Prishtinë, 9 shkurt 2008
Mrekullisht ka dalë në sipërfaqe një garë nga ana e shteteve demokratike për njohjen e pavarësinë e Kosovës dhe për hyrjen në historinë botërore me veprimet e tyre njohëse të shtetit më të ri në botë. Kështu është thënë në takimin e sotëm në Kryeministri ndërmjet kryeministrit të Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe udhëheqësve të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri Thaçi më ketë rast ka njoftuar përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta, të cilëve u printe z. Faik Fazliu, për ecurinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Gjithçka do të shkojë siç është parashikuar. Kosova e ka planin e vet për çdo rrethanë. E ka planin e vet të festës, jo të shqetësimit. Pavarësia e Kosovës po ndërtohet në procesin e suksesit të plotë të institucioneve kosovare dhe partnerëve ndërkombëtarë”, ka theksuar kryeministri Thaçi.
Z. Thaçi ka shprehur bindur se Kosova është duke ecur drejt një procesi shumë të sigurt dhe shumë pozitiv, i cili do të jetë proces i gëzimit e i festës dinjitoze pas shpalljes së përcaktuar të pavarësisë së Kosovës.
Në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, z. Faik Fazliu, ka falënderuar kryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe ka thënë se shoqatat e luftës së UÇK-së janë të përgatitura që bashkë me institucionet tjera ta festojnë pavarësinë, sepse ato ishin pjesë e pandashme e kontributit për liri dhe pavarësi, por janë edhe pjesë e pandashme për krijimin e stabilitetit dhe paqes në vend
Last modified: 9 Shkurt, 2008