Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: FSK-ja ka bërë punë me të cilën secili prej nesh ndjehet krenar

26 Nëntor, 2014

Prishtinë, 26 nëntor 2014

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të Ditës së FSK-së, që është mbajtur në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi:

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, zonja Jahjaga
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra, deputetë
I nderuar Komandant i KFOR-it
E nderuara ambasadore Jacobson
Të nderuar ambasadorë të vendeve të Bashkimit Evropian, të vendeve mike
Të nderuar oficerë, nënoficerë dhe ushtarë,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim t’Ju përshëndes dhe t’Ju uroj Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ditën e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Më 21 janar mbushen 6 vjet që nga themelimi i njërit prej institucioneve më të rëndësishme dhe më prestigjioze të Republikës së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sot, kur festojmë ditën e FSK-së, Kosova ka kaluar një sfidë dhe periudhë të vështirë politike, por që së shpejti kjo do të rezultojë me ndërtimin dhe funksionimin institucioneve të reja, Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës.

Njëra ndër prioritetet e institucioneve që do të funksionalizohen së shpejti është edhe zotimi për t’i kaluar të gjitha procedurat legale dhe juridike që FSK-ja të transformohet sa më shpejt në Forca të Armatosura të Kosovës.

Dhe arsyet për të ndodh një transformim i tillë qëndrojnë pikërisht tek të arriturat e mëdha dhe të përditshme të punës së oficerëve, nënoficerëve, në krye me strukturat drejtuese të FSK-së.

FSK-ja ka bërë punë me të cilën secili prej nesh ndjehet krenar.

Jemi krenarë që FSK-ja, si institucion prestigjioz dhe profesional, sot funksionon në kapacitete të plota, e gatshme dhe e aftë për të përmbushur misionin e saj për çkado që kërkohet prej saj.

FSK-ja, duke bashkëpunuar ngushtë me NATO-n dhe KFOR-in sot është e gatshme që të kryejë të gjitha obligimet brenda në Kosovë, por edhe ato në rang të marrëveshjeve rajonale me shtetet përreth nesh Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, por edhe me Kroacinë dhe Slloveninë.

Të arriturat e FSK-së janë rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë dhe të frytshëm me gardën Nacionale të Ajovës së SHBA-ve, me Ministrinë e Mbrojtjes të shteteve mike si të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Italisë, por edhe të Letonisë e Lituanisë dhe vendeve tjera.

Falë këtij bashkëpunimi kuadrot e FSK-së specializohen në kolegjet më të avancuara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Kroacisë, Turqisë dhe vendeve tjera. Edhe me këtë rast këtyre shteteve u shprehim dhe i falënderojmë për ndihmën dhe përkrahjen e tyre.

FSK-ja, falë trajnimeve, profesionalizmit, përkushtimit dhe përgjegjësisë, luajti rol të rëndësishëm gjatë intervenimeve me karakter humanitar pas vërshimeve në Shqipëri në vitet 2010 -2011.

Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar qytetarë,

Kur shënojmë Ditën e FSK-së, ne vërtetë krenohemi me të arriturat e saj.

FSK-ja është pjesë e iniciativave rajonale dhe përpjekjeve që të jetë e barabartë me shtetet anëtare të Kartës së Adriatikut.

Duke bashkëpunuar ngushtë me Gardën e Ajovas, KFOR-in, duke marrë pjesë në ushtrime të përbashkëta, duke profesionalizuar  kapacitetet e saj, FSK-ja do ta thellojë partneritetin për paqe me NATO-n si fazë fillestare deri në anëtarësimin e plotë në NATO, si objektiv dhe vizion i yni madhor.

Perspektiva euroatlantike e FSK-së do të jetë prioritet i qeverisë së re që do të formohet në ditët e ardhshme.

FSK-ja ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në rrafshin e përfshirjes brenda strukturave të pjesëtarëve të komuniteteve pa dallim etnik.

Prandaj, përfshirja e minoriteteve në FSK është tregues se sa seriozisht trajtohen pakicat në Kosovë.

Ne ndihemi krenar që po ndërtojmë Kosovën e re, Kosovën evropiane, Kosovën multietnike, me institucione të përbashkëta të të gjithë qytetarëve të saj.

Madje, FSK-ja ka qenë shumë aktive në projektet që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve të jetës së banorëve kudo në Kosovë, duke ndihmuar në ndërtimin e rrugëve dhe infrastrukturës, veçanërisht në vendbanime me popullatë serbe.

FSK-ja është shembull pozitiv i përfshirjes së gjinisë femërore në strukturat e saj, duke treguar se barazia gjinore është prioritet.
           
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar oficerë, nënoficerë dhe ushtarë,

Ju sigurojmë që institucionet që kanë dalë nga vota e lirë e qytetarëve të Kosovës do të marrin vendime të shpejta dhe të pritura për kriijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Të gjitha parakushtet politike dhe legale do të arrihen që FSK-ja të bëhet Forcë e Armatosur e Kosovës, e gatshme që të kryejë misionin në kuadër të strukturave euroatlantike.

Kosova si shtet i ri dhe demokratik do të jetë shembull i paqes, bashkëpunimit rajonal dhe e gatshme për të qenë pjesë e botës demokratike, duke marrë pjesë në të gjitha iniciativat që promovojnë paqen kudo në botë.

Urime Dita e Forcës, Dita e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Last modified: 26 Nëntor, 2014

Comments are closed.