Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Kosovës ndanë 13 milion euro për investime në komunat e Kosovës

26 Gusht, 2010

Kryeministri Thaçi: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me integritet të paprekshëm dhe të njohur ndërkombëtarisht. Kosova ka ecur, tashme shumë përpara, në shtetndërtim dhe nuk do të ketë kthim prapa. Agjenda e Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO si dhe anëtarësimi në Kombet e Bashkuara
 

Prishtinë, 26 gusht 2010
 

Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve në vlerë prej 13 milion eurove për komunat e Shtërpcës, Graçanicës, Kllokotit, Ranillugut, Novo Bërdos, Parteshit deh komunave në veri të Kosovës.
 

Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se vendimi për mbështetjen financiare të këtyre komunave është në funksion të implementimin të dokumentit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe që do të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.
 

Sipas vendimit të parë, që ka miratuar sot Qeveria e Kosovës, komunat e Shtërpcës dhe Graçanicës do të përfitojnë nga 2 milion euro, ndërsa komunat e Kllokotit, Ranillugut, Novo Bërdos dhe Parteshit nga 1 milion euro. Këto mjete, komunat do t’i shfrytëzojnë për investime ne infrastrukturë dhe nevoja të qytetarëve.
 

Në vendimin tjetër, Qeveria e Kosovës ka ndarë edhe 5 milion euro për komunat në veri të Kosovës. Qeveria e Kosovës do të nënshkruaj një memorandum bashkëpunimi me USAID-in, si implemetues të projekteve në këtë pjesë të Kosovës. Edhe këto investime do të shkojnë në përmirësimin e jetës të gjithë qytetarëve në këto komuna të Kosovës.

Last modified: 26 Gusht, 2010

Comments are closed.