Prishtinë, 11 qershor 2010
Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 128-të ka miratuar pesë projektligje dhe disa vendime nga fushëveprimi i saj kushtetues.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Thaçi ka thënë se pavarësisht nga opinioni që do të prezantohet nga Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi, për Kosovën do të ketë njohje të reja dhe do të hapet kapitulli i ri, kapitulli i integrimeve për shtetin e Kosovës.
Më tutje kryeministri Thaçi ka pohuar se pas suksesit të arritur me fillimin e ndërtimit të autostradës Vërmicë – Merdarë dhe suksesit të jashtëzakonshëm për koncesionimin e Aeroportit të Prishtinës, tani janë edhe tri projekte të rëndësishme për privatizimin e PTK-së, ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, dhe procesi i distribuimit të KEK-ut.
Qeveria sot ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/48 për Administratën Tatimore dhe Procedurat (MEF), Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-048, për Menaxhimin e Financave Publike (MEF), Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L- 177 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2010 (MEF), Projektligjin për Ujërat e Kosovës (MMPH), Projektligjin për Dhënien në shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës (MAPL).
Qeveria ka kthyer ne rishqyrtim edhe një herë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-0112 për tatimin e Normës së Akcizës në Kosovë (MEF). Ky projektligj pritet të qartësohet dhe do të miratohet në mbledhjen e radhës.
Qeveria sot ka diskutuar dhe ka miratuar Planin e Veprimit për Partneritet Evropian. Sipas ministrit Besim Beqaj, Plani i Veprimit për Partneritet Evropian përveç rolit të tij prioritar në kuadër të procesit të integrimit evropian, paraqet në vetvete një plan të avancuar për ndërmarrjen e reformave të brendshme institucionale dhe sektoriale.
Po sot është përkrahur nga kabineti qeveritar edhe Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2011-2013 (MEF), e cila paraqet analizën mbi mjedisin makroekonomik të Kosovës, dhe siguron bazën për deklaratën e politikave zhvillimore strategjike me prioritete të pajtuara nga ana e qeverisë. Ajo po ashtu prezanton një shpjegim të pakos themelore fiskale apo skenarin bazë përkundër së cilës do të përcaktohen kufijtë e financimit të prioriteteve qeveritare.
Qeveria ka marrë vendim përfundimtar për shpronësimin e tokave, pronave të paluajtshme në të cilat realizohet projekti i Autostradës Vërmicë – Merdare (MTPT). Sipas ministrit Fatmir Limaj Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit ka kërkuar inicimin e procedurës së shpronësimit për pjesët e pronave të paluajtshme në parcelat e zonave kadastrale, me qëllim të ndërtimit të infrastrukturës rrugore të Autostradës Vërmicë-Merdare, përkatësisht në pjesën e segmentit të zonave kadastrale Vërmicë, Zhur, Poslisht, Vlashnje, Prizren, Atmagjë, Dushanovë, Trepeticë, Petrova Sellë, Caprac, Shpenadi, Velezhë, Novak, në komunën e Prizrenit.
Është miratuar sot edhe Strategjia për Pronësi Intelektuale dhe Plani i Veprimit 2010–2014 (MTI). Qëllimi i Strategjisë për Pronësi Intelektuale është zhvillimi i një sistemi për mbrojtjen e pronës intelektuale në Republikën e Kosovës në pajtim me standardet ndërkombëtare, theksoi ministri Lutfi Zharku
Në bazë të Raportit të Komisionit Ndërministror për vlerësimin e dëmeve në pronat e pronarëve në fshatin Debellde, komuna e Vitisë, për periudhën 2001–2009 qeveria sot ka ndarë 530.000 euro. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se duke pasur parasysh mundësitë buxhetore për fazën e parë ndahen mjete në vlerë prej 200.000 Euro, dhe në fazat e mëvonshme të ndahet edhe shuma tjetër.
Qeveria ka marrë vendim që të ndaj 6.000 euro për Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës për financimin e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Drini Poetik”.
Po ashtu, qeveria ka ndarë 50 mijë euro për zhvillimin e hetimeve për identifikimin e një lokacioni ku dyshohet për varrezë masive me rreth 20 trupa të shqiptarëve.
Last modified: 11 Qershor, 2010