Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Nuk kam detyrë më të rëndësishme sesa të mbroj jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, me të gjitha mjetet që Qeveria i ka në dispozicion

5 Dhjetor, 2021

 

Prishtinë, 5 dhjetor 2021 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, dr. Rifat Latifi, në një konferencë për media, kanë prezantuar masat e reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, që do të hyjnë në fuqi prej nesër, 6 dhjetor 2021.

Duke folur për situatën në vend, kryeministri Kurti theksoi se fillimi i dhjetorit na gjen me situatën epidemiologjike më të qetë, jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe në të gjithë Evropën. Këtë rezultat të shkëlqyer e kemi arritur të gjithë neve bashkë — institucionet shtetërore në bashkëpunim me qytetarët e Republikës, tha ai.

Ai veçoi katër rreziqet me të cilat do të përballemi shumë shpejt, në një valë të re gjatë javëve dhe muajve në vijim, dhe ritheksoi domosdoshmërinë e rritjes së vigjilencës sonë.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës, nuk kam detyrë më të rëndësishme sesa të mbroj jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, me të gjitha mjetet që Qeveria i ka në dispozicion. Për këtë arsye, dhe vetëm për këtë arsye, kemi marrë masa kufizuese, edhe brenda vendit, edhe në pikat kufitare,” tha kryeministri Kurti.

Ai tha se vazhdimisht janë duke u shqyrtuar të dhënat më të reja të dala prej institucioneve botërore shëndetësore, mbi të cilat do të përditësohen masat sa herë të ketë nevojë, konform situatës dhe shkallës së rrezikshmërisë.

Për të inicuar dhe kalibruar rekomandimet e reja kundër COVID-19, duke pasur në vëmendje variantin e ri, Omicron, veçoritë  tij të njohura deri tani si dhe situatën epidemiologjike të rënduar në vendet tjera ballkanike dhe evropiane, Ministria e Shendetësisë  ka marrë rekomandimet nga institucionet tona dhe ekspertet shëndetësor, ka konsultuar të dhënat shkencore kredibile, rekomandimet e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë Covid-19,  ministritë dhe agjencitë shtetërore të linjës si dhe hisedarët e tjerë.

Duke theksuar se ndonëse Kosova gjatë kësaj periudhe ka bërë një përparim të konsiderueshëm në vaksinimin kundër COVID-19, duke arritur të imunizoj në një përqindje të lartë grupet e synuara,  ministri Latifi tha se është shumë e nevojshme të shtojmë intensitetin e vaksinimit të plotë, ngase vaksina, sipas të gjitha studimeve te publikuara ul ndjeshëm rrezikun nga format e rënda të sëmundjes dhe nga vdekja.

Treguesit e situatës epidemiologjike na bëjnë që në proporcion edhe me rreziqet e mundshme shëndetësore të reagojmë në parandalimin e përhapjes së virusit, gjithmonë të bazuara në Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në Republikën së Kosovës, dhe brenda kapaciteteve të sistemit tonë shëndetësor për të përballuar çfarëdo situate që mund të shfaqet në vijim, tha ai. 

Duke kërkuar mirëkuptimin e popullatës për masat, Ministri Latifi bëri thirrje që ato të respektohen, sepse, rikujtojmë që çdo valë tjetër e COVID-19, mund të jetë po aq e rëndë sa ishte edhe vala e fundit e cila kishte pasoja të rënda dhe u përballua më vështirësi.

Ministri Latifi prezantoi masat e reja, për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19:

–          Të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës, duhet  të posedojnë certifikatën e vaksinimit të plotë;

–          Kur personi është i vaksinuar vetëm me një dozë, krahas saj do të kërkohet testi RT-PCR negativ ose  dëshmia se personi ka kaluar Covid-19;

–          Nga 03 janar 2022, për hyrje në Republikën e Kosovës do të vlej vetëm dëshmia e vaksinimit të plotë;

–          Për të inkurajuar vaksinimin dhe për të lehtësuar qasjen e qytetarëve në vaksinim, në Aeroportin e Prishtinës, dhe në pikat kryesore kufitare tokësore do të vendosen ekipet mobile të vaksinimit;

–          Tash qe ka filluar vaksinimi edhe i qytetarëve mbi 12 vjeç e tutje, nga kërkesa për të poseduar njërën nga dëshmitë e lartpërmendura, mes disa kategorive, do të lirohen personat nën 12 vjeç, personat me dëshmi mjekësore që kanë kundër indikacione shkencërisht të vërtetuara për mosvaksinim. Personat e tillë duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë, si dhe disa kategori tjera;

–          Për të evituar mbingarkesën spitalore, mbylljen e shkollave dhe të ekonomisë, punonjësve në institucionet publike dhe ato private, udhëtarët që shërbehen me transportin publik dhe privat, nxënësit dhe studentët, shfrytëzuesit e qendrave tregtare dhe të gastronomisë do t’u kërkohen dëshmitë si vaksinimi i plotë; ndërsa kur është i pjesshëm, bashkë me dëshminë e shërimit apo rezultatin negativ të testit RT-PCR. 

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në konferencën për media:

Të nderuar gazetarë, të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Prej fillimit të pandemisë, motoja e Qeverisë sonë ka qenë dhe vazhdon të jetë: “Pa panik, por me kujdes të shtuar”. Fillimi i dhjetorit na gjen me situatën epidemiologjike më të qetë, jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe në të gjithë Evropën. Këtë rezultat të shkëlqyer e kemi arritur të gjithë neve bashkë — institucionet shtetërore në bashkëpunim me qytetarët e Republikës. Megjithatë, rreziku i lartë për një valë të re gjatë javëve dhe muajve në vijim, na detyron përsëri që të rrisim vigjilencën tonë. Përkatësisht, janë katër rreziqe me të cilat do të përballemi shumë shpejt:

Së pari, festat e fundvitit në Kosovë shoqërohen me ardhjen e një pjese të konsiderueshme të mërgatës sonë nga jashtë. Ky shtim i përkohshëm i popullsisë në vendin tonë, bashkë me grumbullimet e shumta festive të fundvitit, e rrit dukshëm mundësinë e ngjarjeve supershpërndarëse, duke paraqitur rrezik të lartë për jetën dhe shëndetin jo vetëm të banorëve të Kosovës, por edhe të vetë mërgimtarëve. 

Së dyti, situata epidemiologjike nëpër Evropë vazhdon të jetë tejet e rëndë, sidomos në disa vende ku banojnë një numër i madh i mërgimtarëve tanë, sikurse në Gjermani dhe Zvicër. Pra, shtimi i numrit të udhëtarëve prej këtyre vendeve, e rrit mundësinë që gjendja epidemiologjike të përkeqësohet në mënyrë të ngjashme edhe këtu tek ne në Kosovë. 

Së treti, Kosova ka shkallë më të ulët të vaksinimit sesa këto vende evropiane, gjë që e bën një valë të re të infektimeve edhe më të mundshme e më të rrezikshme gjatë javëve dhe muajve në vijim. 

Së katërti, e më e rëndësishmja, ditëve të fundit është shfaqur në Afrikën e Jugut një variant i ri i virusit Corona, i quajtur varianti “Omicron”. Ky variant është përhapur tashmë në të paktën 38 vende të botës, duke përfshirë 18 vende evropiane. Po ashtu, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar si “variant shqetësues” dhe ka paralajmëruar mundësinë e “pasojave të rënda” nga valët e shkaktuara prej këtij varianti.

Sipas të dhënave paraprake nga Afrika e Jugut, varianti i ri ka gjasë të përhapet mbi dy herë më shpejt sesa varianti Delta, si dhe e rrit dukshëm rrezikun e ri-infektimit të atyre që janë infektuar më përpara nga një variant tjetër i virusit Corona. Por ajo që është më shqetësuese është se varianti Omicron, të paktën deri tash, po shkakton shumë më shumë hospitalizime të fëmijëve sesa variantet e mëhershme, sidomos të fëmijëve nën moshën pesëvjeçare. Sipas autoriteteve shëndetësore të Afrikës së Jugut, gati të gjithë këta fëmijë, prindërit i kanë pasur të pavaksinuar. Kjo është edhe një dëshmi më tepër, pra, që mjeti ynë më i fortë dhe më efikas për të mbrojtur vetveten dhe të tjerët përreth nesh, mbetet vaksinimi masiv.

Të dashur qytetarë,

si kryeministër i Republikës së Kosovës, nuk kam detyrë më të rëndësishme sesa të mbroj jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, me të gjitha mjetet që Qeveria i ka në dispozicion. Për këtë arsye, dhe vetëm për këtë arsye, kemi marrë masa kufizuese, edhe brenda vendit, edhe në pikat kufitare, duke marrë parasysh rreziqet që i ceka më herët. Megjithatë, jemi vazhdimisht duke shqyrtuar të dhëna më të reja të dala prej institucioneve botërore shëndetësore, mbi të cilat ne do të përditësojmë masat sa herë të ketë nevojë, konform situatës dhe shkallës së rrezikshmërisë. Në këtë drejtim, zotimi im për qytetarët tanë brenda dhe jashtë vendit është se, momentin e parë që rreziqet e lartpërmendura zbuten, apo dalin të jenë më pak serioze sesa po që duken fillimisht, Qeveria do të marrë vendim të menjëhershëm për lehtësimin e masave kufizuese,  gjithmonë pa e rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

 

Last modified: 5 Dhjetor, 2021

Comments are closed.

×