Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Jemi duke punuar maksimalisht për implementimin dhe për mbylljen e procesit të pavarësisë së mbikëqyrur

14 Qershor, 2010

Prishtinë, 14 qershor 2010

Pas drekës së punës që u shtrua nga Presidenti i Republikës për anëtarët e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën në një konferencë shtypi, kryeministri Hashim Thaçi theksoi se ky takim hapi një kapitull të ri për Republikën e Kosovës në prag të prezantimit të opinionit në GJND, ku edhe pas këtij opinioni për Kosovën do të ketë vetëm ecje përpara, njohje të reja, proces integrues edhe më të shpejt për në NATO, BE e pse jo edhe në OKB.

“Jemi duke punuar maksimalisht për implementimin dhe për mbylljen e procesit të pavarësisë së mbikëqyrur, Kosova është duke ndërtuar institucionet e veta kredibile për të marrë përgjegjësi që i takojnë në bazë të kushtetutës dhe ligjeve, duke respektuar këshillat edhe të ICO-së dhe mandatit të EULEX-it, për të ndërtuar raporte të mira me të gjithë fqinjët në këtë drejtim edhe me Serbinë si dy shtete të veçanta”, theksoi kryeministri Hashim Thaçi. 

Duke u përgjigjur në interesimin e medias lidhur me vendosmërinë në luftë kundër korrupsionit, kryeministri Thaçi u përgjigj:

“Sundimi i ligjit është ndër sfidat kryesore për Republikën e Kosovës. Nuk do të lejohet interferimi politik në këtë drejtim, do të punohet maksimalisht që të jemi në vijën që na takon si institucione të Kosovës pasi kemi ndërtuar kapacitet dhe kemi fuqi që të marrim vendime që na takojnë, por edhe përgjegjësi, duke vlerësuar rolin e partnerëve ndërkombëtar”.

Më tej, kryeministri Thaçi shtoi se “kemi vendosmëri, kapacitet dhe mundësi për të qenë bartës të këtyre angazhimeve për sundim të ligjit, duke shfrytëzuar edhe përvojën mbështetëse ndërkombëtare. Edhe në këtë drejtim duhet të kemi angazhime të përbashkëta të institucioneve të  Kosovës dhe atyre ndërkombëtare”. 

Last modified: 14 Qershor, 2010

Comments are closed.