Prishtinë, 30 gusht 2010
Fjalimi i zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramë Manaj me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, në ceremoninë e rivarrimit të gjashtë martirëve në Fushë Kosovë
Të dashur bashkëfamiljarë,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, përfaqësues institucionesh,
zonja dhe zotërinj,
Më lejoni që në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve, t’i bashkohem dhimbjes dhe pritjes suaj të gjatë për fatin e më të dashurve tanë, fati i të cilëve ende nuk dihet, me gjithë kalimin e viteve. Sikur e dini, në Kosovë ende nuk dihet asgjë për fatin e mbi një mijë e tetëqind qytetarëve të Kosovës, të cilët u rrëmbyen me forcë nga policia, ushtria dhe paramilitarët serbë gjatë luftës së viteve 1998-‘99.
Po kështu, me lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës të theksoj solidarizimin e qeverisë me të gjithë botën demokratike, e cila shënon sot 30 gushtin – Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.
Si qenie njerëzore, para së gjithash, por edhe si njerëz që kemi marrë përgjegjësi për të udhëhequr institucione të përgjegjshme të vendit, nuk mund të mos ndjejmë thellë dhimbjen për më të dashurit tanë, sikur që nuk mund të mos u bashkohemi thirrjeve të mijëra nënave, motrave, bijve e bijave gjithandej Kosovës për t’u angazhuar në të gjitha instancat për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
Ju siguroj se ne po bëjmë gjithë ç’është e mundur për të zbardhur çdo rast dhe qeveria, sikur mund ta dini, ka hartuar një plan shumëdimensional veprimi, i cili synon mbi të gjitha kërkimin për vendet në të cilat mund të ketë varreza masive brenda dhe jashtë Kosovës, pastaj identifikimin e mbetjeve mortore etj. Ne do të vazhdojmë të kujdesemi në rrafshin institucional që familjarët e të zhdukurve të kenë të garantuar me ligj përkujdesje dhe përkrahje të vazhdueshme shtetërore.
Institucionet e Republikës së Kosovës tashmë e kanë shtruar në çdo instancë ndërkombëtare çështjen e të zhdukurve, duke kërkuar që të rritet presioni ndaj Serbisë, me qëllim që ajo t’i paraqesë të gjithë të dhënat që ka për secilin rast.
Por, ne konsiderojmë se asnjë përpjekje nuk është e mjaftueshme përderisa fati i të gjithë familjarëve tanë të mos jetë i ndriçuar. Është përgjegjësi e madhe jona të kërkojmë të dimë më shumë për fatin e tyre, dhe ju siguroj se ne po e bëjmë pikërisht këtë.
Komisioni qeveritar për të zhdukurit, dhe vetë z. Gjetaj i kanë thelluar përpjekjet këtë vit në sensibilimin e të gjitha instancave, vendëse e ndërkombëtare, që të bëjnë më shumë trysni mbi Beogradin zyrtar që të bashkëpunojë në ndriçimin e fatit të të zhdukurve. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta kushtëzojë Serbinë që të jetë bashkëpunuese në të gjitha aspektet.
Dëshiroj të ritheksoj edhe një herë qëndrimin tonë se Qeveria e Serbisë mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur më 1998-’99. Ne konsiderojmë se qeveria në Beograd ka të dhëna të sakta për të gjitha vendet në të cilat mund të gjenden trupa të personave të rrëmbyer gjatë luftës në Kosovë.
Prandaj, krahas aktiviteteve për ndriçimin e fatit të personave të pagjetur, bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet serbe duhet të shtrojnë çështjen e përgjegjësisë dhe të gjithë ata që kanë bërë krime, të dalin para drejtësisë, sepse bartësit e këtyre aktiviteteve kriminale janë të njohur edhe për ne, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare.
Mesazhi duhet të jetë i qartë: askush që kryen krime, nuk mund t’i ikën përgjegjësisë dhe nxjerrja e përgjegjësve para organeve të drejtësisë është porosi e qartë për ata që mendojnë se mund të fshihen pas krimeve të kryera.
Në fund, më lejoni të theksoj se zbardhja e fatit të të zhdukurve do ta lehtësonte udhën e pajtimit në mes popujve të rajonit dhe do ta përshpejtonte procesin e integrimit të tij euroatlantik.
I ftoj edhe një herë të gjithë për bashkëpunim dhe ofrim të informatave që shpijnë drejt ndriçimin e fatit të personave të pagjetur. E ftoj veçanërisht bashkësinë ndërkombëtare që të jetë këmbëngulëse në trysninë ndaj institucioneve serbe që të ndikojë në ofrimin e të dhënave që do të ndihmonin zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Last modified: 30 Gusht, 2010