Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi zhvillon takim me përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit të bizneseve në kuadër të dialogut të rregullt për vlerësimin e zbatimit të Planit të Veprimit për Agjendën e Reformave Evropiane

2 Mars, 2022

 

Prishtinë, 2 mars 2022

 

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, zhvilloi takimin e radhës me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit të bizneseve në kuadër të dialogut të rregullt për vlerësimin e zbatimit të Planit të Veprimit për Agjendën e Reformave Evropiane, ERA II.

 

Në takim u diskutua mbi procesin e Integrimit Evropian dhe nevojën për koordinim të institucioneve dhe bashkëpunim nga shoqëria civile dhe komunitetet e bizneseve. Zëvendëskryeministri Bislimi, u shpreh se Qeveria e Republikës së Kosovës i sheh akterët e shoqërisë civile dhe komunitetin e biznesit si partnerë në procesin e Integrimit Evropian ku secila palë mund të japë kontributin e vet.

 

Gjithashtu, në takim u diskutua mbi prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në Agjendën Evropiane për vitin 2022 dhe planin për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Duke marrë parasysh zotimin tonë për të aplikuar për anëtarësim, kemi shtuar dinamikën e punës për të avancuar në prioritetet kryesore për këtë vit nga ERA-II si Sundimi i Ligjit, Qeverisja e mirë dhe demokratizimi, vazhdimin dhe intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, rimëkëmbja ekonomike, duke adresuar pasojat e pandemisë dhe krijuar punësim, investim në shëndetësi dhe arsim si dhe zbatimin e Programit për Reforma Ekonomike 2022-24.

 

Si Qeveri, do punojmë maksimalisht që reformat që rrjedhin nga agjenda e BE-së, të jenë bosht në çdo dokument strategjik që lidhet me të ardhmen e vendit si ERA II, e cila është aprovuar vitin e kaluar, PSO 2022-25 dhe Agjendën Legjislative 2022 si dhe PKZMSA 2022-26, e cila pritet të aprovohet në Qeveri dhe në Kuvend. Gjithashtu, jemi duke punuar në Planin Zhvillimor Kombëtar 2030 si dhe Strategjinë për Zhvillim të Energjisë dhe Strategjinë për Reformën e Administratës Publike.

 

Zëvendëskryeministri Bislimi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe ftoi shoqërinë civile dhe komunitetin e biznesit për bashkëpunim në monitorim dhe zbatim të reformave, po ashtu edhe në aktivitete të diplomacisë publike që do të kemi mundësi t’i organizojmë së bashku gjatë vitit.

Last modified: 2 Mars, 2022

Comments are closed.

×