Prishtinë, 6 shkurt 2008
Kryeministri i Kosovës, z.Hashim Thaçi, ka udhëhequr sot për herë të parë takimin e Këshillit Ekonomik Fiskal (KEF), me ç’rast është miratuar projekt-buxheti i rishikuar i Kosovës për vitin 2008. Në këtë takim kanë marrë pjesë ministri i Ekonomisë dhe Financave, z. Ahmet Shala, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Sadri Ferati dhe përfaqësuesi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Andrea Vitkovski.
Kryeministri Thaçi ka lavdëruar punën e mirë që është bërë në formësimin e buxhetit të rishikuar për vitin 2008 dhe ka theksuar se janë respektuar procedurat në mënyrën më transparente dhe të disiplinuar gjatë rishikimit të buxhetit nga Qeveria e Kosovës. “Buxheti i rishikuar është shqyrtuar hollësisht dhe për të gjitha detajet janë konsultuar edhe ekspertët ndërkombëtarë, dhe në të janë përfshirë edhe fondet për luftën antiterrorizëm, ku përfitues do të jetë SHPK-ja, pastaj fondet për nivelin lokal, sport, ndërtimin e shkollave, rrugëve, dhe funksionimin e hekurudhës në linjën Prishtinë-Shkup”, ka thënë kryeministri Thaçi, duke vlerësuar më tej si të arritur të madhe që Qeveria e Kosovës ka arritur të rishikojë buxhetin brenda një muaji, në mënyrë që ta përcjell në Kuvendin e Kosovës.
Ministri i MEF-it, Ahmet Shala, ka bërë një prezantim të prioriteteve të përfshira në buxhetin e rishikuar dhe ka falënderuar të gjithë partnerët pjesëmarrës në hartimin e buxhetit. “Ishte një punë e mirë ekipore në këtë proces të rëndësishëm, në të cilin ka ekzistuar bashkëpunim i ngushtë ndërmjet resorëve qeveritarë, UNMIK-ut, institucioneve të tjera ndërkombëtare. Z. Shala është shprehur se qeveria ka pasur kohën e limituar për të rishikuar në mënyrë të detajuar të gjithë parametrat e buxhetit, porse mbetet për të shikuar edhe mundësitë e tjera të marrjes së donacioneve, në mënyrë që të bëhen ndryshime cilësore në sektorin publik.
Me këtë rast edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, të pranishëm në takimin e KEF-it, janë pajtuar plotësisht me këtë buxhet dhe kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që sa më shpjet ta miratojë atë.
Last modified: 6 Shkurt, 2008