Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në Kuvend: Projektligji për Financimin e Subjekteve Politike e rritë besimin në zgjedhje të lira e demokratike

22 Shkurt, 2022

Prishtinë, 22 shkurt 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka paraqitur dhe arsyetuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike.

Në mungesë të konsensusit politik, për një kohë të gjatë projektligji në fjalë është zhvendosur nga një institucion në tjetrin, deklaroi kryeministri Kurti në fillim të fjalës së tij. Ndërkaq me qëllim arritjen e kësaj pajtueshmërie, kryeministri tha se Zyra e tij ka organizuar tryezë diskutimi, në të cilën janë ftuar përfaqësues të partive politike, anëtarë të shoqërisë civile dhe ekspertë të ndryshëm, që kanë punuar në këtë projektligj. Megjithatë, kësaj ftese iu ishin përgjigjur vetëm dy grupe parlamentare, ai 6+ dhe i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Ai tha se ky projektligj është i domosdoshëm për krijimin e transparencës të financimit të partive politike, me qëllim të fuqizimit të luftës kundër korrupsionit.

“Shkeljet e ndryshme të raportuara në media kanë shpërfaqur financimin e jashtëligjshëm të partive politike dhe ndërlidhjes me korrupsionin. Pyetja legjitime nga secili qytetar është se si do të luftojnë korrupsionin në qeveri ato parti, të cilat nuk janë në gjendje të tregojnë burimet e financimit të tyre?”, tha kryeministri Kurti në foltoren e Kuvendit.

Për më tepër, shtoi ai, se zgjedhjet janë baza e demokracisë dhe ato varen nga një elektorat i mirëinformuar, i cili zgjedhjen e bënë mbi bazën e fakteve. Andaj, zgjedhjet nuk mund të jenë rezultat i grupeve lobuese apo interesave speciale të cilat “investojnë” në politikanin e përveçëm, i cili këtë investim do e kthejë përmes tenderëve e licencave shtetërore, theksoi ai.

Pasi prezantoi parimet bazë të projektligjit, kryeministri Kurti i ftoi deputetët e Kuvendit, që të votojnë në parim këtë projektligj, që siç theksoi ai, do të vendosë rregulla të financimit të subjekteve politike, të cilat e rrisin besimin në zgjedhje të lira e demokratike.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës

I nderuari Kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,

Të nderuar deputetë,

I nderuar kabinet qeveritar,

Projektligji për Financimin e Partive Politike është për një kohë të gjatë në tryezën e Qeverisë, e pastaj edhe të komisioneve parlamentare, duke u zhvendosur nga një institucion në tjetrin, si pasojë e mungesës së konsensusit politik.

Me synim arritjen e pajtueshmërisë ndërmjet partive politike për formën përfundimtare të këtij projektligji, Zyra e Kryeministrit ka organizuar tryezë ku ka ftuar përfaqësues të partive politike, përfshirë edhe shoqërinë civile e ekspertë të ndryshëm, që kanë punuar në këtë projektligj. Dy grupe parlamentare, 6+ dhe ai i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i janë përgjigjur ftesës. Në këtë mënyrë, e në mungesë të pranisë së partive tjera, konsensusin nuk e kemi arritur.

Miratimi i këtij Projektligji është pjesë e Agjendës Evropiane për Reforma dhe rekomandim i Raportit të Komisionit Evropian për Vendin, por edhe kërkesë e qytetarëve dhe shoqërisë civile për transparencë në financat e partive politike. Si Qeveri, jemi zotuar, që këtë projektligj ta sjellim në Kuvend dhe këtë e kemi bërë. Mirëpo, është përgjegjësi e jona kolektive, që këtë Projektligj ta miratojmë sa më parë.

Ky projektligj është i domosdoshëm për krijimin e transparencës të financimit të partive politike, e në qëllim të fuqizimit të luftës kundër korrupsionit. Për ne, është e rëndësishme, që projektligji të përcaktojë qartë burimet e financimit, shumat e lejueshme dhe të ofrojë transparencë maksimale.

Zgjedhjet janë baza e demokracisë dhe ato varen nga një elektorat i mirëinformuar, i cili zgjedhjen e bënë mbi bazën e fakteve. Ato nuk mund të jenë rezultat i grupeve lobuese apo interesave speciale, të cilat “investojnë” në politikanin e përveçëm, i cili këtë investim do e kthejë përmes tenderëve e licencave shtetërore.

Përmes Projektligjit për Financimin e Partive Politike rritet transparenca dhe llogaridhënia ndaj publikut dhe me këtë, vota arsyetohet.

Shkeljet e ndryshme të raportuara në media kanë shpërfaqur financimin e jashtëligjshëm të partive politike dhe ndërlidhjes me korrupsionin. Pyetja legjitime nga secili qytetar është se si do të luftojnë korrupsionin në qeveri ato parti, të cilat nuk janë në gjendje të tregojnë burimet e financimit të tyre?

Financimi i partive politike duhet bërë mbi bazën e një kornize të mirë ligjore, e cila duhet të bazohet, për bindjen tonë, në këto parime:

– balancë e arsyeshme ndërmjet financimit publik dhe privat;

– kritere të drejta në lidhje me shpërndarjen e kontributeve ndaj partive politike;

– rregulla lidhur me donacionet;

– vendosjen e kufirit të shpenzimeve të ndërlidhura me kampanjat elektorale;

– transparencë e llogarive bankare;

– përcaktim të autoritetit të pavarur të auditimit dhe sanksioneve për partitë dhe kandidatët që shkelin rregullat.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Projektligji për Financimin e Partive Politike e bën këtë. Ai është i bazuar në Opinionin e Komisionit të Venecias.

Baza e këtij Projektligji është fuqizimi i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike. Kjo Zyrë, përmes dispozitave të këtij Projektligji do të depolitizohet e do të ketë edhe kompetencë për vënie të gjobave.

Janë vendosur parime mbi kontrollin financiar të subjekteve politike e janë siguruar mekanizmat e brendshëm të auditimit të partive politike.

Nisur nga kjo, ju ftoj që të tregojmë përgjegjësi profesionale, por edhe morale e të votojmë në parim këtë projektligj, që do të vendosë rregulla të financimit të subjekteve politike, të cilat e rrisin besimin në zgjedhje të lira e demokratike.

Ju faleminderit.

Last modified: 22 Shkurt, 2022

Comments are closed.

×