Prishtinë, 6 shkurt 2008
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, Ilkka Kanerva, të cilin e ka informuar për përgatitjet intensive që po bëhen rreth përmbylljes së statusit të Kosovës dhe rreth vendimit të institucioneve të Kosovës që të shpallet pavarësia së shpejti.
Z.Thaçi ka thënë në takim se Kosova është një tregim i suksesshëm i investimeve ndërkombëtare për ndërtimin e demokracisë, duke përsëritur edhe njëherë se populli i Kosovës do të jetë i informuar shumë shpejt për datën e shpalljes se pavarësisë.
Ministri i Punëve të Jashtme i Finlandës, Ikka Kanerva, ka thënë se vendi i tij do të mbaj qëndrim të njëjtë me vendet tjera të Bashkimit Evropian, si dhe ka shfaqur shpresën që edhe të gjitha vendet e BE-së do të kenë qëndrim unik sa i përket Kosovës. Z.Kanerva e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm zbatimin e Planit të Marti Ahtisarit dhe ka kërkuar nga institucionet e vendit një përkujdesje për minoritetet dhe garanci për të drejtat e tyre.
Last modified: 6 Shkurt, 2008