Zyra e Kryeministrit

Mesazhi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 12 qershorit, Ditës së Paqes

11 Qershor, 2010

Prishtinë, 11 qershor 2010

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

12 Qershori, Dita e Paqes, shënon Ditën e fillimit të Epokës së Lirisë, ditë me të cilën çdo qytetar i vendit tonë ndihet krenar.

Në këtë ditë të madhe shënojmë kujtimin për të gjithë dëshmorët e lirisë, për martirët tanë, për të gjithë qytetarët që dhanë jetën në rrugëtimin e gjatë për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Sot, në njëmbëdhjetë vjetorin e çlirimit të Kosovës, kujtojmë simbolin e sakrificës së gjithë popullit të Kosovës, babain e Pavarësisë së Kosovës, komandanti tonë legjendar, Adem Jashari dhe familjen e tij heroike.

Përmasa madhore dhe historike Ditës së Paqes, sot më 12 qershor 2010, i jep realiteti i shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës, një shtet me qeverisje të mirë, efektive dhe transparente, duke garantuar mbrojtjen afirmative të të drejtave të të gjitha komuniteteve në vendin tonë.

Republika e Kosovës, në shënimin e Ditës së Paqes këtë vit, është e njohur nga 69 shtete të botës, si dhe po arrin suksese të vazhdueshme në të gjitha fushat, që nga avancimi i infrastrukturës së gjithanshme, në arsim, në zhvillimin ekonomik dhe në sfera tjera.

 

Në Ditën e Paqes, kujtojmë se Republika e Kosovës, është pranuar anëtare me të drejta të barabarta e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe së shpejti edhe në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duke e hapur kështu rrugën e pandalshme të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Përvjetori i njëmbëdhjetë i çlirimit, Republikën e Kosovës e gjen me fillimin e realizimit të projektit të përmasave historike – Autostradës Vërmicë-Prizren–Prishtinë-Merdarë, Autostradës së Kombit. Ëndërra e kahmotshme e qytetarëve të Kosovës për lëvizje të lirë, për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, për integrim, po fillon të bëhet realitet.

Në përvjetorin e njëmbëdhjetë të lirisë, ne jemi para prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ju siguroj se çfarëdo që të jetë vendimi, ne duhet të vazhdojmë të ecim përpara dhe ne do ta kemi mbështetjen e miqve dhe partnerëve tanë. Republika e Kosovës do të ketë njohje të reja dhe do të hapet kapitulli i ri, kapitulli i integrimeve për shtetin e Kosovës.

Në kuadër të përkushtimeve tona për qeverisje të mirë, po punojmë fuqishëm për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit. Lufta e pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar është përkushtimi ynë më i fuqishëm për të ruajtur besimin dhe imazhin e shtetit tonë. Institucionet e Kosovës, do të jenë në vijën e parë në luftë kundër korrupsionit, duke vlerësuar lartë rolin mbështetës të institucioneve ndërkombëtare në vend.

Në Ditën e Paqes, falënderimi u takon edhe eprorëve dhe ushtarëve të aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO-s, të cilët në momentet më të vështira dhe më vendimtare u vunë në mbrojtje të vlerave të qytetërimit në Kosovë.

Në Ditën e Paqes, institucionet dhe populli i Republikës së Kosovës shprehin mirënjohjen e lartë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe të gjitha vendet e tjera demokratike, të cilat me përkrahjen e vazhdueshme dhe në të gjitha fushat e ndihmuan dhe po e ndihmojnë ndërtimin e shtetit tonë.

Gëzuar Dita e madhe e Paqes!

Last modified: 11 Qershor, 2010

Comments are closed.