Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Gjithmonë, duke respektuar dhe kujtuar të kaluarën, avancojmë vlerat e të sotmes, e të ardhmes sonë euroatlantike

1 Nëntor, 2010

Prishtinë, 1 nëntor 2010

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule pranë shtatores së Heroit të Kosovës, komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti, me rastin e ditëlindjes së tij të 48-të.

Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka shprehur respektin më të lartë shtetëror për dëshmorin Zahir Pajaziti, një prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftës së popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe shtet, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për çlirimin vendit.

Duke folur për shëmbëlltyrën e Heroit Zahir Pajaziti, kryeministri Thaçi tha se Zahir Pajaziti ka bashkuar njerëzit në Kosovës në luftë kundër Serbisë.

“Gjithmonë duke respektuar dhe kujtuar të kaluarën, avancojmë vlerat e të sotmes, e të ardhmes sonë euroatlantike”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se  Kosova sot është shtet i konsoliduar dhe është duke u fuqizuar me pretendime dhe vizion të qartë për t’u integruar në NATO dhe Bashkim Evropian.

“E gjithë kjo është rezultat  i punës, sakrificës së dëshmorëve të lirisë, familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, luftëtarëve të lirisë, është meritë e gjithë popullit të Kosovës. Pra, është një respekt shtetëror për të kaluarën, por edhe zotim, fuqizim dhe marrje e energjive të reja për të ardhmen”, theksoi Kryeministri.

Last modified: 1 Nëntor, 2010

Comments are closed.