Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbetet vazhdimisht partner për krijimin e kushteve më të mira dhe ambient më të sigurt për biznesin

15 Tetor, 2010

Prishtinë, 15 tetor 2010

Kryeministri Hashim Thaçi fillimisht është ndalur në fabrikën për prodhimet nga betoni “Tehno-Burimi”, kompani kosovare – kroate. Pasi ka vizituar ambientet e prodhimit të kësaj fabrike dhe ka biseduar me udhëheqësit për  kushtet e punës dhe shitjen e prodhimeve,  kryeministri Thaçi premtoi përkrahjen e qeverisë komunale dhe asaj Qendrore për biznesin privat.

“Jam këtu për të vizituar komunitetin e biznesit në Mitrovicë, një investim i përbashkët i komunitetit të biznesit së bashku me komunitetit e biznesit kroat, një sukses ky i biznesit dhe investimeve të përbashkëta, që po ndikojnë në krijimin e vendeve të reja të punës, rreth 40 vende të reja” theksoi z. Thaçi .

Më tutje kryeministri Thaçi tha se Qeveria e Republikës së Kosovës ka obligim të mbetet afër biznesit, të mbetet vazhdimisht partner dhe të mbështesë mundësitë potenciale, krijimin e kushteve më të mira dhe ambient më të sigurt për biznesin.

“Përgëzoj dy investitorët. Në këtë drejtim, ne do të jemi afër tyre, me mbështetje të plotë edhe me vizita, por edhe me lehtësimin e angazhimeve që kanë për të pasur sukses edhe më shumë, për të rritur prodhimin dhe krijuar vende të reja të punës”, pohoi z. Thaçi.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Mitrovicës  Avni Kastrati ka falënderuar kryeministrin Thaçi për përkrahjen që po i jep komunës së Mitrovicës.  Nga kjo përkrahje po fitojnë të gjithë qytetarët e pa dallim, theksoi Kastrati .

Në takimin me veteranët e luftës së UÇK-së, kryeministri Thaçi foli lidhur me  ligjin për kategoritë e luftës dhe benificionet që dalin nga ky ligj për këto kategori që kanë sakrifikuar shumë për atë qe ne gëzojmë sot. Ligji për këto kategori do të jetë në fuqi nga një janari i vitit të ardhshëm, kur edhe do të rritet për 50 për qind paga bazë e familjeve të invalidëve dhe dëshmorëve të luftës. “Dëshiroj të theksoj se ky ligj është ligj më i mirë se ligjet që janë miratuar në Kroaci dhe Bosnje. Ky ligj ka mbulesë financiare  dhe ka qenë obligimi im  personal, moral, kombëtar nxjerrja e këtij ligji.

Me këtë rast z. Thaçi premtoi ndihmën nga qeveria për strehimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve.  Z. Thaçi përshëndeti iniciativën dhe zotimin e kryetarit të komunës Avni Kastrati për ndarjen e 300 trojeve për këto familje.

Përfaqësuesit e Organizatave të dala nga lufta falënderuan Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Thaçi për përkrahje dhënë kësaj kategorie, duke shpreh kënaqësinë për ligjin për kategoritë e luftës.

Po sot kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një ligjëratë para studentëve dhe pedagogëve të fakultetit Xehtaro-Metalurgjik në Mitrovicë dhe ka bërë publik vendimin për Universitetin e ri publik në Mitrovicë.

“Jam sot këtu të theksoj se ndarja e 18 hektarëve është inkurajim edhe për mua dhe për Qeverinë e Kosovës që të marrim vendim për Universitetin e ri të Mitrovicës. Pra Mitrovica do të ketë edhe objektin e ri edhe Universitetin e ri”, theksoi kryeministri Thaçi në fund të ligjëratës.  

Last modified: 15 Tetor, 2010

Comments are closed.