Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Politikat ekonomike dhe financiare të Kosovës përkrahen dhe janë në harmoni me rekomandimet e institucioneve kryesore financiare ndërkombëtare

27 Maj, 2010

Prishtinë 27 maj 2010

Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën për media, pas arritjes së marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar për një financim në vlerë prej rreth 110 milionë euro.

Të nderuar përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar,
Të nderuar përfaqësues të Bankës Botërore,
Përfaqësues të ambasadës amerikane, Komisionit Evropian, ICO-së

Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’ju falënderoj për kontributin tuaj për bashkëpunimin tonë shumë të mirë dhe të sinqertë, për një bashkëpunim shumë të përgjegjshëm në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për të arritur marrëveshjen në princip për integrimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë e veçantë që së bashku me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të shpall përfundimin e suksesshëm të negociatave dhe arritjen e marrëveshjes në parim për ndihmë buxhetore me FMN-në.

Programi me FMN-në i mundëson Kosovës përfitimin e ndihmës nga FMN-ja dhe donatorë të tjerë.

Ndihma nga Fondi Monetar Ndërkombëtar vendos Kosovën në rrugë të sigurt për realizimin e projekteve me rëndësi nacionale, si, autostrada Vërmicë-Prizren-Prishtinë-Merdare, reformën në sektorin e energjisë, edukim, privatizimin dhe reforma e telekomunikimit.

Bashkërisht, këto iniciativa e përshpejtojnë rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe zhvillimin e mëtutjeshëm ekonomik dhe rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve.

Dëshiroj t’i falënderoj gjithë ministrat dhe të gjithë ata që  kanë punuar me përkushtim për përmbylljen me sukses të negociatave me Fondin Monetar Ndërkombëtar, veçanërisht ministrin Shala dhe zëvendësministrin Hamza.

Marrëveshja është me rëndësi në procesin e filluar në qershor të vitit 2009 me anëtarësimin e Kosovës në FMN.

Që atëherë, Qeveria e Republikës së Kosovës, së bashku me FMN-në dhe Bankën Botërore ka analizuar mundësitë e përkrahjes financiare për zhvillimin më të qëndrueshëm ekonomik.

Sukseset e Qeverisë së Republikës së Kosovës deri më tani janë të qarta në këtë drejtim, në kohën kur kriza ekonomike botërore ka ndalur rritjen e shteteve më të zhvilluara, Republika e Kosovës ishte e vetmja në rajon me rritje pozitive ekonomike prej 4.4%.

Së bashku me partnerët ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës arriti në përfundim se ndihma nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, është mënyra më e mirë, më efikase për tu ballafaquar me këto sfida.

Sot, kam kënaqësinë të them edhe njëherë dhe pas një numri takimesh dhe negociatave të suksesshme, është arritur marrëveshja në parim në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Së bashku, me FMN-në është bërë planifikimi i duhur ekonomik, që i garanton Republikës së Kosovës rritje ekonomike rreth 6 % në vit.

Ky zhvillim ekonomik po ndodh në kohën kur bota po përballet me një krizë të ndjeshme ekonomike.

Programi i FMN-së për Kosovën nënkupton 110 milionë me kushte shumë të favorshme.

Plani për zhvillimin ekonomik i hartuar së bashku me FMN-në, gjithashtu hapë rrugë dhe përfshinë donacione të premtuara edhe nga Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore, pra 210 milionë gjatë tri viteve.

Bashkëpunimi me FMN-në dëshmon që të gjitha politikat ekonomike dhe financiare të Kosovës përkrahen dhe janë në harmoni me rekomandimet e institucioneve kryesore financiare ndërkombëtare.

Mbi të gjitha, dëshiroj t’i përgëzojë gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për këtë arritje të përbashkët dhe për këtë hap të madh drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit sa më të shpejt të Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike, para së gjithash në Bashkim Evropian.

Urime dhe faleminderit!

Last modified: 27 Maj, 2010

Comments are closed.