Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë

2 Dhjetor, 2021


Prishtinë, 2 dhjetor 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi dhe këshilltarja ligjore, Tea Blakaj, priti në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë: të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Giacobbe, ambasadorin e Gjermanisë, Joern Rohde, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, zëvendesambasadorin e Francës në Kosovë, Francois Cypien, ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, dhe Përfaqësuesin e Posaçëm e Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në vend. Kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët për punën dhe vendimet e Qeverisë në përmbushje të prioriteteve të programit qeverisës. Për masat e fundit kundër pandemisë COVID-19, që i përgjigjen situatës pandemike dhe monitorimin e vazhdueshëm, që institucionet shëndetësore po i bëjnë variantit Omicron dhe për procesin e vaksinimit, si mënyra më efikase për t’u mbrojtur nga virusi dhe variantet e tij.

Kryeministri po ashtu foli për përkushtimin e Qeverisë për reformat në vend dhe integrimin Evropian dhe euro-atlantik të vendit dhe rëndësinë, që bashkëpunimi me shtetet e QUINT-it ka në arritjen e këtyre synimeve. Ai falënderoi ata për mbështetjen e vazhdueshme, që si shtete partnere dhe mike i kanë ofruar shtetit dhe popullit të Kosovës.

Në fund të takimit u nënshkrua Marrëveshja e Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për vazhdimin e shfrytëzimit të ndërtesës në të cilën janë të vendosura zyrat e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Last modified: 2 Dhjetor, 2021

Comments are closed.

×