Prishtinë, 11 qershor 2010
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka pritur David T. Johnson, Asistent i Sekretarit amerikan të Shtetit
Në takim zëvendëskryeministri Kuçi njoftoi mysafirin e lartë të administratës amerikane për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Ne kemi një partner të duhur siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ngritjen e kapaciteteve tona për sundimin e rendit dhe ligjit. Qeveria e Kosovës ka prezantuar garancitë e plota për reforma në fushën e rendit dhe ligjit, në fushën e gjyqësisë në ndërtimin e infrastrukturës ligjore po ashtu duke përfshirë edhe procesin e riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve duke i dhënë mbështetje që ky proces të përfundoj sa më shpejtë mundësisht brenda këtij viti”, theksoi zëvendëskryeministri Kuçi, duke shprehur besimin në sistemin e drejtësisë, profesionalizimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe policisë së Kosovës. Z. Kuçi ka premtuar bashkëpunim rajonal edhe me vendet e rajonit për luftimin e dukurive negative që mund të jenë tej kufitare.
“Qeveria e Kosovës ka vullnet dhe ka gatishmëri dhe guxim për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative dhe për këtë edhe do ta kemi rolin prijës si dhe bashkëpunimin me EULEX-in dhe me një mbështetje të miqve ndërkombëtarë do të jemi të suksesshëm në këtë drejtim”, theksoi mes tjerash z. Kuçi.
Asistenti i Sekretarit amerikan të shtetit, David T. Jonson theksoi se Amerika është e përkushtuar për shtetin e pavarur të Kosovës dhe për krijimin e një ambienti të qetë për të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë vend. “Amerika është e angazhuar që të ndihmoj Kosovën për të përmirësuar kushtet e të gjithë qytetarëve të saj, sepse ky është interesi ynë”, theksoi z.Jonson.
Last modified: 11 Qershor, 2010