Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon angazhimet e saja në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave

26 Maj, 2010

Prishtinë, 26 maj 2010

Udhëzimi Administrativ për nënshkrimin e kontratave publike me vlerë të mesme dhe atyre me vlerë të lartë, është aprovuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë. Ky Udhëzim Administrativ do të jetë në fuqi deri në miratimin e Ligjit për Prokurim Publik, dhe siguron që fondet publike të përdoren me transparencë dhe përgjegjësi të plotë. Udhëzimi administrativ përcakton që nënshkrimi i këtyre kontratave në të ardhmen, përveç nga drejtori i Prokurimit Publik, duhet të nënshkruhen edhe nga zyrtari më i lartë administrativë dhe nga udhëheqësi kryesor i agjencisë buxhetore.

Në kuadër të angazhimeve për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për  ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dokumentet e udhëtimit. Nevojën për ndryshimin dhe plotësimin e këtij  ligji e ka bërë të domosdoshme, përmbushja e kritereve për liberalizimin e vizave. Projektligji rregullon pajisjen e shtetasve të Republikës së Kosovës me pasaporta biometrike, të pajisura me çip, që është njëri nga kriteret për liberalizimin e vizave dhe qarkullimit të lirë të shtetasve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe Strategjinë për Ri-integrimin e Personave të Riatdhesuar. Ri-integrimi është rrjedhojë e procesit të riatdhesimit dhe paraqet një nga sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova gjatë periudhës së pas luftës. Numri i shtetasve që kanë lëshuar Kosovën më herët, gjatë dhe pas luftës, ka qenë i konsiderueshëm. Shtetet e Bashkimit Evropian nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë vendbanim të përhershëm apo të përkohshëm për këta shtetas, andaj, këta  persona duhet të riatdhesohen.

Në mbledhjen e sotme është vendosur që të ofrohen masa për lehtësimin e shlyerjes së borxheve të bizneseve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës. Masat e lirimit nga pagesa e kamatave ndëshkuese, me kusht të pagesës së borxhit tatimor kryesor të biznesit ndaj ATK-së, e aplikuar në fundvitin e 2008-ës, ka dhënë rezultate të mira dhe Qeveria e Kosovës ka vendosur që kjo masë të aplikohet deri me 30 nëntor të këtij viti, sipas kritereve të përcaktuara.
           

Qeveria ka aprovuar Rregulloren për themelimin e zyrës për të drejtat dhe pronën intelektuale. Rregullorja përcakton detyrat dhe mandatin e zyrës që do të themelohet në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Është aprovuar edhe plani operativ për zhvendosjen e familjeve Rome, Ashkali dhe Egjiptiane nga kampet e kontaminuar me plumb,  në lagjet Osterode dhe Lugu i Qeshmes në veri të Mitrovicës. Kjo është edhe një dëshmi për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj mirëqenies për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim etnie.

Gjithashtu, është themeluar Komiteti Drejtues Ndërinstitucional për mbikëqyrjen dhe koordinimin  e zbatimit të Planit të Veprimit të Strategjisë për Integrimin e Komuniteteve  Rom, Ashkali dhe Egjiptas, për periudhën 2009-2015. Komiteti Drejtues ndërinstitucional do të formohet me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucionet qendrore të Qeverisë së Kosovës dhe nga organizatat jo-qeveritare që përfaqësojnë komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për veprimtaritë kërkimore shkencore është hequr nga strategjia legjislative e Qeverisë së Kosovës për vitin 2010. Ky vendim është marr, me arsyetim nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për t’i dhënë kohë edhe më shumë angazhimit të gjithanshëm të botës akademike si dhe ekspertëve ndërkombëtar në hartimin e këtij ligji.

Qeveria e Kosovës ka aprovuar vendimin që në listën e liderëve institucional, që kanë të drejtë të pajisen me pasaportë diplomatike, të përfshihet edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Qeveria ka aprovuar gjithashtu edhe marrëveshjen e arritur në mes të Ministrisë së Administratës Publike, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe Sindikatës së Shërbyesve Civil për ngritjen e pagave të shërbyesve civil.

Në mbledhje është aprovuar edhe Strategjia për Sistemin e Integruar të Menaxhimit të Situatave Emergjente.

Last modified: 26 Maj, 2010

Comments are closed.