhjen e sotme të Qeverisë. Ky projektligj përcakton rregullat dhe procedurat për regjistrimin e treguesve gjeografik dhe emërtimeve të origjinës që rrjedhin nga regjistrimi dhe zbatimi i këtyre të drejtave.

Projektligji për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, që rregullon funksionet dhe përgjegjësitë e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, ka marr miratimin nga kabineti qeveritar.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe Projektligji për Kinematografinë. Projektligji rregullon veprimtarinë, organizimin, financimin, prodhimin, distribuimin dhe shfaqjen e veprave kinematografike në Republikën e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtarë të Shkencës, me këtë përbërje:

1.1. Akademik Rexhep Ismajli;
1.2. Prof. Dr. Avdulla Alija;
1.3. Prof. Dr. Myzafere Limani;
1.4. Prof. Dr. Dukagjin Pupovci;
1.5. Prof. Dr. Fetah Podvorica;
1.6. Prof. Dr. Gani Bajraktari;
1.7. Prof. Dr. Ismet Salihu;
1.8. Prof. Dr. Myrvete Badivuku-Pantina;
1.9. Prof. Dr. Muhamet Mala;
1.10. Prof. Dr. Fevzi Berisha;
1.11. Prof. Dr. Qëndrim Gashi;
1.12. Prof. Dr. Skender Kaçiu;
1.13. Dr. Sc. Shefkije Islamaj;
1.14. Dr. Sc. Anita Cucović dhe
1.15. Një anëtarë nga komuniteti serb.

Anëtari i pesëmbëdhjetë i Këshillit do të propozohet nga deputetët e komunitetit serb, gjatë diskutimit dhe miratimit në Kuvendin e Kosovës.

Kabineti Qeveritar ka miratuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të shpronësimit për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, në zonat kadastrale Softaj, Pojatë, Talinoc, Bibaj, Sojevë, Fshati i Vjetër, Komogllavë, Gërlicë dhe Rakaj të Komunës së Ferizajt.

Është miratuar vendimi preliminar për shpronësimet për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat prekën nga ndërtimi i Fabrikës së riciklimit dhe përpunimit të nënprodukteve shtazore në Sankoc të Komunës së Drenasit.

Edhe vendimi përfundimtar për shpronësimin me krijimin e të drejtës së servitutit sendor për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i trasesë për vendosjen e tubacioneve për ngrohjen publike nga Termocentrali “Kosova B” deri te ngrohtorja e qytetit të Prishtinës, është miratuar sot në mbledhjen e kabinetit qeveritar.

Qeveria ka miratuar nismën e Ministrisë së Financave për negocimin e Marrëveshjes me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e përmirësimit të sistemit të arsimit në Kosovë.

Është miratuar nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare dhe për dhënien e garancisë shtetërore për projektin e blerjes së autobusëve për Ndërmarrjen Publike Lokale “Trafiku Urban” në Prishtinë.

Edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërkombëtare për bashkëpunim në fushën e sigurisë, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, është aprovuar në parim nga kabineti qeveritar.

Miratimin e Qeverisë e ka marr edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes Financiare për IPA 2014, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Me vendime të veçanta, Qeveria e Republikës së Kosovës ju ka vazhduar kontratat edhe për një mandat në periudhë trevjeçare, zyrtarëve në pozita të nivelit të lartë drejtues:
1.         Fitim Krasniqi, sekretar i përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit;
2.         Besnik Osmani, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal;
3.         Demush Shasha, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Integrimeve Evropiane;
4.         Teuta Danuza, drejtore e Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë;
5.         Bedri Dragusha, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Efiçencë të Energjisë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik;
6.         Murat Meha, kryeshef i Agjencisë Kadastrale të Kosovës në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor;
7.         Gazmend Mejzini, kryeshef i Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë;

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Këshillit Kombëtar për Investime. Këshilli do të shërbej si platformë përmes të cilës do të diskutohen planet e financimit për secilin hap të ndërlidhur me projektet infrastrukturore nga Lista Prioritare e Projekteve Infrastrukturore. Për më tepër, qëllimi i Këshillit është që të siguroj sinergji në mes të burimeve të ndryshme të financimit.

Këshilli ka përbërjen si vijon:
– Ministri i Financave, bashkë-kryesues;
– Ministri i Integrimit Evropian, bashkë-kryesues;
– Ministri i Punëve të Jashtme, anëtar;
– Ministri i Zhvillimit Ekonomik, anëtar;
– Ministri i Infrastrukturës, anëtar;
– Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, anëtar;
– Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, anëtar;
– Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, anëtar;
– Ministri i Kthimit dhe Komuniteteve, anëtar;
– Kryesuesi i Grupit Drejtues për Planifikim Strategjik, anëtar.
 

Last modified: 8 Korrik, 2015

Comments are closed.